Berisha: Rama vrasës i shpresës, shqiptarët ikin se e shohin që ky...

Berisha: Rama vrasës i shpresës, shqiptarët ikin se e shohin që ky vend nuk mund të bëhet

54
0
Shares

Ish-kryeministri Sali Berisha në daljen  e zakonshme para gazetarëve, është ndalur në çështjet e ditës. Fillimisht, Berisha ka folur për samitin e Vjenës dhe projektet që po çon qeveria shqiptare, duke u ndalur te projekti hekurudhor Tiranë-Prishtinë, si më i rëndësishmi. Ai foli për përfitimet që ka ky projekt por që po anashkalohet nga qeveria dhe kryeministri Rama.
“Qeveria shqiptare dërgon atje projekte që nuk kanë fizibilitetin, janë të ndikuara nga elektoralizma dhe shmang projektet më kryesore. Unë dua të them këtu se projekti i projekteve është hekurudha Tiranë-Prishtinë, apo më thjesht Milot-Prizren. Është kjo hekurudhë që bën që Shqipëria të përfitojë në shkallë maksimale nga pozicioni i saj strategjik. Shqipëria ka një pozicion strategjik që i ka kushtuar mbi 40 e ca pushtime. Koha është që ky pozicion të funksionojë për shqiptarët. Rruga e Kombit bëri që çdo vit jashtë parashikimeve, jashtë studimit të fizibilitetit, qytetarët shqiptarë të përfitojnë 250 deri në 300 milionë euro nga flukset e mëdha të tregut dhe njerëzore që ajo krijoi. Por rruga e tregut është vetëm gjysma e potencialit të jashtëzakonshëm. Hekurudha është përgjigjja përfundimtare. Hekurudha bën portet tona më të afërta për Kosovën, për Maqedoninë, për Bullgarinë, Rumaninë. Hekurudha është linja e fushës drejt Europës Qendrore. Në samit shkohet me projekte rajonale. Nuk mund të shkojë qeveria e Tiranës dhe e Prishtinës me projekt tjetër më të rëndësishëm se hekurudha dhe duhet të kërkojnë mbështetje. Qeveria nuk mundet tu kthejë shpinën projekteve kaq të mëdha për inate personale. Nuk digjet për një plesht jorgani”, deklaroi Berisha.
Ish-kryeministri nuk mund të shmangte fenomenin e azilantëve, ku sërish akuzoi Ramën si vrasës të shpresës së mijëra shqiptarëve. Berisha i kërkoi kryeministrit të marrë përgjegjësitë dhe të gjejë zgjidhje. Deklaratës së tij nuk i ka munguar as apeli drejtuar të gjithë atyre që ikin për azil, të cilëve u ka kërkuar të kthehen në vend dhe të krijojnë shpresën në këtë vend.
“Samiti i Vjenës, eveniment historik. Për fat të keq më duhet të them se kësaj radhe samiti ka në rend dite një problem madhor, krizën e azilantëve, e cila do provohet shumë shpejt si kriza më e madhe, më e rëndë që nga lufta e dytë botërore për Europën perëndimore. Ajo që është tragjike për ne, e turpshme dhe e papranueshme, është se ne jemi pothuaj në krye të listës së këtij problemi. Krahasohemi me sirianët, me libianët, me irakianët. Sot kur të ardhurat për frymë deri në 2013 janë rritur sipas FMN-së. Edi Rama vrasës i shpresës së mijëra shqiptarëve. Shqiptarët ikin se e shohin që nuk mund të bëhet ky vend. Rama të marrë përgjegjësitë, të mbledhë qeverinë, të gjejë zgjidhje. Nuk ka marrë asnjë masë. U bëj thirrje mos u largoni, shanset e azilit janë zero. Të kthehen dhe të krijojnë shpresën në këtë vend. Ky vend i ka të gjitha potencialet”, tha Berisha.
Për sa i përket operacionit të paralajmëruar nga kryeministri Rama për informalitetin e bizneseve, Berisha tha se është kundër çdo lloj informaliteti por e ka quajtur këtë aksion një goditje mëshire.
“Jam kundër informalitetit, por ky rrënim i ekonomisë. Kjo çon në falimentime masive, e dyta në përdorimin e këtij tatimi të jashtëzakonshëm për qëllime politike. Pra kjo është një colpo di grazzia, një goditje mëshire që i jep biznesit”, tha Berisha.
Ish-kryeministri foli edhe për përplasjen e fundit mes shtetit shqiptar dhe komunitetit ortodoks në Dhërmi për Kishën e Shën Thanasit. Berisha denoncoi mënyrën arbitrare të ndërhyrjes por duke e vënë theksin në respektimin e historisë.
“Denoncoj mënyrën arbitrare të ndërhyrjes në kishë. Shqipëria ka një histori unike të shkatërrimit të kishave dhe xhamive, duke thënë këtë qeveria dhe autoritetet nuk mund të kryejnë një veprim arbitrar, por nga ana tjetër e domosdoshme të respektohet historia. Në zhvendosjen e himarjotëve drejt Vatikanit, por duke ruajtur ritin oriental, qëndron rezistenca e tyre ndaj fanarit dhe portës së lartë. E dënueshme, dhuna ndaj Kishës së Dhërmiut, pjesë e qëndresës popullore të himarjotëve!”, deklaroi Berisha.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY