Halimi: Proces i përbashkët dhe me transparencë, garanci për një reforme konsesuale...

Halimi: Proces i përbashkët dhe me transparencë, garanci për një reforme konsesuale në drejtësi

64
0
Shares

Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, reagoi pas deklaratave të Fatmir Xhafajt për reformën në drejtësi, duke deklaruar se opozita kërkon “që reforma në drejtësi të jetë tërësore, jo e fragmentuar, transparente dhe gjithëpërfshirëse”.
“Reforma t’i japë fund lirimit të trafikantëve dhe t’i japë fund mbajtjes në burg të të varfërve. Kapja e sistemit të drejtësisë duhet të ndalet”, tha Halimi në një deklaratë për mediat.
“Për të dy dokumentet atë analitik dhe atë strategjik, që paraqiti zoti Xhafa, Halimi bëri të ditur do të prezantojnë variantin e tyre.

Reagimi i potë i Eduard Halimit

“Ndoqa nëpërmjet medias deklaratën e përfaqësuesit politik të mazhorancës në komisionin e Reformës në Drejtësi Xhafaj lidhur me procesin e deritanishëm të këtij komisioni dhe me duhet të them që në fillim se protagonizmi politik nuk e ndihmon procesin, pasi besoj se qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtare do të kërkonin një qëndrim të përbashkët në lidhje me procesin e deritanishëm dhe po aq për të ardhmen.
Është plotësisht e vërtetë se, Partia Demokratike është e vendosur për një reformë në drejtësi tërësore, jo të fragmentuar, me një strategji të plotë dhe vizionare, që të largojë gjyqtarët e prokurorët e paaftë e të korruptuar, apo të kapur politikisht, dhe të garantojë një sistem  drejtësie të fuqishëm dhe të plotësisht të pavarur.
Një reformë brenda standardeve europiane, transparente, gjithëpërfshirëse, të udhëhiqet nga ekspertiza euro- amerikane dhe të marrë certifikimin e komisionit të Venecias.
Një reformë që ti japë fund metodologjisë së ndjekur vitin e kaluar nga mazhoranca, e cila kaloi fiks një vit më parë tre ligjet e drejtësisë, jo për të reformuar sistemin por për të bërë ligje për karrige, për të kapur institucionet e drejtësisë, gjykatat, KLD, Gjykatën e  Lartë me njerëz tërësisht politikë.
Një reformë që ti japë fund qëllimit të kësaj mazhorance që është kapja dhe nënshtrimi i drejtësisë, t’i japë fund standardeve të turpshme të vendosura nga Gjykata e Lartë, ku deputetët e mazhorances shpallen të pafajshëm e heronj kur godasin me grushte  deputetët e opozitës në parlament, dhe nga të njëjtët gjyqtarë, lidershipi i opozitës dënohet vetëm se  kritikon kryeministrin. 
Një reformë që t’i japë fund qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve të paaftë, të kapur, e të korruptuar që lirojnë trafikantët, vrasësit dhe baronët e drogës e lidhur me pushtetin, dhe mbajnë në burg të varfrit që nuk kanë mundësi të paguajnë.
Një reformë që të ndalojë dhe zhbëjë kapjen politike të sistemit që ndodhi në këto 2 vjet, si armikun më të egër të drejtësisë. Një reformë që të ndërtojë një sistem vlerash dhe meritash, për njerëzit e aftë dhe profesioniste në drejtësi dhe jo për miqtë e pushtetit.
Një reformë që të ketë si rezultat suksesin dhe jo dështimin.
Ndaj si opozitë parlamentare jemi në këtë proces të reformës, më të vendosur se kurrë, jo për t’i bërë makijazh drejtësisë së kapur nga mazhoranca, as për të qenë fasadë e një strategjie kapje politike të mëtejshme të sistemit, por jemi aty pa protoganizëm politik, por me qëllimin që bashkë me garancinë dhe qëndrimin syçelët të  partnerëve ndërkombëtarë, të japim impakt konkret që reforma të bëhet tërësore, dhe të udhëhiqet nga standardet dhe ekspertiza ndërkombëtare dhe kapja politike e sistemit të drejtësisë të ndalet.
Vetëm një proces i përbashkët dhe me transparencë do të jete garanci për një reforme konsesuale dhe të suksesshme.
Çdo produkt i komisionit të Reformës që nuk do të përfshinte kontributin e opozitës,  do te ishte shkatërrues për konsensusin dhe po aq për suksesin dhe jetëgjatësinë e kësaj reforme jetike për të ardhmen e vendit.
Për të dy dokumentet e prezantuar edhe sot nga përfaqësuesi politik i Partisë Socialiste, zoti Xhafaj, opozita do të paraqesë në fillim te sesionit të ri parlamentar produktin e vet, në mënyrë që analiza të mos fshehë asnjë të metë të sistemit në këto 16 vitet e fundit, siç ishte fshehja tërësore e asaj që ka ndodhur në periudhën 1999-2005, kapja me flagrante e drejtësisë nga politika dhe shkatërrimi më vrastar i pavarësisë së drejtësisë.
Periudhë ku ministri i Drejtësisë bëhej kryetar i Gjykatës së Lartë, ku deputetë e zëvendësministra drejtonin institucionet e drejtësisë dhe ishin anëtarë të gjykatave të vendit, ku sekretari ligjor i PS, behej kryetari i Gjykatës Kushtetuese në vend.
Vetëm pasqyrimi i saktë dhe jo fshehja e bën do dobishëm procesin.
Sepse vetëm kështu do të jemi të sinqertë me qytetarët që ajo periudhë e errët nuk do të rilinde me pas kurrë.
Nga ana tjetër, dokumenti i dytë, strategjia e reformës që duhet të pasqyrojë zgjidhjet që presin qytetarët shqiptarë dhe partnerët ndërkombëtare, duhet të jetë një strategji e përbashkët, konkrete, me impaktin e opozitës,  dhe të mishërojë qëllimin e konsolidimit të pavarësisë, të eliminojë tërësisht kapjen politike, të ndalë kapjen e mëtejshme dhe të kristalizojë një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe paaftësisë në drejtësi.
Ekspertët e përzgjedhur nga opozita janë duke punuar intensivisht dhe fillimi i sesionit të ri parlamentar do të sjellë edhe impaktin e plotë të opozitës për të dy dokumentet e mësipërm.
Të dyja këto dokumente vetëm pasi të përfshijnë edhe impaktin e opozitës duhet ti kalojnë Komisionit të Venecias për opinionin e tij të pazëvendësueshëm. Ky është dhe do te jetë një proces që nuk duhet të krijojë debat mes palëve politike, në mënyrë që të eliminohet arroganca e deritanishme dhe konsensusi të garantohet plotësisht.
Lidhur me procesin e fazës së tretë atë të draftimit, anëtarët e komisionit nuk kanë asnjë informacion ende. Por është jetike për këtë fazë që mos përsëriten problemet e mësipërme, që ky proces, draftimi i dispozitave të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe konsesual.
Është e padiskutueshme që në çdo mbledhje te grupit të ekspertëve të nivelit të lartë për këtë proces dhe përgatitjen e çdo produkti, të marrin pjesë ekspertet e nivelit të lartë të caktuar nga opozita.
Asnjë njoftim për mbledhje të ndonjë grupi punë nuk është përcjellë deri tani as tek unë dhe as tek ekspertët e emëruar para 2 javësh nga komisioni.  Çdo produkt që do dilte nga këto grupe pune pa praninë e ekspertëve të caktuar nga opozita do të dëmtonte plotësisht konsensusin e arritur për një reformë të përbashkët.
Ndaj i kërkoj sot jo vetëm stafit politik dhe teknik të komisionit, por të gjithë përfaqësuesve të misionit Euralius, OPDAT dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që bashkëdrejtojnë grupet e ekspertëve të nivelit të lartë, që në çdo mbledhje që do të zhvillojnë të informojnë opozitën, të përfshijnë ekspertët e caktuar nga opozita, në mënyrë që produkti që do të dalë nga dita e emërimit e tyre, padyshim dhe nga sot, të jetë produkt i diskutuar dhe me ekspertët e nivelit të lartë të caktuar prej nesh.
Transparenca dhe sinqeriteti në këtë fazë të reformës është jetik për të ardhmen e saj.
Vetëm një reformë transparente, gjithëpërfshirëse, konsesuale, me ekspertizë euro-amerikane dhe me certifikim të komisionit të Venecias, do të sjellë daljen nga stasquo-ja ku ndodhet sistemi i drejtësisë, çmontimin e kapjes politike që iu bë institucioneve, ndalimit imediat të kapjes së mëtejshme, luftës pa kompromis ndaj gjyqtarëve, të paaftë, të korruptuar dhe të kapur politikisht.
Për këtë Partia Demokratike ngelet më e vendosur se kurrë bashkë me garancinë e partnerëve ndërkombëtare”.  

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY