Nga xhamia në Penzberg të Munchenit u bë për herë ta parë transmetimi i faljes së namazit të Bajramit të Madh. Televizioni publik gjerman dhe radioja lokale Bayerischen Rundfunk e kanë bërë një emision special 2-orësh që do t’i kushtohet festës më të madhe të myslimanëve.
Imami që e udhëhoqi ceremoninë është një shqiptar – Benjamin Idrizi nga Shkupi i Maqedonisë, raporton KTV. Ai i ka thënë Al-Jazeeras se veprimi është historik.
“Në ligjëratën time, unë do t’ju jap mesazh si myslimanëve ashtu edhe jo myslimanëve në Gjermani. Do të flas për vlerat tona të përbashkëta, dhe do t’i bëj thirrje shoqërisë gjermane që të hapet ndaj myslimanëve dhe të vizitojë xhamitë tona, por do të ftoj edhe myslimanët që të hapen ndaj shoqërisë gjermane”, ka thënë Idrizi, duke shtuar se paraqitja në skenë e ISIS-it ka shtuar presion psikologjik tek myslimanët kudo në botë.
Imami shqiptar beson se transmetimi direkt i faljes së Bajramit do t’i ndihmojë myslimanët që të ndihen më të mirëpritur në shoqërinë gjermane.
Ky hapi i transmetuesit publik gjerman vjen dy javë pasi që kancelarja Merkel mori pjesë në një iftar për herë të parë si kancelare dhe tha se Islami ishte pjesë e shoqërisë gjermane. Së paku njëmijë besimtarë nga pjesë të ndryshme të Gjermanisë pritet të marrin pjesë në lutjet e së premtes në qytetin e vogël bavaraz, Penzberg.
Xhamia e ndërtuar në vitin 2005 ka kapacitet për 300 deri në 400 besimtarë, por dhoma shtesë do të krijohen për të gjithë të interesuarit. Besohet së në Gjermani jetojnë së paku 4 milionë myslimanë, përcjell koha.net. Imami shqiptar Idrizi ka thënë se në lutjen e së premtes do t’i bëjë thirrje shoqërisë gjermane që të pranojë refugjatët që po vijnë atje masivisht.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/