ANALIZA/ Të gjithë shesin…, ka që edhe blejnë

ANALIZA/ Të gjithë shesin…, ka që edhe blejnë

72
0
Shares

Viti 2015 po demonstron një ofertë të shtuar për shitje dhe me një interes të ulët për blerje. Shteti nuk gjen blerës për kompanitë e veta. Shitjet e tokave dhe shtëpive kanë rënë me rreth 40 për qind në 6-mujorin e parë. Volumet e transaksioneve të aksioneve kanë rënë me 30 për qind këtë 6-mujor, kundrejt ofertës gjithnjë e në rritje për shitje

Frika për të blerë dhe mania për të shitur duket se është kthyer në psikozë gati kronike për konsumatorët shqiptarë, të cilët në gjashtë vitet e fundit, që kur kriza ekonomike çeli siparin, e kanë shtrënguar dorën për harxhime, duke braktisur blerjet e mëdha dhe duke u fokusuar vetëm te nevojat bazike që kanë të bëjnë me jetesën e përditshme dhe kujdesin për shëndetin.
Frika apo pamundësia për të blerë nuk është vetëm një virus që ka prekur konsumatorin, bizneset, bankat dhe qeveritë janë të infektuara gjithashtu. Ky vit ka arritur pikun, ku oferta për shitje është disa herë më e lartë se kërkesa për blerje. Agjencitë imobilare pohojnë se, oferta për të shitur toka dhe shtëpi është rritur me gati 15 për qind në gjashtë muajt e parë, nga ana tjetër kërkesa për të blerë ka rënë me 30-40 për qind.
Që vitin e kaluar, kompani të tregut financiar, sidomos atij bankar, biznese të telekomunikimit janë ofruar për shitje, por në sfond nuk ka blerës.
Qeveria, nga ana tjetër, në pamundësi për të gjetur blerës të rinj për kompanitë e saj, dikur të shumëkërkuara, ka nisur rishtetëzimin e shitjeve të dështuara të viteve më parë.
Gjatë vitit që shkoi, qeveria rimori pronësinë mbi kompaninë e shpërndarjes së energjisë (OSHE) pas dështimit spektakolar të privatizimit nga çekët e CEZ, dhe tani e sheh mjaft të vështirë të gjejë blerës të rinj. Ndërkohë është një plan diskutimi për rishtetëzimin e uzinave të përpunimit të naftës, ARMO, për shkak se operatorët privatë që e menaxhuan atë në gjashtë vitet e fundit e kanë rënduar gjendjen financiare, duke shpallur falimentin praktik. Qeveria ka shtyrë edhe planet për shitjen e Albpetrol-it, pasi situata e çmimeve të ulëta të naftës në tregun ndërkombëtar për të dytin vit radhazi ka shuar interesin e investitorëve seriozë për blerjen e një prej aseteve më të vlefshme ende në pronësi të shtetit.
Të dhënat e 3-mujorit të parë të 2015-s tregojnë se treguesi i besimit të konsumatorëve (TBK) ra me 2.7 pikë përqindje, duke konfirmuar trendin rënës të nisur në 3-mujorin e kaluar, ku shkak kryesor, sipas Bankës së Shqipërisë, është përkeqësimi i balancës së blerjeve të mëdha, e cila ra me 9.2 pikë përqindjeje.
Disbalancat ndërmjet shitjeve dhe blerjeve arsyetohen me shumë faktorë nga ekspertët dhe institucionet. Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, tha se dobësitë në blerje lidhen me frenimin e rritjes ekonomike të shfaqur vitet e fundit. Sipas tij, blerjet e mëdha do të jenë të kufizuara për sa kohë që burimet e financimit të tyre do të jenë të pakta.
Duke folur për objektet e banimit ai tha se, veç faktorëve që lidhen me gjendjen financiare të konsumatorëve, abuzimet me ndërtime jashtë planeve urbane kanë sjellë interes në rënie për zona të tilla si Kashari në Tiranë.
Përtej faktorit psikologjik të krizës që ka goditur konsumin në tërësi, burimet e financimit të blerjeve po shfaqin paqëndrueshmëri.
Banka e Shqipërisë ka raportuar se pagat në sektorin privat kanë rënë me mbi 5 për qind në vitin e fundit, ndërsa pagat në sektorin shtetëror kanë ndalur ritmet e rritjes. Eksportet kanë rënë me rreth 4 për qind në fund të 5-mujorit, duke lajmëruar më pak të ardhura për financimin e konsumit dhe remitancat nga emigrantët prej vitesh të përfshira në një cikël rënës pritet të pësojnë goditjen më të madhe këtë vit nga kriza që po përjeton Greqia.
Për shkak të krizës që po kalon Greqia, remitancat janë pothuajse përgjysmuar, duke rënë nga 952 milionë euro në vitin 2007 në 544 milionë euro vitin e kaluar.
Shlyerja e detyrimeve të prapambetura të faturave të energjisë elektrike dhe rënia e besimit theksuan sjelljen hezituese të konsumatorëve për të kryer shpenzime në këtë periudhë. Kjo u reflektua në masë më të madhe në uljen e konsumit të shërbimeve dhe të blerjeve të mëdha. Banka e Shqipërisë referon se, treguesit e besimit sinjalizojnë për konsum të ulët edhe gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2015.
Treguesi i besimit në bizneset e degës së tregtisë u ul me 4 pikë përqindje, ndërsa treguesi i besimit konsumator ra nën mesataren afatgjatë në këtë periudhë.
Guvernatori Genti Sejko ka pohuar se ka banka të vogla që prej vitesh nuk janë aktive në treg dhe që nënkuptohet që kanë një strategji daljeje nga tregu. Nga ana tjetër, bankat e mëdha nuk kanë interes për të blerë.

Real estate, volumet e shitjeve bien me 30 për qind
Në përditshmërinë tonë të këtij viti, gjithnjë e më shumë po shohim njoftimet me “shtëpia shitet”, “toka shitet”, “makina shitet”. Nëse ke dëshirë dhe para të blesh mund të bësh pazar të mirë. Por përkundër ofertës së madhe për shitje, kërkesa për blerje është gjithnjë e në rënie. Lefter Sila, vlerësues në agjencinë imobilare INF, tha se këtë vit volumet shitjeve kanë rënë në termat e 30-40 për qind, ndërkohë që ofertat shitje janë rritur.
Sila tha se, blerjet e shtëpive po kryhen nga shtresa e mesme dhe lidhen me nevojat për zgjerim. Familjet e reja që blenë shtëpi para 10 vitesh tani duan të zgjerohen duke shitur garsonieret ose hyrjet 1+1, për të blerë apartamente më të mëdha 2+1. Ndërsa vihet re një tendencë në rënie e shtresave të pasura për të blerë pasuri të patundshme, shihet të jetë rritur tendenca që kjo shtresë ka për shitur.
Dyndja ku shtëpitë dhe tokat u panë si mjet më i mirë për investimin e kursimeve tani është kthyer në të kundërtën, kur zotëruesit e këtyre pronave duan të shesin disa prej tyre, në pamundësi për zhvillimin ose shitjen e tyre me çmime më të larta sesa i kishin blerë para viteve 2008, ku sektori i ndërtimit pësoi një flluskë çmimesh.
Frika se, çmimet e pronave do të bien më tej, ka sjellë një ofertë të madhe për shitje, sidomos të trojeve në zonat urbane – shprehen agjencitë imobilare. Kjo frikë është shtuar nga bllokimi i lejeve të ndërtimit gjatë vitit që shkoi dhe një kontroll më të rreptë nga qeveria e re në ndërtimet e reja. Mirëpo ndërkohë që pasuritë e paluajtshme për shitje janë shtuar, finalizimi i blerjeve këtë vit është vështirësuar nga rritja e tatimeve nga 10 në 15 për qind dhe problemet që pasuritë, sidomos banesat, kanë me hipotekimin.
Agjencitë imobilare e kishin pohuar këtë situatë, teksa parashikuan në fillim të këtij viti se, prisnin volume më të ulëta të shitjeve.
Pas rritjes graduale përgjatë vitit 2014, treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 5.2 pikë përqindje gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2015. Banka e Shqipërisë, gjatë anketimit që ka bërë në bizneset e ndërtimit, konstatoi se rënia e treguesit të besimit u ndikua nga rënia e kërkesës konsumatore dhe për rrjedhojë, edhe nga rënia e prodhimit.
Bizneset kanë pohuar se kërkesa për banesa të reja ka pësuar rënie të mëtejshme më 2015, me më shumë se 17 për qind.
Për pasojë, bashkë me rënien e kërkesës është regjistruar edhe rritje e stokut të ndërtimeve të pa shitura – pohon banka. Për pasojë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim është 57 për qind, 3.6 pikë përqindje më pak se një tremujor më parë.
Bankat tregtare kanë shtrënguar këtë vit standardet si për kredinë për blerje banese, ashtu dhe për kredinë konsumatore, duke e bërë më të vështirë perspektivën e shitjeve gjatë periudhës në vijim.
Po ndryshe nga banesat dhe trojet në zonat urbane, agjencitë imobiliare pohojnë një interes në rritje dhe më shumë transaksione për tokat bujqësore. Ministria e Bujqërisë ka shpallur rreth 20 ankande për dhënien me qira të tokës bujqësore dhe gjithashtu ka përfshirë zhvillimin e bujqësisë nëpërmjet partneritetit publik–privat.

Ndërmarrje të shtetit, në pritje të blerëseve
Me një borxh të lartë për këllqet e ekonomisë shqiptare, qeveria e Shqipërisë nuk e ka luks të mbajë nën sqetullat e saj kompani shtetërore, të cilat që prej një dekade janë në plan për shitje.
Prej vitesh, të gjitha qeveritë, të majta e të djathta, kanë tentuar të shesin disa prej kompanive strategjike, por në rastin më të mirë shitjet janë realizuar dhe më pas kanë dështuar dhe në rastin më të keq, proceset kanë dështuar pa u finalizuar me blerës. Aktualisht janë për shitje, kompania shtetërore e sigurimeve, INSIG, ndërmarrja e nxjerrjes së naftës Albpetrol dhe aksionet e minorancës në kompani të privatizuara tashmë si ARMO dhe Albtelecom.
Shitja e këtyre aseteve, përveçse do të ishte një lehtësim për qeverinë që jo gjithmonë ka aftësinë të mirëmenaxhojë, do të ishte një burim i mirë të ardhurash, që mund të rishpërndaheshin për më shumë investime dhe uljen e borxhit.
Por me gjithë përpjekjet dhe dëshirën e mirë për të shitur asetet, në sfond nuk ka blerës seriozë. Pas dështimit të privatizimit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, (OSHEE) teksa edhe kriza ekonomike ka sjellë hesape të tjera, të shesësh edhe diçka me vlerë është bërë e vështirë.
Në planet e qeverisë për shitje është dhe kompania strategjike e naftës Albpetrol. Në fillim të këtij viti, Ministria e Energjetikës dhe ajo e Ekonomisë kishin planifikuar të nxirrnin për shitje kompaninë pas dështimit që pësoi procesi në vitin 2012. Por burimet brenda kompanisë pohojnë se, përveçse tani nuk është momenti për të shitur një kompani që nxjerr naftë, interesi për të blerë nuk është inkurajues. Tani kur çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka rënë poshtë 60 dollarëve për fuçi, investitorët që merren me kërkimin dhe nxjerrjen e naftës nuk kanë interes të zgjerohen, përkundrazi nuk po shfrytëzojnë në maksimum as burimet aktuale.
Kështu që planet e Shqipërisë për të privatizuar Albpetrol-in nuk ka gjasa të realizohen.
Në fillim të qershorit, Agjencia e Burimeve Natyrore (AKBN) hapi një garë për investitorët e interesuar për të shfrytëzuar vendburimet e naftës në Blloqet 4 dhe 5 në Dumre, Joni 5 në Rodon dhe Bllokun C në Panaja. Si afat i fundit për aplikimet u vu data 25 qershor, por burimet në Ministrinë e Energjetikës pohuan se afatet për të shprehur interesin janë zgjatur.
Burimet nga AKBN pohojnë se, interesimi i kompanive të huaja për kërkime nafte në vend nuk ka qenë në nivelin e pritshëm të qeverisë.
Në një sagë dështimesh dhe pa blerës seriozë është përballur edhe kompania shtetërore e sigurimeve INSIG. Pak kohë më parë, Parlamenti me anë të një ligji të posaçëm, bëri zhvlerësimin e kompanisë si një aset strategjik, teksa lideri i dikurshëm i sigurimeve ka humbur dukshëm pozicionin në treg, duke u renditur e 7 në 10 kompani sigurimesh që janë në treg. Kompania njeh të paktën 5 procese dështimi për shitje, ndërsa me ndryshimet e fundit ligjore pritet të shitet sa për të zhvendosur pronësinë nga shteti te privati, pa pritur ndonjë vlerë të kënaqshme monetare.

