DËSHMIA E PLOTË NË PROKURORI/ Saimir Tahiri: Për çështjen “Doshi” jam takuar...

DËSHMIA E PLOTË NË PROKURORI/ Saimir Tahiri: Për çështjen “Doshi” jam takuar dy herë me Durim Bamin, nga rrëfimet e Tomës u binda se kjo histori ishte teatër

257
0
Shares

Saimir Tahiri me cilësinë e ministrit të Brendshëm, dhe që kishte dijeni për çështjen “Doshi” ka dhënë shpjegimet e tij para grupit hetimor.
Në dëshminë e tij, një nga më të gjatat, Tahiri ka shpjeguar me hollësi kronologjinë e ngjarjes, si edhe takimet dhe bisedat që ka pasur me Tom Doshin dhe Durim bamin, gjithmonë në prezencë të personave të tjerë.
Saimir Tahir ka pohuar se e ka takuar dy herë Durim bamin, takime në të cilat sipas tij, fliste Toma dhe aprovonte Durimi.
Duke shfrytëzuar edhe pozicionin e tij, nisur dhe nga shkëmbimi i informacionit me drejtuesit e strukturave të policisë, Saimir Tahiri ka pranuar dhe pohuar se e gjithë kjo histori ishte një teatër, me disa skenarë të mundshëm.
Për këtë ministri ka pohuar se ka vënë në dijeni edhe Kryeministrin.


Dëshmia e Saimir Tahirit
Me vullnetin e tij të lirë shtetasi Saimir Tahiri deklaron se:
“Ne, Adnan Xholi dhe Manjola Kajana, Prokurorë në Prokurorinë pranë  Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në bazë të neneve: 155-160, 304, 312 dhe 315 të Kodit të Procedurës Penale, mbajmë këtë procesverbal për marrjen e të dhënave rrethanat e veprës penale nga shtetasi Saimir Tahiri, i biri i Bashkim-it dhe i Luiza-s, i datëlindjes 30. 10. 1979, banues në Tiranë, me arsim të lartë, me funksion Ministër i Brendshëm i  Republikës së Shqipërisë me shtetësi Shqiptare, i martuar, i padënuar më parë, me numër celulari +355682079524 identifikuar nëpërmjet sistemit TIMS.
Pasi ju shpjeguan nenet 155 deri 160 të Kodit të Procedurës Penale, të cilat bëjnë fjalë për rregullat e dëshmisë dhe iu kërkua që të tregoj gjithçka për rrethanat e veprës penale dhe personit të cilit i atribuohet vepra penale si dhe:  
Pasi u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka nëse bën deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore, duke dhënë shpjegime që i di se janë tërësisht ose pjesërisht të  rreme apo fsheh fakte ose prova, në bazë të nenit 305/a i Kodit Penal, dënohet deri në 1(një) vit burgim:


Pyetje – Përgjigjet
Jeni thirrur sot për të dhënë shpjegime në lidhje me procedimin penal Nr. 63 të vitit 2015, regjistruar kryesisht pranë zyrës sonë për veprën penale “Vrasje të funksionarëve publikë” e mbetur në tentative e parashikuar nga neni 79/a dhe 22 i Kodit Penal, referuar deklarimeve të dhëna nga ana juaj më datë 04. 03. 2015, si dhe nga ana e shtetasit Tom Doshi para mediave audio – vizive dhe në rrjete sociale në datë 02. 03. 2015. A mund të na shpjegoni se cila është dijenia juaj për këtë ngjarje?
Në lidhje me çështjen dua të them se jam njohur më datë 6 Shtator 2014 dhe me sa kujtoj dita e nesërme ka qenë dite pushimi dhe më ka thirrur Kryeministri në rezidencën qeveritare në Durrës. Kryeministri nuk më tha se për çfarë bëhej fjale por kur kam mbërritur në Durrës më tha se bëhej fjalë për një takim me deputetin Tom Doshi. Deri në këtë moment unë nuk kam pasur komunikim me deputetin Tom Doshi, kështu që u desh të bëhej ky takim në prani të kryeministrit. Jam takuar me Tomën dhe Kryeministrin dhe aty deputeti me tha se kishte zbuluar një komplot për vrasjen e tij , dhe se në këtë komplot ishin përfshirë shumë njerëz, ai kishte bërë përçapje në rrugë private dhe kishte zbuluar se ishin shumë njerëz. Sipas deputetit Tom Doshi i erdhi radha të ma thoshte se sipas tij njëri prej këtyre personave që ai kishte gjetur i ishte bere atentat dhe i referohej një ngjarje të ndodhur më date 1 shtator 2014 pranë spitalit Hygeia ku i ishte qëlluar me armë personit që mësova më vonë që quhej Fatjon Skënderi. Sipas deputeti këtij personi i ishte bërë atentat pasi kishte dalë që Toma e kishte mësuar për atentatin (ndaj Tomës). Toma më thotë që do kishte dashur të vazhdonte hetimet private por duke qenë në këto kushte duhej të ndërhynte Ministria e Brendshme dhe shteti. Toma më tha se kishte vrasësin në vilën e tij, vilë që ndodhej pranë rezidencës qeveritare, por që ishte shumë i fiksuar (vrasësi) pasi e para nuk kishte besim , në komplot ishin të përfshirë njerëz të pushtetshëm dhe njëkohësisht kishte problemin e vrasësit me familjarët e tij. Në prani të kryeministrit më thoshte se ishin të përfshirë Sali Berisha dhe Adriatik Llalla. Unë i thashë që kjo çështje duhej të zgjidhej në rrugë ligjore por Toma më tha se nuk mund të bëhej kështu kjo punë pasi ishin të përfshirë Sali Berisha dhe Adriatik Llalla. Unë e kam pyetur Tomën se për ç’arsye ishte i përfshirë Saliu dhe Tik Llalla. Toma më tha se Saliu ishte i përfshirë pasi ndërmjetësi që quhej Toni që unë më vonë mësova që quhej Fatjon Skënderi, ishte ish-shoferi Fatmir Mediut, Agim Rama kunati Sali Berishës, një shtetas tjetër që quhej Ymer Lala të cilin Toma e identifikonte si njeri me potencial kriminal, të githë drejtoheshin nga Agron Kulicaj ndërkohë që Adriatik Llallën e kishin “kapur” në këtë histori nëpërmjet Eugen Beçit. Sipas Tomës, Agron Kulicaj dhe Eugen Beçi rrinin tërë kohën bashkë dhe gjithmonë rrinin tek lokali ku sipas Tomës ishte zhvilluar përpjekja për të organizuar vrasjen dhe Toma kishte material fotografik që e provonte. Toma më thotë që çfarë i kishte thënë Tikut (Adriatik Llalla), ai ja kishte thënë organizatorëve. Toma me këtë logjikë përfshinte edhe Llallën i cili këtë gjë e ka bërë nëpërmjet Eugen Beçit i cili sipas Tomës shërbente si urë lidhëse me organizatorët. Unë këmbëngula që për këtë çështje do bëhej hetim dhe i thashë që ne mund të  gjenim një prokuror që ta marrë përsipër këtë detyrë. Toma më thotë që i kishte bërë  një filmim këtij djalit dhe ja kishte bërë nën kërcënimin e armës në mënyrë që ky djali të justifikohej tek familjarët për deklarimin e bërë në filmim që sipas Tomës ky veprim i këtij djalit ishte për shkak se i vinte turp. Toma më tha që e kishte bërë kështu për shkak se ai djali të kishte si të përballej me organizatorët dhe familjarët e tij. Aty për aty i them që ne mund ta merrnim por procedurialisht nuk shërben të ma japësh mua, prandaj duhet të vij në polici që të bëj një deklarim.
Toma më ka thënë se mezi e kishte zbërthyer vetë këtë djalin që mbante në Durrës, pasi ky person nuk ishte besim se do bëhej një hetim dhe kërkonte që ta takoja unë që ti jepja garanci për mbrojtje dhe mos të kishte pasoja të tjera. Toma më vuri në dijeni se ky person kishte precedent kriminalë. Në këto momente që po flisnim për personin që Toma kishte në shtëpi ishin larguar nga Kryeministri dhe po shkonim për te mjeti im. Toma më tregoi se ky djali kishte merakun e kusureve në të kaluarën dhe donte një lloj garancie se nëse tregonte për këtë ngjarje mos ti llogariteshin ngjarjet e tjera. Unë i thashë se ka një mënyrë, si dëshmitar i mbrojtur, ku nevojitej patjetër prokurori pasi policia nuk e bënte dot vetë dhe se ky status kishte disa garanci dhe lehtësira për një person që tregon ngjarjen kriminalë. Toma më kërkoi me shume insistim qe ta takoja dy minuta vetë personin për të cilin fliste Toma në mënyrë që ti bëja të qartë që ekziston kjo mundësi e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Unë pranova, pasi shtëpia e Tomës ishte disa metra larg dhe tek shtëpia e plazhit të Tomës në prezencë të Tomës erdhi një djalë dhe u ul në kolltuk te dhomës ku ishim. Ambienti ku unë hyra nuk është ai që kam në video. Personi mu prezantua si Duri nga Fushë Kruja dhe duhet të ishte rreth 30 vjeç, i parruar dhe nuk ma krijoi përshtypjen se mund të ishte vrasës. Duri miratonte çfarë i thonte Toma, gjëra të cilat Toma m’i kishte thënë në prani të kryeministrit në lidhje me ngjarjen. Në këtë bisedë nuk u folën detaje. Duri thoshte fjalë “po po po.. “ dhe ishte shumë inaktiv në bisedë. I thashë këtij personit, Durit, që ekziston mundësia që të kishte mbrojtje ligjore dhe se kishte lehtësira për të si person i përfshirë që deklaron dhe tregon element të ngjarjes dhe na vë ne në kushte për të zbardhur këtë ngjarje. Duri nuk pranoi, shihte nga Toma me dyshim, dhe më pyeste “po vëllezërit po kushurinjtë..”  sikur donte më shumë. Unë i thashë që i prisja që në atë moment, ta merrte Toma nëse donte , dhe të vinte në Drejtorinë e Policisë që ti merrej një deklaratë dhe i bëra të qartë që kjo do bëhej vetëm me prokuror, që ti jepja edhe një garanci që për këtë gjë do bëhej një hetim. Takimi me këtë person që m’u prezantua si Duri nga Fushë Kruja ka zgjatur rreth 5 minuta. Duri u largua nga dhoma ku ishim, dhe iku në një dhomë tjetër. Toma më tha se këtë person po e mbante ai pasi ky person kishte frikë se mos e vrisnin dhe se ishte në dyshim se mos u largonte si dhe shkaqe të tjera . Toma më thotë se filmim ja kishte bërë nën kërcënimin e armës dhe në atë moment më tregoi një armë që e mbante në një komedinë, unë e dija që Toma mbante një armë me leje. Toma më shpjegoi se e kishte bërë këtë që vetë djalin ta çlironte nga sikleti me organizatorët dhe të tjerët, në mënyrë që shfajësohej tek ata duke I thënë “më kërcënoi Toma , nuk kisha c’të bëja”. Toma më tha se do fliste njëherë me atë person për të deklaruar por jo në polici se sipas Tomës ky nuk fliste në polici por do e sillte në Ministri, në zyrën time, dhe pasi ta kishte folur më thoshte. Ai donte ta sillte në Ministri që ky person të kishte mbrojtje duke qenë se përfshiheshin persona te tjera, Toma donte që ti jepte atij sa më shumë besim. Unë i bëra të qartë Tomës se do e prisja me drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe oficerë tëp olicisë pasi vetë unë nuk kisha ç’ti bëja. Toma mori përsipër që ta sillte në mbrëmje të po kësaj dite. Mua mu duk i bindur se do e sillte.
Mbaj mend që më vonë Toma më ka thënë se kur e kam pyetur po ti si e more vesh këtë gjë, ai i ka shpjeguar se kur ka qenë m pushime në Mal të Zi e ka telefonuar shtetasi  Mark Frroku (deputet) duke i thënë se do i jepte një lajm urgjent dhe mbaj mend se Toma më ka thënë se Marku ka vajtur atje në Mal të Zi aty ku ndodhej Toma, dhe I ka dhënë lajmin se ndaj tij po organizohej një vrasje.
Jam larguar nga shtëpia e Tomës, me makinën time dhe rrugës kam kontaktuar me drejtorin e përgjithshëm të policisë. Pasdite në zyrën time erdhën Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Cako, Drejtori i Krimeve të Rënda Ben Dashi dhe Ardian Çipa, drejtori i policisë Tiranë. I shpjegova këtyre personave të gjithë historinë dhe i thashë përshtypjen time që kjo histori më dukej teatër për të fshehur ose një ngjarje tjetër kriminale, ndërkohë unë e kisha marrë informacion se kush ishte Durim Bami (Duri). Nga informacionet e marra para këtij takimi, kisha të dhëna se mund të ishte I përfshirë në vrasjen e Santos dhe për një seri ngjarjesh kriminale. I kam thënë zyrtarëve të policisë që ky mund të ishte teatër por duhet të merrnim masa pasi personi I përfshirë dhe të përmendur mund të kishte probleme, pasi siç mu tregua dukej e madhe. I kam kërkuar zyrtarëve të policisë që të bënin verifikime paraprake , pavarësisht nëse personi I quajtur Durim Bami do të paraqitej së bashku me Tom Doshin siç e kishim lënë. Rreth orës 18:00 jam takuar me zyrtarët e policisë dhe pasi I kam bërë shpjegimet e ngjarjes I kam kërkuar të vijonin me verifikimet e tyre, verifikim e ngjarjes të ngjarjes tek Hygeia dhe të shihnin se çfarë rezultatesh kishin nga hetimi. I kërkova të ishin të gatshëm të paraqiteshin në Ministri pasi mund të vinte Tom Doshi dhe Durim Bami. Takimi me to nuk ndodhi, dhe unë nuk I mora pasi unë prisja telefonatën e Tomës, pasi ishte ky personi që do të bindte Durimin të pranonte të paraqitej. Që pasi kam mbaruar me takimin te shtëpia e Tomës , I kam thënë Kryeministrit në telefon që kjo histori e treguar nga Toma më dukej përrallë dhe se ne nuk do ta neglizhonim dhe to kryenim të gjitha veprimet e nevojshme. Në darkë pasi kisha marrë edhe informacion të zgjeruar nga zyrtarët e policisë kam folur me Kryeministrin në telefon dhe I kam thënë që sipas meje kjo histori është e gjitha e pavërteta, kjo ishte përshtypja ime pasi nuk kisha fakte dhe prova. Unë I thashë gjithashtu që kjo bëhej ose se Toma do të jetë në qendër së vëmendjes së Kryeministrit ose për të mbuluar një ngjarje tjetër kriminale që sipas meje ishte diçka që kishte të bënte me Santon ose me vëllanë e deputeti Mark Frroku. Kjo sepse ne kishim problem me dëshmitarin e drejtësisë për çështjen e vëllait të Frrokut, për çështjen e vrasjes së Dritan Lamajt. Kur ja thashë kryeministrit ishte përshtypja ime paraprake dhe e zyrtarëve të policisë me të cilët unë kisha shkëmbyer informacionin. Edhe një skenar I mundshëm ishte që Durim Bami të ishte autori i ngjarjes së datës 01. 09. 2014 në afërsi të spitalit Hygeia dhe nëpërmjet kësaj historie donin ta përjashtonin nga hetimet. Kjo e fundit na u duk një motiv jo i vogël për të bërë gjithë këtë zhurmë të madhe. Besoj , të nesërmen kam informuar kryetarin e kuvendit pasi bëhej fjalë për të prezantuar një rrezik që pretendohej se i kanosej një deputeti, të cilit i kam shpjeguar për farë u vura unë në dijeni dhe ndërkohë kam komunikuar me kryeministrin dhe kam takuar Prokurorin e Përjgithshëm.
Kryetarin e Kuvendit e vura në dijeni për çfarë kisha marrë vesh dhe ai më tha të vepronim sipas ligjit. Meta më tha ta shihnim me vëmendje se nuk i dukej kaq e thjeshtë kjo histori duke më thënë se edhe çështja që kishim diskutuar më parë në lidhje me Dritan Priftin I cili kishte dërguar Ylli Ndroqin tek Meta për ti thënë se kishte marrë vesh që Ilir Meta kishte paguar disa të huaj për ta vrarë. Mua , Meta për këtë më kishte vënë në dijeni menjëherë dhe ta kontaktoja vetë Dritan Priftin dhe ti siguroja mbrojtjen. Unë vura në dijeni Metën që duhej të shkoja tek Prokurori i Përgjithshëm pavarësisht se deputeti Doshi thoshte që edhe ai ishte i përfshirë. Kam takuar Llallën në Prokurorinë e Përgjithshme, në kohë dreke dhe I shpjegova që çfarë isha vënë në dijeni dhe I thashë Llallës se sipas Tom Doshit edhe ai ishte I përfshirë. Llalla më tha që e dinte sepse më tha që këtë ia kishte treguar vetë deputeti Doshi por pa I thënë se edhe ai ishte I përfshirë, por I kishte thënë që Sali Berisha po sajonte një skenar për të vrarë deputetin vetë Tom Doshin. Llalla më tha se nuk e mora seriozisht por I kishte thënë deputetit se jemi gati të bëjmë hetime dhe bashkërisht diskutuam se cilat do të ishin veprimet që duheshin kryer. Llalla ishte dakord se në rast se do të nevojitej mund t’ia jepnin statusin e dëshmitarit të mbrojtur nëse personi do të vinte dhe do të dëshmonte të gjitha rrethanat që dinte ai.
Ndërkohë unë I thashë dhe dyshimet e mija se mund të ishte një gjë e sajuar dhe se po shërbehej për të shmangur një ngjarje tjetër kriminale lidhur me ato që përmenda më lart për Santon dhe Frrokun. I thashë Llallës se për këto dyshime i kisha thënë edhe Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit.
Ramë dakord që do ta vlerësonim hap pas hapi, duke e vënë në dijeni se policia po përpiqej të grumbullonte të dhëna vetë, duke e parë me një këndvështrim tjetër edhe ngjarjen e datës 1 shtator 2014, dhe ramë dakord që çfarë do të na rezultonte do të merrnim. Ndërkohë policia më informonte për veprimet që bëheshin në këtë drejtim në takimet tona të përbashkëta.
Kam pasur takim sërish me Doshin në korridoret e parlamentit, duke I thënë se nuk ma solle më atë zotërinë, e duke I thënë që nëse ai zotëria nuk do të vinte të deklaronte në polici ishte shumë e vështirë të bëheshin hetimet. Z. Doshi vazhdonte me merakun e personit që do të mbrohej.
Një javë pas kësaj kam takuar Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit në qytetin e Durrësit, tek rezidenca dhe pasi kemi biseduar që ti kushtojmë çështjes rëndësi, të vazhdojmë me hetimin, nuk e mbaj mend nëse e kemi thirrur apo ka ardhur vetë aty edhe Tom Doshi. U ul me ne dhe na shprehu shqetësimin se Sali Berisha me Adriatik Llallën po ia bënin këtë, se duhej gjetur një zgjidhje për të hequr Llallën, më kërkonte mua nëse mund të vija në përgjim Llallën ose Eugenin, pra insistimi ishte të hiqej Llalla në mënyrë që dikush tjetër të hetonte çështjen e tij. Në këtë takim u përmend edhe deputeti Mhill Fufi, pasi mbaj mend që Meta e pyeti nëse I kishte thënë Mhillit. Ai I tha jo nuk I kam thënë. Dhe këtë e lidh se më vonë Meta kishte marrë kontakt me Mhillin a me persona të tjerë, për të cilën unë nuk e mbaj mend se si e qysh. Pasi largohet Toma ua them të dyve edhe Metës edhe Ramës që për mua nuk ka asnjë skenar për ta vrarë Tomën, është e gjitha një farsë. Rreziku ishte se mos pas kësaj fshihej një ngjarje më e madhe kriminale. Të dy personat e kishin me merak që të ndiqej procedura e hetimit që duhej për të zbardhur ngjarjen.
Gjatë kësaj kohe policia e kishte shoqëruar Durim Bamin në kuadër të procedimit penal për ngjarjen e datës 01. 09. 2014 dhe ndërkohë që Toma më informoi se kur është qëlluar ky Fatjoni ndër personat e parë që është vënë në dijeni dhe ka shkuar në vendngjarje ka qenë shtetasi Eugen Beçi. Toma vazhdonte të më nxirte si persona përgjegjës ishte Sali Berisha dhe Adriatik Llalla. Rreth datës 14 Shtator 2014 , Toma më informon se personi kishte pranuar të vinte dhe të jepte shpjegime, dhe unë thërras të njëjtët persona zyrtarë të policisë me përjashtim të Haki Cakos, te cilët I kisha thërrit edhe më parë. Natën Toma vjen në Ministri dhe kërkon që personi të mos pyetej në polici, duke insistuar, dhe unë I them se nuk kam mundësi që të jem vetëm unë, pasi duhen oficerë të policisë gjyqësore për procedurë. Toma thotë ikim se nuk donte që kjo të bëhej në prezencë të policisë. Por dëgjoje ti njëherë me Drejtorin e Përgjithshëm dhe ti jepni garancinë e dëshmitarit të mbrojtur dhe më pas të riparaqitej për të ezauruar rrugën procedurale.
Në atë takim Drejtori i Përgjithshëm z. Didi ka mbajtur një bllok me shkrime dore, duke iu shpjeguar se këto do të ishin shënimet tona, pasi gjatë të gjithë kohës ato ishin kundër ndjekjes së rrugës procedurale.
Në takim Toma fliste ndërsa personi Durim Bami pohonte, dhe mbaj mend se këmbëngulte që të ikte  asi kishte nusen për të lindur.
Didi I ka thënë se në një moment do të jetë I detyruar që të bënte deklarim para policisë gjyqësore se përndryshe ne nuk bënim dot gjë në rast se nuk ndiqej rruga ligjore.
Ai Durimi, thoshte se nuk dua unë nga këto gjëra, ndërsa Toma na thoshte neve se duheshin garanci, se çfarë përfitonte personi, se kjo gjë duhej bërë kur të ikte Prokurori I Përgjithshëm. Takimi u mbyll dhe nga ana jonë nuk u konkludua ndonjë gjë. Në këtë takim Toma e pyeti deri në 10 herë, kush është porositësi. Ai thoshte “ lëre lëre”, dhe kur Toma I tha emrin e Ilir Metës, ai u përgjigj “PO”. Ne e pyetëm më shumë se kush e ka vënë në dijeni për këtë që po thoshte, dhe prapë kur Toma përmendi emrin e Fatjonit, personi Durimi e pohoi se po ishte ai që I kishte thënë.
Në këtë bisedë Toma për ta bërë më të besueshme, që ky djali dy tentativa e ka bërë ndaj meje, njëherë me arme dhe njëherë me eksploziv. Toma tregonte që eksplozivi ishte vënë në një motor ku mbahej pizza, dhe ky motor ishte vënë afër makinës, duke treguar dhe arsyet se përse nuk ishte shpërthyer eksplozivi, njëherë sepse motori ishte vendosur keq nga ai që e kishte parkuar, sepse shoferi i Tomës i kishte thënë hiqe motorin se nuk hapet dera. Gjithashtu Toma më ka thënë edhe një version të dytë që vrasësit e kishin falur pasi nuk e kishin shpërthyer eksplozivin me dashje, si dhe një version të tretë që Toma nuk kishte hipur në makinë pasi kishte ikur me disa njerëz të tjerë. Këto versione Toma mi ka thënë në kohë të ndryshme jo atë natë kur u takuam ne Ministri.
Në Ministri, Toma I thoshte Durimit, thuaj për Agron Kulicin, Eugen Beçin, për Fatjon Skënderin për Agim Ramën, për Ymer Lalën dhe versionin që Toma tregon për përfshirjen e këtyre personave dhe që Durimi I pohonte me heshtje, ishte se: Fatjon Skënderaj e kishte thirrur ne shtëpi Durim Bamin, dhe I kishte thënë se duhet të bëjmë një vrasje, dhe se personi që do të vritej do të ishte Tom Doshi. Ai I kishte thënë se për këtë do të paguhej 200.000 Euro, por ndërkohe që paraprakisht Fatjoni I kishte dhënë Durimit 20.000 euro për shpenzime karburant apo të tjera. Durimi kishte shkuar tek lokal “Viva” në bllok, ku në një tavolinë kishte parë shtetasin Eugen Beçi, Agron Kulicin, Agim Ramën, Fatjon Skënderin, dhe se Fatjoni ishte shkëputur dhe ishte ulur veçan me Durimin. Në bisedë Durimi i kishte thënë Fatjonit se kjo punë nuk bëhej me 200.000 Euro, porse ai kërkonte 500.000 Euro. Sipas Durimit Fatjoni ishte konsultuar me Agim Ramën, dhei kishte thënë Durimit që bëj një xhiro dhe hajde pas 10 minutash dhe kur kishte shkuar në pot ë njëjtin lokal Durimi, Fatjoni ishte ngritur edhe njëherë nga tavolina ku ishte me personat e lartpërmendur dhe I kishte thënë Durimit, dakord me 500.000 Euro. Ndërkohë që I kishin thënë se kjo punë ishte me garanci dhe se nuk do ti ndodhte gjë Durimit, pasi ata kishin mbrojtje nga Ilir Meta. Sipas Durimit, Fatjonit këtë gjë ia kishte thënë Agim Rama. Durimi kishte shkuar edhe disa herë të tjera në po të njëjtin lokal dhe kishte gjetur pot ë njëjtët njerëz në këtë lokal që u përmendën më lart, dhe një nga këto herët që ai kishte vajtur atje, atij Fatjoni I kishte thënë se duhej të vriste edhe deputetin Mhill Fufi, kundrejt shumës 100.000 Euro. Madje Toma I thoshte sesi do I ndanit lekët, sa do të merrte ai dhe sa do të merrte Fatjoni, dhe Durimi thoshte se ai vete do të merrte një shumë prej 80-90 mijë Euro ndërsa pjesën tjetër do ta merrte Fatjoni. Këtë gjë e pohoi vetë Durimi para meje. Pra Durimi nënkuptonte se personat ishin konsultuar bashkë, dhe ishin shprehur se ishin dakord me shumën 500.000 Euro.
Ne i kërkuam se ku i kishte gjetur eksplozivin dhe na tha se e kishte përgatitur tek garazhi I Fatjonit, dhe motorin e kishte marrë në Paskuqan. Durimi u angazhua që këto sende ai mund të na I sillte si për të provuar ato që thoshte. Ndërkohë që tentative e dytë kishte qenë kur Toma kishte dalë nga Sheratoni, dhe atë e ndiqnin. Sipas Tomës Durimi e kishte vënë në dijei Tomën se do ta vrisnin, pra kishte hyrë në kontakt me Tomën. Dhe atentatin e dytë ai ia tregonte duke komunikuar me Tomën me mesazhe dhe duke I thënë se po e ndiqte një djalë nga Sheratoni. Toma ma tregoi në këtë formë: Po dilja nga Sheratoni dhe nuk I hipa makinës për të parë se kush po më ndiqte, pasi Durimi e kishte njoftuar se po e ndiqnin. Kam qenë me Mark Frrokun dhe kam ecur në këmbë enkas deri tek Rogneri, dhe në një moment Durimi më dërgon një mesazh telefonik sipas të cilit do ti dilte një djalë me bluzë ngjyrë që nuk e mbaj mend, dhe Toma më konfirmoi se ai djali I kishte dalë para.
Pra sipas Tomës Durimi ishte bindës në atë që thoshte. Toma tregon se kam hipur në makinë, dhe shoferi pasi vuri pedalen tek frenat, nga ndezja e dritave të mbrapme të makinës, kam kthyer kokën mbrapa dhe kam parë po të njëjtin djalë brenda një makinë. Këto gjëra i thoshte Toma dhe Durimi i pohonte para nesh meje dhe Artan Didit.
Theksoj se gjithë ky shpjegim jepej nga Toma, dhe ne e kemi dëgjuar nga Toma, ndërkohë që Durimi pohonte.
Ndërkohë që Drejtori i krimeve të rënda në Drejtorinë e përgjithshme shtetasi Arben Dashi dhe Drejtori i policisë së qarkut Tiranë shtetasi Ardian Cipa, prisnin në zyrën ngjitur në eventualitetin se nëse personi pra Durimi, do të kërkonte mbrojtjen ti nënshtrohej procedures ligjore me të gjithë sa duhej. 
Shtetasi Artan Didi i ka shpjeguar se mund të përfitonte nga statusi i dëshmitarit të mbrojtur dhe se kjo procedurë kishte garancitë e veta, lehtësitë e veta, në të kundërt bëhej shumë e vështirë ecuria e procesit.
Toma ka thënë që ne do ta mendojmë, janë larguar si përfundim duke mos pranuar.
Të nesërmen kam njoftuar Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për të  gjitha sa dëgjova nga Tom Doshi dhe personi i sjellë prej tij i quajtur Durim Bami.
Pas disa kohësh Toma më ka telefonuar dhe më ka thënë që të takoheshim. Pasi më vjen në Zyrë më thotë se kam gjetur privatisht eksplozivin e vendosur tek motori, duke ma treguar me foto nga celulari i tij. I kam thënë aty ku është lëre se do vijë ta marrë policia proceduralisht. Le te mos vinte asnjë njeri, pasi duheshin proceduar me disa veprime, të këqyrej etj. Ai më ka thënë dakord do të them se ku është.
Më vonë më merr në telefon dhe më thotë e kam në makinë në bagazh dhe po ta sjell.
E refuzova i kam thënë nuk ke për të ma sjellë mua dhe nuk e pranoj.

A e keni pyetur se ku ndodhej Toma ndërkohë?
Jo nuk e kam pyetur. I thashë që kjo që po bën është shkatërrim i hetimeve dhe kjo që po bën është pjesë e punës së policisë, pra se duhej të shkonte policia ta merrte provën, eksplozivin. Dhe nuk e pranova të vinte të ma sillte.  Më vonë më la të nënkuptoja se eksplozivin e kishte gjetur në Durrës. Në një ambient në Durrës, a të groposur nuk e mbaj mend. Këtë gjë ma ka thënë në një takim tek Kuvendi.
Pa e takuar ende në kuvend, Toma gjatë një takimi me të më ka thënë se grupi organizator i vrasjeve ka zbuluar se çfarë ka ndodhur, dhe kjo sepse Fatjon Skënderi ishte larguar për në Gjermani. Unë i thashë se nuk ka problem duke e garantuar se mund të bashkëpunojmë me autoritetet gjermane.
Që nga momenti që unë e takova në zyrë bashkë me Durim Bamin, Toma në takimet me të më
thoshte vazhdimisht se ishte Ilir Meta pas kësaj. Dhe unë çdoherë e kam informuar se nuk ne nuk
na rezultonte ekziston një tentative për vrasje.
Unë e kam pyetur se përse do të ketë arsye Ilir Meta, për të të vrarë, dhe ai më ka thënë, sepse ai nuk e harron mbështetjen që unë (Toma) i kam dhënë Dritan Priftit, kur ai nxori videon për Ilir Metën.
Ndërkohë në takimin e parë Toma më kishte thënë se pas kësaj ishte Saliu për shkak të rezultateve të zgjedhjeve. Unë vazhdimisht kam informuar Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit për këtë çështje. Vazhdimisht i kam thënë që kjo më dukej një lojë gjitha. I kam thënë Tomës se nuk më rezultonte asgjëkund nga veprimet e policisë se kishte ndonjë skenar për të vrarë Tomën. Dhe i kam thënë se unë jam i gatshëm ta ndjek këtë rast, në rast se ti do bësh kallëzim apo deklarim, apo Durim Bami të bënte deklarimin e tij, para policisë gjyqësore.

Sa herë ka ardhur gjithsej në Ministri shtetasi Durim Bami? A ka ardhur herë të tjera përveç rastit kur ka ardhur me Tom Doshin dhe në takim kanë qenë prezent edhe Artan Didi?
Unë mbaj mend që e kam marrë veçan Durimin për t”i bërë të ditur atij se në rast se nuk po tregonte të vërtetën apo po luante ndonjë lojë vetëm apo bashkë me Tomës, ai do të mbante përgjegjësi ligjore, gjithashtu në rast se ishte i kërcënuar nga Toma ai duhej të ma thoshte. Nuk e mbaj mend nëse ka ardhur edhe njëherë tjetër apo jo. Por mbaj mend se kam pasur një bisedë vetëm me të dhe me Drejtorin e Policisë së Qarkut Ardian Cipa, kur e kam pyetur personalisht ai më ka thënë se e gjitha kjo “nuk është asgjë”.

A ju ka përmendur Toma nëse ka vënë në dijeni ndonjë përfaqësi të huaj në lidhje me këtë ngjarje?
Po mbaj mend se më ka thënë se ka vënë në dijeni Amerikanët.

Keni ndonjë gjë tjetër për të shtuar?
Jo nuk kam gjë tjetër për të shtuar”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY