Presidenti Bujar Nishani, nëpërmjet një mesazhi drejtuar familjarëve të Albert Vërrisë, ka shprehur trishtimin e tij të madh për ndarjen e tij nga jeta, ndërsa ju adresuar atyre ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje.
Mesazhi i potë i Presidentit Bujar Nishani
“Të dashur familjarë të aktorit të nderuar, Albert Vërria!
Kam ndier një trishtim të thellë kur mora vesh për ndarjen nga jeta të të dashurit tuaj, Albert Vërria.
Ky lajm më ka prekur pamasë dhe është një humbje e madhe për kulturën shqiptare në përgjithësi, kinematografinë në veçanti si dhe për gjithë shoqërinë shqiptare.
Albert Vërria, ky mjeshtër i dramës ka ardhur pranë artdashësve të kinematografisë dhe teatrit me humor, me një mjeshtëri të veçantë artistike duke ditur të përcjellë tek të gjithë emocione të rralla, shpesh përmes realizimit të situatave komike nëpërmjet një interpretimi dramatik.
Artistin e Popullit, Albert Vërrinë do ta kujtojmë gjithmonë për interpretimin e përsosur të rolit të Xha Sulos tek filmi ‘Kapedani’, por të pashlyera do të mbeten në kujtesën e artdashësve shqiptarë qindra role dhe personazhe që ai me mjeshtëri diti të luante në skenën e teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Ai ia doli mbanë me mençuri dhe profesionalizëm të lërë shenjën e tij në mbi 100 filma ku të pashlyera do të mbeten emocionet që na ka përcjellë, pa harruar dhe role të arrira në teatër.
Albert Vërrinë do ta kujtojmë gjithmonë buzagaz jo vetëm për mjeshtërinë mbresëlënëse në interpretimin e roleve të tij, por dhe për gojëtarinë e tij të rrallë dhe trashëgiminë që na ka lënë, për kulturën e qytetarisë dhe të urtësisë që e karakterizonte si njeri.
Duke ndarë me ju në këto çaste të rënda dhimbjen time më të thellë për ikjen e këtij artisti, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të afërmin tuaj, i cili do mbetet përherë i paharruar.
U prehtë në paqe shpirti i tij!
Bujar Nishani”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/