INTERVISTA/ Martin Schulz: PE po bën presion për dekriminalizimin

INTERVISTA/ Martin Schulz: PE po bën presion për dekriminalizimin

49
0
Shares

Parlamenti Europian ka qenë negociator për ngritjen e komisionit për dekriminalizimin e Parlamentit dhe të administratës civile, deri tani nuk ka pasur rezultate. Apo po ushtroni presion që ky proces të ketë rezultate?
Kam diskutuar me të gjithë bashkëbiseduesit e mi. Ky është një problem që ka krijuar tensione. Përgjigja është PO, ne po bëjmë presion për zgjidhjen e problemeve. Ka akuza nga të dy palët dhe ne nuk jemi në pozicionin për të gjykuar kush ka të drejtë dhe kush jo. Megjithatë ne në Bruksel po i shikojmë me shume vëmendje këto akuza.

A do të jetë Shqipëria gati për hapjen e negociatave në vjeshtë?
Po shohim progresin. Në Parlamentin Europian ka një opinion të mirë të pjesës më të madhe të anëtarëve, veçanërisht për hapat e fundit që vendi ka bërë për të kontribuar në stabilizimin e rajonit. Takimi i Ramës në Beograd apo vizita e Vuçiçit në Tiranë janë sinjale shpresëdhënëse. Ka edhe një element të dytë. BE ka një marrëdhënie të vështirë me Federatën Ruse. Ne kemi pasur shumë mbështetje nga Shqipëria në linjën e përbashkët. Kjo ka qenë shumë e vlerësuar jo vetëm në Bruksel por edhe në kryeqytetet e vendeve anëtare.

Si do ta ndihmojë PE Shqipërinë për përshpejtimin e arritjes së objektivave europiane?
Ne s’mund të përshpejtojmë gjërat që duhet të ndodhin në vend. Por mund të mbështesim reformat, atë në drejtësi si një element kyç jo vetëm për hyrjen në BE, por edhe me rëndësi të madhe ekonomike. Ajo çka një vend ka nevojë, janë investimet e huaja, në infrastrukturë, në arsim, në ndërtim, në fushë kërkimore, në tregti dhe në porte. Në Shqipëri keni një sistem drejtësie jo të besueshëm, drejtësia nuk është e lirë dhe e pavarur dhe jo e arsimuar mirë. Investitorët nuk vijnë pasi zhvillimi ekonomik është i lidhur ngushtë me reformën në drejtësi.

Duke folur për reformën në drejtësi: Një ditë më parë Kryeministri Rama tha se kemi dy mundësi se ose ta bëjmë ose ta bëjmë reformën në drejtësi. A vlen një reformë e bërë vetëm nga njëra palë?
Ky është një objektiv kombëtar dhe detyrim. Unë mund të jap vetëm këshilla që palët të bashkëpunojnë. Takova qeverinë dhe opozitën dhe u thashë të njëjtat gjëra të dyja palëve që të ecin përpara me reformat. Takova pak më parë edhe Ambasadorët e BE dhe të gjithë ramë dakord mbi këtë çështje. Ne të gjithë presim hapa gjigantë në reformën në drejtësi.

A është klasa politike shqiptare e pjekur për të hyrë në Europë?
Nuk dua të bëj komente mbi politikanët shqiptarë. I njoh mirë ata prej shumë kohësh. Nuk do ta harroj kurrë mbrëmjen që kalova me disa nga kolegët e mi të PE me Sali Berishën në atë kohë kryeministër dhe Edi Ramën për t’i bashkuar këta të dy. Mund të them që ne do të mbështesim çdo politikan që është në rrugën e duhur që të çon në Bashkimin Europian.

Sa shqetësues është fakti i azilkërkuesve shqiptarë në shtetet e BE?
Njerëzit që kërkojnë azil politik duhet të justifikojnë që janë refugjatë politikë, që ndaj tyre ushtrohet presion politik. Unë nuk shoh që demokracia në Shqipëri nuk është e lirë. Ka shumë punë për të bërë megjithatë unë skam parë presion apo shtypje politike këtu në Shqipëri.

(TV Klan)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY