Erjon Veliaj, Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Tiranë nga zgjedhjet e 21 qershor, u betua sot para Këshillit të ri Bashkiak. Ai u prit nga qytetarë të shumtë, si edhe kryetari i këshillit Aldrin Dalipi dhe nënkryetarja Vjollca Braho.
Kryetari i Bashkisë Veliaj u shpreh se do të sjellë një model të ri dhe për këtë kërkon bashkëpunimin me qytetarët.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne, pasi kemi privilegjin t’i shërbejmë me kohë të plotë qytetarëve të Tiranës. Bashkia do të punojë për qytetarët, dhe vetë ata do të jenë bashkëpunëtore me ne. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet sot Tirana. Bashkia është rregullatorë e marrëdhënieve në komunitet, por deri më tani ka qenë jashtë loje, ka dështuar në realizimin e kësaj detyre. Qytetarët shpesh kanë gjetur zgjidhje individuale për problemet e tyre. Nga sot do të ketë një model të ri qeverisës. Ashtu si gjatë fushatës u tregova i drejtpërdrejtë gjatë fushatës, ashtu do jem edhe sot. Tirana nuk do të mund të ndryshojë brenda ditës, por me punë do të ndryshojë ditë pas dite. Kërkoj bashkëpunimin tuaj. Më jepni një dorë të realizojmë ndryshimet që duam. Jam kryetar i bashkisë për çdo qytetar të Tiranës. Kjo ftesë vlen aq më shumë për anëtarët e djathtë të Këshillit Bashkiak, dhe na vjen keq për atë që ndodhi. Gjatë punës tonë nuk do të mungojnë cinikët, s’nuksat, dhe ata që thonë nuk bëhet, por ne do të punojmë së bashku që të sjellim ndryshimin në Tiranë”-tha Erjon Veliaj.
Anëtarët e djathtë të këshillit braktisën sallën në momentin e betimit të Veliaj, duke mos dëgjuar as fjalimin e tij. Ata kërkuan largimin e autoriteteve që janë pjesë pushtetit qëndror duke iu referuar Ministrit Çuçi por sekretari i këshillit u shpreh se kushdo është i mirëpritur të marrë pjesë. Këshilli i bashkisë zgjodhi kryetar të saj, Aldrin Dalipi, të propozuar nga PS me 41 vota pro dhe 19 kundër, ndërsa nënkryetare u zgjodh Vjollca Braho nga PDIU.
Mbledhja e parë e Këshillit të Bashkisë Tiranë u drejtua nga anëtari i saj më i vjetër Njazi Kosovrasti.
“Ju uroj të gjithëve ju për ardhjen si këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Të vihemi në dispozicion të qytetarëve dhe kryetarit të Bashkisë, në mënyrë që të gjithë së bashku të bëjmë atë që vlerësojmë se është më e mira për qytetin tonë. Urimi më i mirë është që të jemi sa me të suksesshëm në këtë detyrë që kemi përpara me veten dhe qytetin tonë”- deklaroi Kosovrasti.
Mbledhja vijoi me betimin e 61 këshilltarëve, 5 më shumë se këshilli i mëparshëm bashkiak. Këshilli përbëhët nga 42 anëtarë të majtë dhe 19 anëtarë të djathtë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/