Dëshminë e tij në Prokuroi, ka dhënë edhe Ilir Meta, kreu i Kuvendit, i cili sipas Tom Doshit, ka qenë “porositësi” i eliminimit të tij fizik.
Në dëshminë e tij në 6 mars 2013, Ilir Meta ka mohuar që të ketë qenë ai që kishte dashur apo porositur vrasjen e deputetëve Tom Doshi e Mëhill Fufi.
Në rrëfimin e tij, para grupit të prokurove, Ilir Meta ka treguar se si u njoh me ngjarjen që në muajin gusht 2014, ndërsa ishte me pushime.
Kreu i Kuvendit, ka dhënë hollësi të takimeve dhe bisedave jo vetëm më Tom Doshin, por edhe persona të tjerë, të përfshirë ose jo në këtë ngjarje,drejtues apo jo të institucioneve shtetërore.
Në rrëfimin e tij, Ilir Meta bën të ditur se historia ishte e sajuar dhe se Tom Doshi, jo vetëm që nuk ka qenë bindës në ato që thoshte, por herë-herë i ndryshonte edhe versionet.
Dëshmia e Ilir Metës
Me vullnetin e tij të lirë shtetasi Saimir Tahiri deklaron se:
“Ne, Adnan Xholi, Manjola Kajana dhe Përparim Kulluri, Prokurorë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, në prani të oficerit të policisë gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Joni Keta në bazë të neneve: 155-160, 297, 303, 312 dhe 315 të Kodit të Procedurës Penale, mbajmë këtë procesverbal për marrjen e të dhënave që tregojnë rrethanat e veprës penale nga shtetasi Ilir Meta, i biri i Rexhpit-ës dhe i Fiqerete-s, i datëlindjes lindur më 24. 03. 1969 në Skrapar, banues në Tiranë, me arsim të lartë,me funksion Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë me shtetësi Shqiptare, i martuar, i padënuar më parë, me numër celulari +355672040144 identifikuar nëpërmjet sistemit TIMS.
Pasi iu shpjeguan nenet 155 deri 160 të Kodit të Procedurës Penale, të cilat bëjnë fjalë për rregullat e dëshmisë dhe iu kërkua që të tregoj gjithçka për rrethanat e veprës penale dhe personit të cilit i atribuohet vepra penale si dhe:
Pasi u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka nëse bën deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore, duke dhënë shpjegime që i di se janë tërësisht ose pjesërisht të rreme apo fsheh fakte ose prova, në bazë të nenit 305/a i Kodit Penal, dënohet deri në 1(një) vit burgim:
Pyetje – Përgjigjet
Jeni thirrur sot për të dhënë shpjegime në lidhje me procedimin penal Nr. 63 të vitit 2015, regjistruar kryesisht pranë zyrës sonë për veprën penale “Vrasje të funksionarëve publikë” e mbetur në tentativë e parashikuar nga neni 79/a dhe 22 i Kodit Penal, referuar deklarimeve te dhëna nga ana e shtetasit Tom Doshi para mediave audio-vizive dhe në rrjete sociale në datë 02.03.2015. A mund të na jepni shpjegime më të hollësishme rreth deklaratave të bëra prej tij në media dhe rrjete sociale ku përmendet dhe emri juaj, si organizator dhe porositës i kësaj vrasje?
Lidhur me çështjen dua të them, se në fund të muajit Gusht 2014, në Jalë ka ardhur me urgjencë shtetasi Ylli Ndroqi për të më takuar. Ylli më pati thënë në telefon se kishte diçka urgjente. Jam takuar me Yllin dhe ai më tha se , i kishte shkuar Dritan Prifti me të shoqen ne shtëpi dhe i kishte thënë “pse do të më vrasi Iliri, unë i kam mbyllur të gjitha gjërat, pasi unë i kam kërkuar falje”. Unë i thashë që qenka i çmendur ai dhe Ylli më tha se i kishte shkuar një deputet në Vlorë Dritanit, aty ku Dritani ishte me pushime, dhe i kishte thënë “aman mos më nxirr emrin po merr masa se Ilir Meta ka paguar dy kosovarë nga Suedia që të të vrasë”. Unë kur dëgjova këtë, mu duk absurde dhe qesharake, ndërkohë që zoti Ndroqi insistonte që kjo ishte shumë e vërtetë pavarësisht se nuk kishte pranuar të tregonte emrin e deputetit. Ylli më pyeti se si mund ta qetësonim Dritan Priftin pasi ishte rëndë. Unë i thashë ta telefononte me telefonin e tij dhe të më kalonte mua në telefon. Ylli e telefonoi dhe ma kaloi mua telefonin, dhe në telefon i kam thënë Dritan Priftit që çfarë ishin këto karagjozllëqe dhe kush i thoshte këto gjëra, këto janë histori të Saliut dhe Shkëlzenit, se ti e di që në Suedi Shkëlzeni ka lidhje, unë i kam në Danimarkë, këtë të fundit ja thashë me shaka. Dritan Prifti më tha që nuk ishte deputet i Saliut, por ishte deputet i mazhorancës ai që ja kishte thënë këtë gjë. Unë i thashë , për mua rron edhe 1000 vjet por do i them Ministrit të Brendshëm të marri masa dhe po ashtu komuniko me policinë për çfarë shqetësimesh ke. Pasi mbylla telefonatën me Dritanin kam komunikuar me Ministrin e Brendshëm një mesazh në të cilin i tregova ngjarjen që më tha Dritan Prifti në telefon. Më pas me ministrin jam takuar edhe në Tiranë dhe i kam thënë merrni masa për problemin e Dritan Priftit që mos ti ndodhte gjë. Mua Dritani më tha vetëm që ja kishte thënë një deputet i mazhorancës.
Në shtator 2014, nga mesi ose fundi i shtatorit, kam takuar në një nga lokalet e bllokut një të njohurin tim Alban Peza dhe më ka thënë që ishte takuar me Tom Doshin, dhe Albani më shpjegoi se Toma i kishte thënë që kishin dashur të vrisnin njerëz nga PD-ja për t’ia faturuar Ilir Metës. Unë me të dëgjuar këtë, kam telefonuar Tom Doshin dhe numri i tij më ka dalë i fikur, dhe duke qenë se ai rrinte më shpesh me Mark Frrokun unë kam telefonuar Markun dhe e kam pyetur Markun se nga ishte Toma. Marku më tha se Toma ishte me të dhe i kërkova të ma kalonte në telefon. Toma mori telefonin dhe i thashë , kam folur me Albanin dhe më tha që ke pasur probleme , a janë të vërteta këto. Toma mu përgjigj “leje leje se kam shpëtuar mirë por donin të ngatërronin edhe ty”. E lamë me Tomën që tu takonim ditën tjetër paradite te Sheratoni. Jam takuar me Tomën dhe ai më tregoi historinë , që kishte gjetur personin vrasës të paguar i cili ishte i porositur nga një Toni që kishte një lokal në zonën e bllokut pranë shtëpisë sime. Personi i porositur , i kishte treguar Tomës të gjithë historinë se si kishin dashur ta vrisnin dhe me sa kujtoj, Toma më tha, që vrasësi së bashku me Tonin kishin qenë te lokali i Tonit që quhej “Vivas” dhe aty në lokal Toni kishte bërë një bisedë për 200-300 mijë Euro për të vrarë Tom Doshin dhe Mhill Fufin. Nga biseda me Tomën, mbaj mend që vrasësi I kishte thënë Tonit që 200-300 mijë Euro ishin pak, dhe se duheshin 500 mijë për ta kryer atë punë. Toma më shpjegoi, se Toni kur i ishin kërkuar 500 mijë euro, kishte shkuar te një tavolinë tjetër aty në lokal ku ishin Agim Rama, Agron Kuliçaj dhe Eugen Beci dhe nga kjo tavolinë kishte marrë aprovimin për shumën prej 500 mijë euro. Toma më shpjegoi se pas rënies dakord për 500 mijë Euro, vrasësit të porositur i ishin dhënë një shumë parapagesë. Unë e pyeta Tomën se çne Agim Rama me këtë gjë dhe Toma mu përgjigj që ishte Sali Berisha nga pa, pasi aty kishte qenë Eugen Beci, Agron Kulicaj dhe Agim Rama. Toma thoshte që këtë gjë e bënin për arsye politike për hakmarrje për zonën e Shkodrës. Unë e pyeta Tomën se përse donin të vrisnin edhe Fufin, pasi Fufi ishte deputet I PD. Toma më tha se Fufin e kishin futur për ta vrarë pasi donin që të kishin një alibi sikur e kisha bërë unë (Ilir Meta). Pasi më tha këtë , unë e pyeta Tomën se ç’punë kisha me Fufin unë ? Toma më tha, se gjoja për konfliktin për zgjedhje në Laç kur u përplasën Fuft me persona të LSI. Toma më foli për një atentat që i ishte bërë Tonit, dhe se në vendngjarjen kishin qenë Eugen Beci, Ymer Lala e të tjerë. Toma më tha se Toni i kishte shpëtuar atentatit dhe mendonin se kjo goditje i kishte ardhur nga Toma dhe I kishin lindur dyshime (Tonit) që plani I tyre mund të ishte dekonspiruar për të vrarë Tomën. Dekonspirimi I këtij plani, sipas Tomës, mund të kishte ardhur nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, të cilit Toma ja kishte treguar këtë ngjarje në koenfidencë dhe ky i fundit mund tja kishte thënë Eugen Beçit me dashje ose pa dashje , dhe pas kësaj Eugen Beçi tia kishte treguar Tonit. Mua mu duk përrallë kjo që më thoshte Toma por pashë që Toma kishte marrë masa sigurie të shumta , badigard , makinë të blinduar dhe tek ai dalloja një ndjenjë ankthi Toma vetë me tha që kishte rritur masat e sigurisë. Unë nuk e kisha të qartë se cili ishte lokali në bllok për të cilin fliste Toma dhe kam telefonuar Monikën , bashkëshorten, dhe I kam kërkuar të vij tek Sheratoni. I kemi treguar përsëri nga e para historinë Monikës dhe e kam pyetur se kush ishte ky lokal “Viva” pasi nuk e kisha të fiksuar si vendndodhje. Monika më tregoi, se ku ishte lokali , rreth 50 metra larg shtëpisë, dhe mu kujtua që ishte lokali ku kisha parë herë pas here Eugen Beçin dhe Agron Kuliçajn. Monika në tavolinë më tha se Toni ishte kombinatas dhe kishte punuar për Igli Toskën në fushatën e 2005. Me Tomën kemi ndenjur për kafe rreth 1 orë e disa minuta. Më vonë pas këtij takimi, bëmë një verifikim se kush ishte pronar I lokalit “Viva” dhe më rezultoi se ishte pronar një shtetas Ylli Xhaxhollari, I cili kishte një lidhje me shtetasin Agim Rama. Nga verifikimet e mia, dilnin disa mospërputhje midis gjërave që thonte Toma. Unë Tomën në prani të kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm e kam pyetur nëse I kishte thënë Mhill Fufit për këtë plan që donin ta vrisnin, por ai më tha që nuk I kishte thënë gjë Mhillit por i kishte treguar vetëm Tonit vëllait të Mhillit. Unë Tonin (vëllai Mhill Fufit) e njihja përmes një miku të përbashkët, ish prefekti I Fierit Bujar Hasa, dhe për të bërë një akt njerëzor komunikimi dhe për të parë se ç’variant I kishte thënë Toma atij, jam takuar me vëllain e Mhillit, Tonin, nëpërmjet Bujar Hasës. Në takimin me Tonin , të bërë në zyrën e Bujar Hasës në zonën e ish bllokut, I them që kisha ardhur ta takoja pasi siç të ka thënë dhe Toma është ky problem (plani e vrasjes) ku unë I kam thënë edhe Ministrit të Brendshëm për ti marrë në mbrojtje , I thashë që mund të thërrisja edhe Mhillin. Unë e pyeta se si e shpjegonte këtë gjë, dhe Toni më tha se ai nuk dinte asgjë dhe se nuk kishte folur fare me Tomën këto kohë. Kur unë I tregova ngjarjen sipas Tomës Toni më tha se s’kishin pse të kishin problem me ata njerëz ( Agim Rama, Agron Kulicaj) pasi janë njerëzit tanë. Unë i thashë që të bënin kujdes, pasi Toma më pati, thënë që Mhilli ishte e lehtë ta vrisje pasi ikte vetëm në shtëpi dhe natën sipas vrasësit.
Unë jam takuar edhe njëherë me Tonin (Fufin) pas rreth dy javësh tek zyra e Bujar Hasës dhe ai më tha që kishte folur me Tomën dhe I kishte thënë që mos ti ngatërronin me këto histori dhe mos na hap punë me njerëz. Këtu kuptova që Toma gënjente pasi kishte gjëra që nuk përputheshin.
Ministri I Brendshëm, gjatë verifikimeve që kishte bërë kishte dyshime pasi kishte mospërputhje. Përmendja e vazhdueshme e kryeprokurorit dhe sidomos e Eugen Beçit dhe përfshirja ime në këtë histori synonte që unë të mbështesja iniciativat kundër prokurorit e Përgjithshëm dhe sidomos kundër prokurorit të Krimeve të Rënda. Toma më ka kërkuar që të thërrisja Prokurorin e Përgjithshëm dhe ta regjistroja për të parë versionin që më thoshte prokurori I Përgjithshëm. Toma kërkonte të bënte gjëra kundër Prokurorit të Përgjithshëm dhe sidomos kundër Eugen Beçit si njeri që ishte i Kulicajt dhe i Berishës sipas Tomës.
Pas këtyre verifikimeve , si me vëllanë e Fufin dhe të tjera, fillova t’u distancoja nga Toma.
Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe , përveç takimeve veç e veç me Prokurorin e Përgjithshëm dhe
Ministrin e Brendshëm , ka qenë i pranishëm me mua edhe z. Spartak Braho si Kryetar i komisionit të sigurisë.
Toma më ka kërkuar që të bënim edhe një takim në rezidencën qeveritare në Durrës me Ministrin e Brendshëm , dhe Kryeministrin. Unë pas takimit me Tomën, jam takuar me kryeministrin, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Ministrin e Brendshëm. Ministri i Brendshëm në takimin që pata, thoshte që personi duhej të bashkëpunonte me policinë .
Kur jeni takuar dhe komunikuar për herë të fundit me deputetin Tom Doshi, për çfarë arsyeje, çfarë keni biseduar me të?
Unë për herë të fundit me deputetin Tom Doshi jam takuar para vitit të ri në Kuvend tek seancat plenare. Unë fillova të distancohem se më tha se ky Toni ka bërë fushatë për bashkëshorten time Monikën në fushatën e vitit 2013. E marr Monikën në telefon dhe më konfirmon se nuk është aspak e vërtetë, nuk qëndron një pretendim i tillë. I them Tomës e kush ta tha një gjë të tillë, ai ëmë tha lere, lere, më vonë, unë duke parë se ai kishte dëshirë të bënte interesantin në këtë histori në raport me mua, më thotë për të vajtur dhe të takohemi me të në Sheraton. Për të mbajtur një qëndrim institucional i them eja të takohemi të zyra ime. Nga ai moment nuk kemi pasur asnjë komunikim në celular apo drejtpërdrejt.
A keni pasur ndonjë konflikt, debat, pakënaqësi, apo interes me deputetin Tom Doshi. Nëse po, çfarë lloj konflikti, në çfarë periudhe ka filluar ky konflikt dhe a keni urdhëruar, organizuar apo paguar ndonjë person për eliminimin e tij?
Unë nuk kam pasur asnjë lloj konflikti apo debati personal me të, përveç atyre politike.
A i njihni shtetasit Fatjon (Toni) Skënderaj “Toni i Kombinatit”, Rezi Skënderaj, Imer Lala, Eugen Beci, Agim Rama, Agron Kulicaj, Durim Bami, nëse po cilët prej tyre, në çfarë rrethanash, në çfarë periudhe jeni takuar gjatë vitit 2014?
Nga këto persona për shkak të detyrës njoh Agron Kulicaj dhe kam vite që nuk jam takuar. Agim Ramën e njoh si emër por mund ta njoh si fytyrë por nuk lidh dot emrin me fytyrën. E njoh nga larg si njeri shumë korrekt. Ymer Lalën e njoh si emër dhe si person por mund të kem mbi dy vjet që nuk e kam parë apo takuar. Nuk e kam fare idenë se kush është Fatjon Skënderi apo Toni, po kështu dhe Durim Bamin. Eugen Becin e njoh nga larg por nuk kam ndonjë njohje të veçantë. Kam për të thënë se unë asnjëherë nuk jam takuar bashkë apo që të jenë dy prej tyre bashkë me mua.
A keni qenë për drekë gjatë muajit korrik 2014 me deputetët Mark Frroku, Tom Doshi, Armando Prenga, Parid Cara, Pjerin Ndreu dhe Nasip Naço?
Kam për të thënë se unë kam vajtur në lokal “Il Gusto” që të votonin pasi nuk bëheshin votat për ligjin e Gjykatës së Lartë.
A e keni vënë në dijeni Tomën se pasi keni kontaktuar me vëllanë e Mhill Fufit Tonin, që ai nuk ishte në dijeni për çka Toma ju kishte thënë paraprakisht?
Po i kam thënë, kam vënë në dijeni edhe Kryeministrin edhe Ministrin e Brendshëm që ato çka thoshte Toma ishin të pabesueshme pasi nuk përputheshin.
A ju ka thënë Tom Doshi se kush e kishte vënë në dijeni për vrasjen e tij?
Ai kishte bërë disa verifikime por nuk më kujtohet me detaje kjo gjë.
Thatë që kishit vënë në dijeni Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm për sa ju tha Toma . A keni bërë verifikime institucionalisht për këtë gjë?
Po unë kam marrë në takim me Ministrin e Brendshëm në prani të Spartak Brahos , dhe nga sa jam informuar janë bërë veprime nga Ministria e Brendshme por ka qenë e pamundur të merren të dhëna pasi personi nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me policinë dhe nuk kishte dhënë të dhëna të rëndësishme.
Dua të shtoj se Toma ma ka thënë që në Shtator 2014, se posedonte një video me personin që dyshonte se do bënte vrasjen, ku në video personi i tregonte rreth ngjarjes dhe elemente të përgatitjes së ngjarjes”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/