Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, në vend të shuante zërat për një konflikt të mundshëm me PS, “ju ka dhënë më shumë rrugë” këtyre zërave.
Në një intervistë për “Ora News”, Petrit Vasili, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka vënë gishtin dhe ka artikuluar disa mosarritje të qeverisë, në fushën ekonomike, tatim taksat, apo edhe energjetike.
“Rritja ekonomike është ajo që duhet të marrë përgjigje themelore dhe çdo debat tjetër është periferik dhe nuk mundet dhe nuk do të mund ta zëvendësojë dot këtë çështje”, ka evidentuar Vasili mungesën e një rritje ekonomike.
Më tej Petrit Vasili ka zhvlerësuar pretendimet e ministrit të Ekonomisë Arben Ahmetaj, i cili jo më larg se dje deklaronte se problemet në energjetike dhe furnizimin me ujë janë 20 – 25 vjeçare duke theksuar se sivjet kjo situatë paraqitet më mirë.
Por Petrit Vasili e pjesëtoi me dhjetë këtë hapësirë kohore 20 – 25 vjeçare të problematikës së energjetikës dhe furnizimit me ujë, duke e reduktuar në dy vitet e fundit.
“Është e vërtetë që këto fenomene kanë qenë të shpeshta, dhe jo vetëm këtë vit por edhe një vit më parë. Banorët ankohen për tension të ulët të energjisë elektrike. Shpeshherë e kanë të pamundur të mbajnë pajisjet elektrike. Mbase vitin që vjen, është një sfidë për t’u përmirësuar”, është shprehur Vasili.
Goditja e radhës e petrit vasalit, me gjasa ndaj qeverisë, ka qenë ndaj paketës fiskale, sipas të cilit, nuk ka qenë vizionare.
“Politika më të zgjuara fiskale do të thotë hartimi i një pakete fiskale në funksion të rritjes ekonomike. Do të thotë të gjitha politikat që nuk prodhojnë një rezultat të tillë duhen rishikuar. Mund të kenë qenë qëllim mirë por jo vizionare, pra duhet një vizion gjithmonë e më taktik më të qartë dhe shfrytëzimi i potencialeve të vendit në maksimumin e vet për të mos pasur potenciale të pashfrytëzuara apo të pa eksploruara që në mënyrë pasuese të kishim një ekonomi që nuk ecën përpara, një rritje ekonomike që nuk ecën”, u shpreh në vijim Vasili.
Por në intervistën e Petrit Vasilit, ajo që ka surpizuar jo pak, ka qenë qëndrimi i tij ndaj presidentit Bujar Nishani pas kthimit nga ky, të ligjit për Turizmin.
Ndërsa jo më larg se fillimi i vitit ishte Petrit Vasili që suprizohej me qëndrimin e Presidentit ndaj Ligjit për Gjykatën e Lartë, tashmë është Petrit Vasili që surprizon, kur apelon për rishikimin e ligjit për Turizmin, me qetësi dhe pa paragjykime.
“Si në çdo element tjetër të jetës dhe të politikës duhet të na udhëheqë qetësia. Pa paragjykime duhet lexuar gjithçka që presidenti ka thënë dhe më pas synimet janë të qarta. Ai do të ketë një proces normal të shqyrtimit dhe më pas do të vijë në sallë”, është shprehur Vasili.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/