“Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nuk ka qënë kurrë në jug të vendit duke pushuar në një jaht luksoz” deklaron Presidenca duke përgënjeshtruar një lajm publikuar në disa faqe elektronike i cili sipas Presidencës ka përhapur në opinionin publik një informacion krejt të pavërtetë për gjoja pushime të Presidentit në një jaht luksoz në jug të vendit.
Ditën e shtunë, në datë 22 gusht 2015, Presidenti i Republikës ka pritur për një vizitë Babain Emir të Katarit, Lartësinë e Tij, Sheikh Hamad Bin Khalifa Al-Thani në qytetin muze të Gjirokastrës ku e ka njohur mikun e veçantë me trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë e Shqipërisë.
Zyra e shtypit të Presidentit të Republikës shpreh keqardhjen për këtë shpërdorim vulgar të medias për shërbime qeveritare.
Institucioni i Presidentit të Republikës rezervon të drejtën për t’ju drejtuar gjykatës për këtë shpifje dhe denigrim të figurës së Kreut të Shtetit, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Lajmi i cituar nga Presidenca është shpërndarë në dy tre portale pranë qeverisë dy ditët e fundit. Duket se ai synon të neutralizojë sadopak skandalin e drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare e cila i refuzoi Presidentit vilat shtetërore për të kryer pushimet verore. Por përvecse lajmi është i sajuar, zgjedhja e subjektit nga zyrat e qeverisë është bërë me mendjelehtësi. Qeveria nuk kursen me këtë rast të abuzojë edhe me një mik të Shqipërisë, Babain Emir të Katarit, i cili ka hedhur jo pak investime dhe ndihma për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/