Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, ka komentuar Raportin e DASH, për trafikimin e qenieve njerëzore. Në një deklaratë të saj, kjo ambasadë, shpreh gatishmërinë e SHBA-ve për të mbështetur përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë në luftën kundër këtij lloj trafiku.
Nga ana tjetër, Ambasada e SHBA-ve, e quan të turpshme që një deputet i parlamentit shqiptar është dënuar për trafikimin e njerëzve.
Deklarata e plotë e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë
“Në vijim të interesimit nga media për Raportin e Departamentit të Shtetit për Trafikimin e Personave për 2015, Ambasada e SHBA dëshiron të vërë në dukje se raporti vlerëson se Qeveria e Shqipërisë bëri përparim të mirë dhe vazhdon të bëjë përpjekje domethënëse për të përmbushur standardet minimale për eliminimin e trafikut. Ne nxisim qeverinë shqiptare t’i vazhdojë ato përpjekje për të luftuar të gjitha format e trafikimit të njerëzve nëpërmjet zbatimit të fortë të ligjit dhe mbrojtjes efikase të viktimave, si dhe me politika për parandalimin e trafikimit. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të punojnë me Shqipërinë për të mbështetur përpjekjet e vazhduara kundër trafikimit të njerëzve.
Në të njëjtën kohë, Ambasada vlerëson si të turpshme që ka një anëtar të parlamentit shqiptar me dënime për trafikimin e njerëzve. Shqiptarët kanë të drejtën të kenë përfaqësues të zgjedhur me integritet dhe standarde të larta etike, jo kriminelë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i kërkojnë të gjitha partive politike që t’i mbajnë individët me të shkuar kriminale larg jetës politike dhe publike të Shqipërisë”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/