Në ditën e fundit të pushimeve kryetari Ilir Meta në një interviste për Ora News nga kampi i LRI në Jalë flet për një sezon të nxehtë politik, nisur nga vera që duket se shkaktoi një klimë mosbesimi mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, që zë fill pas zgjedhjeve të 21 qershorit.
Ai sugjeron që lufta ndaj informaliteti të mos marrë nuanca arbitrariteti ndërkohë pranon se biznesi po kalon ditë të vështira. Zoti Meta ia atribuon historive rozë të verës, zërat për një hendek në komunikimin me Kryeministrin Edi Rama duke shmangur komentet e tepërta dhe duke u mjaftuar me faktin se ka plot mënyra për të komunikuar edhe pa u takuar.
Mimoza Picari: Zoti Meta përshëndetje!
Ilir Meta: Përshëndetje!
Mimoza Picari: Vazhdoni pushimet, ndërkohë që qeveria ka vijuar punën. Mos duhet të ishit edhe ju në punë?
Ilir Meta: Është gjë shumë e mirë që qeveria është rikthyer me energji të reja në punë edhe ka qëlluar që sot të jetë edhe dita ime e fundit e të ashtuquajturave pushime.
Mimoza Picari: Ju shohim të rrethuar edhe nga mjaft të rinj, mbi 1000 të rinj janë stacionuar në kampin e Jalës, ndërkohë që për të hequr ndoshta një paralele të dhimbshme: Mjaft të rinj sot ndodhen në kampet e Gjermanisë si azilkërkues. Mendoni që qeveria dhe mazhoranca sot duhet të bëjë më shumë punë për t’i mbajtur të rinjtë në vendin e tyre, çfarë ofroni ju?
Ilir Meta: Pa asnjë diskutim që duhet bërë shumë më tepër për të krijuar jo vetëm një besim dhe entuziazëm të madh për të ardhmen e vendit, por edhe më shumë vende të reja pune që hapen realisht çdo ditë. Mendoj se qëllimi dhe objektivi i çdo politike, edhe në fushën ekonomike apo fiskale dhe në fushën e arsimit, formimit profesional duhet të jetë kjo dhe vetëm kjo.
Për sa i takon kampingut të rinisë këtu në Jalë që është një traditë e konsoliduar dhe e përvitshme e LSI, qëllimet kryesore të këtij kampingu kanë të bëjnë me forcimin e vlerave edukative, formuse, socializuese dhe ndërgjegjësuese të të rinjve dhe për të dashur vendin më shumë, por edhe për të rritur kapacitetet e tyre që të kontribuojnë për realizimin e këtyre politikave, të cilat mbajnë të rinjtë në vendin e tyre dhe i bëjnë ata të jenë kontribuues të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, një faktor më i fuqishëm për ndryshimin. Fenomeni i azilkërkimit përbën një shqetësim të madh dhe është një fenomen që duhet përballuar me politika gjithnjë e më përfshirëse për të rinjtë, por mbi të gjitha është një fenomen që kërkon një adresim edhe më konkret të problemeve më kryesore ekonomike dhe sociale.
Mimoza Picari: Jemi në rrafshin ekonomik. Biznesi sot duket i dekurajuar për shkak të politikave ekonomike të ndërmarra nga qeveria. Mendoni se ka ardhur koha që këto politika të ndryshojnë?
Ilir Meta: Duhet të jemi realist dhe duhet të kemi në konsideratë se situata ekonomike dhe sociale e vështirësuar nuk ka të bëjë thjeshtë me problemet e ballafaquara gjatë këtyre dy viteve të kësaj qeverie, por është me rrënjë shumë më të thella jo vetëm për shkak të modelit tonë ekonomik të tranzicionin, një model i bazuar mbi konsumin, i bazuar mbi remitancat, pra të ardhurat nga emigracioni, apo i bazuar mbi ecurinë e sektorit të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, por është një fenomen i ndikuar thellësisht dhe thelbësisht edhe nga fakti që ekonomia jonë sot është një ekonomi e hapur, ekonomi e kushtëzuar nga zhvillimet në rajon, nga zhvillimet e partnerëve tanë kryesorë, ekonomike e tregtare siç janë Italia, Greqia dhe vendet e BE. Në këtë kuadër mendoj se duhet të evitojmë spekulimet që ndonjëherë kërkojnë ta veçojnë situatën aktuale dhe vështirësive të këtyre dy viteve me atë të mëparshme. Dihet që pas vitit 2007-2008 ekonomia jonë ka ardhur gjithmonë e në vështirësi për shkak se u nënvlerësua efekti i krizës greke, u nënvlerësua efekti i situatës financiare dhe ekonomike të Eurozonës, ndërkohë që shpenzimet vinin në rritje, që përkeqësuan pastaj edhe borxhin publik dhe deficitin. Kështu që politika e qeverisë së re ka qenë një politikë e imponuar nga kushtet në të cilat u ballafaqua me ardhjen në pushtet. Programi me FMN ka qenë i domosdoshëm dhe i paevitueshëm dhe pa dyshim ka pasur disa efekte pozitive që janë ndjerë vit pas viti në përmirësimin e rritjes ekonomike, por ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk jemi ende aty ku duhet, jemi larg atyre pritshmërive të cilat do të bënin të mundur plotësimin e shumë vështirësive me të cilat ndeshen qytetarët tanë. Prandaj e nënvizoj rëndësinë e prioritetit kryesor që ka zhvillimi ekonomik i vendit dhe në këtë drejtim të gjitha politikat duhet të synojnë në një objektiv të përbashkët, në një objektiv kryesor që është rritja ekonomike e vendit, sepse pa një rritje me të madhe ekonomike nuk mund të kemi mundësi për të zgjidhur më shumë dhe më mirë problemet e mprehta sociale. Edhe kur flasim për politikën e taksave, politikën fiskale, për politikën ekonomike, politikën në fushën e arsimit, të formimit profesional gjithcka duhet të shikohet në funksion të rritjes ekonomike dhe ne nuk kemi qenë asnjëherë dhe nuk jemi as sot për të ideologjizuar këtë lloj debati, sepse politikat sociale janë shumë të rëndësishme, mbrojtja e shtresave në nevojë është e rëndësishme, por për këtë shteti ka shumë instrumente nuk ka vetëm një. Ndërkohë që mbetet vendimtare një rritje më e madhe ekonomike për të plotësuar më mirë nevojat sociale të shtresave në vështirësi por një politikë e cila sjell rritje më të madhe ekonomike mbi të gjitha krijon mundësi për të hapur më shumë vende pune për të rinjtë dhe për të mbajtur të gjallë dhe fort shpresën e tyre për të qëndruar në Shqipëri.
Mimoza Picari: Vendosët rritjen ekonomike përballë të gjithave, ndërkohë që parashikimet për rritjen ekonomike për 6 mujorin e dytë të vitit janë me ulje nga 3% në 2.7%, e mbështetur nga FMN dhe treguesit e BQSH.
Ilir Meta: Natyrisht ka shumë faktorë që siç e përmenda edhe më parë nuk varen vetëm nga faktorët e brendshëm, por edhe nga faktorët e jashtëm sepse jemi një ekonomi që gjithnjë është nën ndikimin e këtyre faktorëve. Situata në Greqi nuk ka qenë favorizuese.
Mimoza Picari: Në fakt në Greqi janë njoftuar zgjedhjet e parakohshme…
Ilir Meta: Po, por jo vetëm zgjedhjet e parakohshme …
Mimoza Picari: A do ndikojë kjo, do e përkeqësojë më tej situatën ekonomike, raportet mes dy vendeve?
Ilir Meta: Faktorët e jashtëm nuk janë në kontrollin e qeverisë apo të institucioneve tona, por natyrisht që ne do të përshtatim gjithnjë politikat e brendshme për të amortizuar për të minimizuar dhe për t’i parashikuar sa më mirë efektet e jashtme, megjithatë e rëndësishme është të shikojmë dhe të rishikojmë me qetësi bazuar në analiza çdo mundësi e cila ndihmon që vendi ynë të zhvillohet në potencialet e veta të zhvillimit. Kjo është shumë e rëndësishme, duke shfrytëzuar më mirë të gjithë resurset dhe mundësitë e brendshme. Sa i takon pastaj faktorëve të jashtëm, ata ndikojnë padyshim për Shqipërinë, negativisht apo pozitivisht, ndikojnë për vendet e tjera të rajonit, por ajo që është në dorën tonë përveç parashikimit të këtyre faktorëve dhe amortizimit sa të jetë e mundur e tyre, mbetet gjithmonë përqendrimi në ato sektorë të cilët ndihmojnë në rritjen më të madhe ekonomike në vend në mënyrë afatgjatë dhe këtu kemi parasysh turizmin, industrinë, bujqësinë, pra ata sektorë që do të bëjnë të mundur të rrisim vlerën e shtuar të burimeve tona të resurseve tona dhe njëkohësisht të rrisim mundësinë për të ulur importet për të rritur më tej eksportet dhe sigurisht kjo nuk është një sfidë e lehtë, është një sfidë që mund të japë efekte mjaft premtuese.
Mimoz Picari: Turizmi dhe për bujqësinë. Në fakt për turizmin sivjet erdhën mjaft shqetësime nga sektori i turizmit. Mungesa e dritave, mungesa e ujit, e infrastrukturës, cilësia e shërbimit ndërkohë edhe në bujqësi fondet janë ulur në parashikimin e buxhetit?
Ilir Meta: Prandaj e theksoj rëndësinë që në ata sektorë që mund të kontribuojmë më shumë në rritjen ekonomike të vendit duhet investuar më shumë, duhet dhënë një mbështetje më e madhe. Sepse është e vërtetë që fondet për të mbështetur bujqësinë janë të pamjaftueshme. Mjafton t’i krahasojmë me vendet të tjera të cilat janë edhe më të vogla se Shqipëria, po pak a shumë në të njëjta kushte, si Kosova apo Maqedonia, Mali i Zi. Por të mos harrojmë që vëmendja, politikat që i janë kushtuar bujqësisë gjatë këtyre dy viteve dhe ndërgjegjësimi i fermerëve tanë, por edhe i sipërmarrësve shqiptarë, se bujqësia është një sektor me mjaft interes dhe me një interes në rritje dhe të qëndrueshëm, kanë bërë të mundur që numri i aktiviteteve private në fushën e bujqësisë të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme. Kanë bërë që prodhimi bujqësor të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme. Që eksportet rriten në një mënyrë mjaft premtuese, ashtu sikurse të gjitha këto rrezikojnë të sjellin probleme të tjera në rast se nuk do të shoqërohen me garantimin e tregjeve të qëndrueshme ndërkombëtare për eksportet. Por njëkohësisht edhe me rritjen e kapaciteteve përpunuese brenda vendit që do të bëjë të mundur dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe shfrytëzimit maksimal të kësaj pune dhe të këtij kontributi që jep ky sektor në interes të mirëqenies së fermerëve dhe të përmirësimit të gjithë ekonomisë së vendit. Sepse përndryshe mund të kemi efekte të kundërta që do të sjellin një prodhim i cili nuk gjen tregun, i cili mbetet, i cili shpërdorohet, i cili shitet me çmime mjaft të lira dhe nën koston e prodhimit të realizuar nga fermerët. Kështu që unë besoj se ka mjaft sfida të cilat duhet të ndiqen me përparësi të veçantë, sepse Shqipëria është mjaft konkurruese në këto fusha por njëkohësisht ne ende importojmë mjaft produkte të përpunuara të cilat mund të realizohen në vend dhe të cilat mund të shërbejnë për të krijuar shumë vende të reja pune që sot mungojnë.
Mimoza Picari: Qeveria ka shpallur luftë informalitetit, një aksion masiv që do të nis në shtator. Ekspertët disa e shikojnë të vonuar, disa e shikojnë të gabuar për shkak të politikave, pra me rritjen e taksave e cila do të grumbullonte më shumë të ardhura në buxhet por në fakt solli më pak të ardhura dhe më shumë informalitet. Ju si e shikoni këtë moment kaq delikat?
Ilir Meta: Kur flasim për rritjen e të ardhurave, duhet të kemi parasysh që ka një lidhje të drejtpërdrejtë rritja e të ardhurave jo thjesht me procesin e administrimit, i cili mbetet gjithmonë një faktor i rëndësishëm, aq më tepër në një vend si i yni ku institucionet ende nuk funksionojnë me efikasitet të plotë, por ajo që është vendimtare për raportin apo për ecurinë e të ardhurave, gjithmonë është rritja ekonomike e vendit. Sepse, në rast se nuk do të ketë një rritje më të madhe ekonomike atëherë mundësia për të pasur një rritje më të madhe të të ardhurave do të jetë më e kufizuar. Kështu që, në këtë drejtim përsëri mendoj se kjo është kryesorja edhe për të ardhmen. Pra, një politikë e cila synon në rritjen ekonomike të vendit, në rritjen e investimeve, në inkurajimin e biznesit për të investuar më shumë sepse kjo do të krijojë mundësinë dhe do të krijojë hapësirën për të mbledhur më shumë të ardhura në të ardhmen. Natyrisht lufta kundër informalitetit është një luftë që duhet të bëhet çdo ditë, nuk është një luftë që duhet bërë dhe bazuar në aksione apo në fushata. Padyshim që ka momente kur bëhen shqetësime dhe kërkohet një shkundje më e fuqishme e administratës. Por unë mendoj se e rëndësishme është rritja e kapaciteteve profesionale, edhe në fushën e administrimit fiskal, dhe mbi të gjitha shumë e rëndësishme për këtë sukses është që të kuptojmë se nuk kemi dy palë kundërshtare, pra administratën tatimore dhe biznesin, apo shtetin dhe biznesin. Por, kemi dy partnerë të domosdoshëm për njëri-tjetrin, të cilët e kanë të lidhur reciprokisht suksesin. Dhe në këtë drejtim, fryma e bashkëpunimit është ajo që duhet të dominojë, që do të thotë se biznesi patjetër që duhet të formalizohet, por njëkohësisht është e rëndësishme që shërbimi ndaj tij të jetë mjaft korrekt dhe profesional, të jetë një shërbim që krijon besim, larg çdo forme arbitrariteti dhe paragjykimi. Unë e vë theksin gjithmonë te partneriteti midis qeverisë dhe biznesit, midis administratës tatimore dhe fiskale me biznesin, sepse padyshim që biznesi kur ndjen që ka një shërbim më të shpejtë, më korrekt, më pak burokratik, absolutisht jam i bindur që ka vullnetin dhe predispozicionin për të qenë edhe ai shumë më bashkëpunues në plotësimin e detyrimeve ndaj shtetit. Sepse edhe biznesi është i ndërgjegjshëm që duhet të paguajë taksa për shërbime më të mira, më të shpejta, më transparente, të cilat do t’i krijojnë atij mundësinë për të investuar më shumë në të ardhmen dhe për tu zgjeruar më shumë. Por e gjithë kjo politikë duhet të synojë pikërisht në rritjen e investimeve, në inkurajimin e biznesit për të zgjeruar aktivitetet e tij, sepse po nuk ndodhi kjo, atëherë nuk do të kemi një rritje më të madhe ekonomike dhe po nuk patëm një rritje më të madhe ekonomike, do ta kemi gjithnjë e më të vështirë për të pasur një rritje më të madhe të të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Mimoza Picari: Në shtator nis edhe diskutimi për hartimin e paketës së re fiskale. Ju keni qenë deri diku skeptik në këtë drejtim. A është momenti që LSI të ndërhyjë për të nxjerrë në pah një diskutim serioz me të gjitha problematikat edhe për ta ndryshuar këtë paketë, për një politikë më të re taksash, më të ulëta, apo rikthimin e taksës së sheshtë?
Ilir Meta: Unë mendoj se është e rëndësishme që ne të vlerësojmë edhe rivlerësojmë ecurinë e të gjithë politikës fiskale, politikës ekonomike, në mënyrë të vazhdueshme, duke parë edhe rezultatet konkrete që ajo jep. Kështu që, unë nuk kam asnjë lloj paragjykimi. Përkundrazi, mendoj që duhet të jemi shumë të hapur për të marrë vendime sa më të studiuara, sa më të analizuara mirë, jo thjesht të imponuara nga situata e momentit dhe vendime që i shërbejnë sigurisht një të ardhmeje më afatgjatë. Nuk duhet absolutizuar as taksa e sheshtë, as taksa progresive. Them që nuk duhet absolutizuar taksa e sheshtë sepse ajo pati efekte shumë pozitive në vitet e para, por le të mos harrojmë që ato ishin vite ku kishte një rritje ekonomike të lartë, jo vetëm për Shqipërinë. Ishin vite të një rritje ekonomike të lartë për të gjithë vendet e rajonit dhe kuptohet që efektet e krizës në Shqipëri u ndien shumë më pas se në vendet e tjera. Por, s’duhet të harrojmë këtu që në vitet e fundit, pavarësisht se taksa e sheshtë përsëri funksiononte, të ardhurat erdhën duke rënë në mënyrë të ndjeshme dhe ky ishte një nga faktorët kryesorë edhe të rritjes së borxhit, edhe të rritjes së deficitit. Natyrisht që, taksa e sheshtë krijon mundësi administrimi më të mira, më të shpejtë, më të thjeshtë për administratën tatimore apo edhe për vetë biznesin në përgjithësi. Por, për mua thelbi nuk është i tillë, pra do të kthehemi apo jo te taksa e sheshtë apo do të vazhdojmë me këtë sistem taksimi, por është se cilat janë mundësitë që ne të rrisim më tej rritjen ekonomike të vendit përmes politikës së taksave. Dhe nuk është problemi thjesht për të rritur sot të ardhurat, sepse mund të rriten sot të ardhurat në një mënyrë të sforcuar por ato mund të bien nesër, pasnesër në rast se kjo politikë taksash nuk do të ndikojë në një rritje më të madhe ekonomike dhe sidomos në ata sektorë ku Shqipëria ka mundësitë për t’u rritur më shpejt. Pra, ky është problemi i sfidës që ne kemi, që kemi një sfidë të ristrukturimit të ekonomisë, për të kaluar nga një model i vjetër, pra modeli i konsumit, modeli i remitancave të cilat vijnë gjithnjë e në ulje, në një model prodhimi, në një model eksporti.
Mimoza Picari: A ka nevojë për një tryezë kombëtare për ekonominë?
Ilir Meta: Pa asnjë diskutim, nuk ka nevojë për një tryezë, por ka nevojë në mënyrë të vazhdueshme për shumë tryeza, sepse përmes këtyre tryezave do të evidentohen më mirë problemet dhe vështirësitë, por edhe do të krijohet një besim më i mirë reciprok për të ardhmen. Sepse ajo që ne na intereson është edhe forcimi i besimit të biznesit për të vijuar aktivitetin e tij, për të mos e tkurrur atë. Përkundrazi, për ta zgjeruar, për të shtuar kapacitetet e tij, sepse në rast se kjo gjë nuk do të ndodhë, nuk do të kemi rritje më të madhe ekonomike dhe çdo sukses që do të arrinim, do të ishte afatshkurtër.
Mimoza Picari: Ju keni mbështetur një prej paketave më të rëndësishme të industrisë që ka një numër të lartë të vendeve të punës, sikurse është industria fasone. Nga disa pika të kësaj pakete që ju keni përkrahur nuk është zbatuar thuajse asnjë. Të paktën kështu deklarojnë përfaqësues të biznesit fason. Si ndiheni ju përballë këtij zhgënjimi të tyre, pasi duhet thënë që kjo industri është në vështirësi realisht?
Ilir Meta: Padyshim që kjo industri është një industri në vështirësi. Është një industri që bazohet kryesisht në kostot e ulëta, kështu që çdo rritje e këtyre kostove, sado e vogël të jetë, i vendos këto industri dhe këto aktivitete në vështirësi shumë të mëdha, duke pasur parasysh që edhe kërkesa në tregjet ndërkombëtare është në rënie për shkak të vetë konsumit apo të kërkesës për këto lloj produktesh, prej këtyre tregjeve. Mendoj që për të garantuar mbijetesën e tyre dhe rritjen e aktivitetit të tyre, padyshim që zbatimi i asaj pakete për të cilën kemi rënë dakord është i domosdoshëm dhe një pjesë shumë e mirë e brendisë së kësaj pakete ka të bëjë me evitimin e shumë hallkave të panevojshme burokratike, të cilat e vënë në vështirësi këtë biznes dhe i krijojnë kosto si në drejtim të kohës në mënyrë të veçantë ashtu edhe të funksionimit të këtyre aktiviteteve. Mos harrojmë që një punë shumë e madhe këtë aktivitet e lidh me doganën për arsye sepse importojnë lëndët e para, eksportojnë më pak produktet e tyre dhe një funksionim më i mirë, më i shpejtë, më transparent, më bashkëpunues është i domosdoshëm.
Mimoza Picari: Është perceptuar gjatë kohëve të fundit, veçanërisht pas 21 qershorit se ka një klimë mosbesimi midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. A ka diçka për të besuar në këtë mes dhe a mund të ndikojnë kjo në të ardhmen e koalicionit?
Ilir Meta: Mendoj që sa herë ka mungesë ngjarjesh apo lajmesh, gjithmonë do të ketë hapësirë për të krijuar një klimë të tillë mediatikisht. Për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe për mua si kryetar i saj ekziston një bashkëpunim shumë konstruktiv dhe korrekt me Partinë Socialiste. Ky bashkëpunim vijon në mënyrë konsistente dhe natyrisht që gjithçka unë do ta cilësoja si pjesë të gjithë kësaj klime verore me temperatura më të larta sesa i parashikon.
Mimoza Picari: Si i gjykoni akuzat në bazë e përfaqësuesve të Partisë Socialiste ndaj atyre të Lëvizjes Socialiste për Integrim?
Ilir Meta: Unë nuk e di për çfarë përfaqësuesish bëhet fjalë. Por, raportet tona edhe në bazë janë mjaft të qëndrueshme dhe bashkëpunuese.
Mimoza Picari: Pas zgjedhjeve të 21 qershorit ku kandidatja e LSI-së kishte humbur Bashkinë e Pogradecit, LSI e cilësoi garën për këtë qytet si “Pazari i Roskovecit”. A nuk zien diçka në këtë rast?
Ilir Meta: Nuk mendoj se ka ndonjë çështje kaq serioze dhe besoj se bashkëpunimi midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është shumë më i qëndrueshëm se mendohet. Pastaj për deklarata të individëve të caktuar nuk duhet të shqetësohemi sepse jemi në një vend demokratik dhe forcat tona politike janë demokratike. Mendoj se e rëndësishme është qëndrimi politik i të dyja forcave dhe ky qëndrim është një qëndrim korrekt, parimor dhe bashkëpunues. Pastaj, për individë periferikë mendoj se është çështja e parëndësishme.
Mimoza Picari: Kryeministri Rama ka pushuar në bregdetin e jugut gjithashtu. Pak kilometra më tej. A u takuat me të?
Ilir Meta: Kemi pasur mospërputhje në kohë. Por, kjo nuk na ka penguar që të komunikojmë dhe në fund të fundit jemi larë në të njëjtën det, në detin më të bukur që kemi.
Mimoza Picari: Shpresojmë që t’ju ketë pastruar edhe disa mëkate!
Ilir Meta: Po pse jo meqenëse ju keni dëshirë.
Mimoza Picari: Unë ju falënderoj për këtë intervistë, faleminderit për mikpritjen në këtë ambient kaq rinor. Dhe shpresoj të ketë sa më pak të rinj të larguar.
Ilir Meta: Unë besoj se Shqipëria u takon të rinjve dhe ata duhet të kenë më shumë besim tek aftësitë e tyre për të qëndruar këtu dhe për ta bërë Shqipërinë një vend më të gëzueshëm, një vend më të zhvilluar, një vend më të bukur dhe një vend më të jetueshëm. Natyrisht që ky është edhe qëllimi i këtij kampingu.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/