Rishtetëzohen kompanitë publike, nuk ka blerës të rinj
Kompanitë ARMO dhe OSHE të privatizuara 6 vite më parë janë përfshirë në procesin e rishtetëzimit, si pasojë e dështimeve në menaxhimin e tyre nga blerësit privatë, teksa në sfond nuk ka blerës të rinj.
Një vit më parë, shteti shqiptar rishtetëzoi kompaninë e shpërndarjes së energjisë, OSHE, të shitur për 112 milionë euro te çekët e CEZ në vitin 2009.
Pavarësisht se CEZ shihet të jetë një nga kompanitë më të mëdha të shpërndarjes dhe prodhimit të energjisë në rajon, madje edhe në Europë, ka dështuar totalisht me administrim e shpërndarjes në Shqipëri.
Në pamundësi për të grumbulluar faturat e energjisë së konsumuar dhe kryerjen e reformave për eficencë në administrim, çekët e CEZ shpallën “falimentin” në dhjetor të vitit 2012, duke mos importuar sasinë e nevojshme të energjisë për konsum.
Qeveria shqiptare reagoi me heqjen e licencës së CEZ, të cilët me ikjen nga Shqipëria krijuan një gropë borxhesh gati 1 miliard lekësh në tregun e energjetikës. Qeveria e re pas zgjedhjeve të qershorit 2013 i zgjidhi mosmarrëveshjet me çekët jashtë arbitrazhit duke u dhënë atyre në këmbim të pronësisë të aseteve 96 milionë euro.
Në strategjinë e rimëkëmbjes së sektorit të energjisë të miratuar pak muaj më parë në Kuvend, plani është që brenda këtij viti të privatizohet administrimi i OSHE-së dhe jo shitja e aseteve. Kjo periudhë e ndërmjetme është parë si provë edhe për privatizimin final të kompanisë, por burimet nga Ministria e Energjetikës pohojnë se, nuk do të ketë privatizim të administrimit, për sa kohë që nuk gjendet një kompani e denjë.
Në pronësi të shtetit, treguesit financiarë të OSHE janë përmirësuar dukshëm, me një rritje të arkëtimeve rreth 40 për qind në fund të 6-mujorit të parë 2015, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por dështimi i CEZ është marketingu më i keq i mundshëm që i është bërë OSHE-së, e cila pas kësaj historie do të ketë shumë të vështirë të rigjejë një investitor serioz.
Në një situatë pak a shumë të ngjashme është edhe kompania e përpunimit të naftës, ARMO. E privatizuar në vitin 2008 nga një koncorcium amerikano–shqiptar, kundrejt 100 milionë eurosh, ARMO pas kalimit në pronësi private vetëm sa ka thelluar bilancin e saj negativ të nisur qysh në pronësinë shtetërore.
Por tani pas gjashtë vitesh, ku pronësia e kompanisë ka ndërruar dy herë, gjiganti i përpunimit të naftës praktikisht ka falimentuar, por ligji që e klasifikon atë si sektor strategjik pengon procesin. Një korrespondencë ndërmjet dikastereve të qeverisë zbardh një plan i cili synon falimentin dhe më pas shtetëzimin e ARMO-s, e cila ka aktualisht 207 milionë USD kredi për të shlyer në bankat dhe 53 milionë USD në tatime.
Nëse bëhet një net off, duke supozuar se, shoqëria me një menaxhim të efektshëm të borxhit është në gjendje të kryejë pagesat e borxheve jo më shumë se 5 për qind në vit. Në këtë situatë nuk mund të gjendet asnjë investitor serioz që mund të blejë kompaninë, ndaj shtetëzimi i saj shihet si një nga opsionet më të mira të planit më të fundit të qeverisë.
Ligji për falimentin ndalon hapjen e procedurave të falimentit në sektorët strategjikë. E vetmja zgjidhje që mbetet është deklasifikimi i industrisë së përpunimit të naftës si sektor, por kjo duhet të bëhet me ligj të posaçëm të miratuar në Kuvend.
Nëse kjo do të mundësohet për të shmangur një pjesë të mirë të detyrimeve mund që shoqëria ARMO të hapë procedurat e falimentit. Duke parë se kreditë e shtetit (taksat dhe tatimet e papaguara kanë përparësi nga detyrimet e tjera, rekomandohet që organet tatimore të regjistrojnë barrë siguruese mbi asetet e ARMO-s, në mënyrë që të sigurojnë radhën e referimit, e cila, në rast të falimentit, do t’i ndihmojnë të vjelin detyrimet e papaguara përpara kreditorëve të tjerë. Kjo do të ndihmonte që çmimi i blerjes së rafinerisë si aktiv të reduktohej në masën e detyrimit që shoqëria ka ndaj organeve fiskale, thuhet në planin për shtetëzimin e kompanisë.
Por duke rishtetëzuar dhe duke trashëguar 160 milionë euro borxhe ndaj privatëve, qeveria jo vetëm do ta ketë të vështirë të rishesë ARMO-n, por edhe të bëjë administrimin e saj efikas.

Transaksionet e aksioneve në rënie me 30 për qind
Rënia e shënuar që pas krizës së vitit 2008 në volumet e shitje-blerjes ndërmjet shoqërive aksionere duket se ka arritur kulmin këtë vit. Burimet në Qendrën e Regjistrimit të Aksioneve pohuan se, në 6-mujorin e parë të 2015 volumi i shitblerjeve të aksioneve ka rënë me gati 30 për qind në krahasim me 6-mujorin paraardhës. Në kushtet kur biznesi dhe ekonomia po funksionojnë nën kapacitetin e prodhimit shihet se, interesi për të shitur është shumë më i lartë se oferta për blerje. Por burimet në QRA pohojnë se, në qendër janë të regjistruara vetëm 100 sh.a. nga rreth 600 të tilla, por tendenca e shitjeve dhe transferimit të aksioneve shihet të jetë në ulje të fortë, sidomos këtë vit.
 
Konsumatorët blerje për ushqime, limitojnë blerjet e luksit
Konsumi në tremujorin e parë të 2015-s u rrit me 4.7 për qind, i fokusuar më shumë tek ushqimet dhe se te mallrat e luksit. Duke raportuar ecurinë e konsumit, INSTAT shpjegon se, ndikimi pozitiv i nëngrupeve në indeksin e volumit të shitjeve në Tregtinë me Pakicë prej 4,7 pikë përqindje, është dhënë përkatësisht nga këto nëngrupe: nëngrupi “Artikuj të përzier, kryesisht ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara” me +3,9 pikë përqindje, duke dhënë në këtë tremujor ndikimin kryesor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë; nëngrupi “Produkte farmaceutike, mjekësore dhe ortopedike, kozmetike, parfume dhe të tjera të higjienës personale” me +1,9 pikë përqindje; nëngrupi “Veshje, këpucë dhe artikuj prej lëkure” me +0,9 pikë përqindje; nëngrupi “Artikuj të tjerë industrialë në njësi tregtare të specializuara të paklasifikuara në grupet e sipërpërmendura” me +0,3 pikë përqindje; nëngrupi “Artikuj të përzier kryesisht joushqimore në njësi tregtare jo të specializuara” me +0,3 pikë përqindjeje; dhe nëngrupi “Libra, gazeta, artikuj shkollorë, produkte të argëtimit, pajisje sportive, lodrat, lojërat dhe të tjera produkte industriale në njësi tregtare të specializuara” me +0,2 pikë përqindje.
Ndikimi negativ në këtë indeks është dhënë përkatësisht nga: nëngrupi “Pajisje të ndryshme elektroshtëpiake, mobiliet dhe pajisje të tjera shtëpiake” -0,9 pikë përqindje; nëngrupi “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara” me -0,8 pikë përqindje; nëngrupi “Ushqime, pije e duhan në njësi tregtare të specializuara” me -0,7 pikë përqindje; dhe nëngrupi “Pajisje kompjuterike, informatike dhe të komunikacionit” me -0,3 pikë përqindje.


Blerina Hoxha
(Monitor)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY