ANALIZA/ Kriza greke mbërrin te pragu, bizneset e Jugut fillojnë ta ndiejnë...

ANALIZA/ Kriza greke mbërrin te pragu, bizneset e Jugut fillojnë ta ndiejnë të parat

72
0
Shares

Në sfond të makthit grek që ka kapluar të gjithë botën, Shqipëria e Jugut, përkatësisht rajonet e Korçës dhe Gjirokastrës, po vuajnë pasojat e para. Rreth 60 biznese fasoni që punojnë në këto qytete kanë bllokuar eksportin, ndërsa për disa të tjera nuk janë bërë pagesat nga partnerët grekë. Bilanci i ndikimit grek nga bankat deri te punësimi. Por, ka dhe përfitime

Përtej përpjekjeve deri në pamundësi për të zbehur efektin e vërtetë që kriza greke pritet të japë në ekonominë shqiptare, në rajonet e Gjirokastrës, Korçës, dhe në përgjithësi në të gjithë Shqipërinë e Jugut, bizneset janë vënë para bllokadës reale për ekzistencë.
Pasojat e para kanë rënë mbi kompanitë shqiptare të eksportit që kanë destinacion Greqinë. Behët fjalë për dhjetëra biznese fasoni në tekstil dhe këpucë që prodhojnë për llogari të partnerëve grekë dhe prej ditësh janë vënë në vështirësi për marrjen e pagesave.
Figalo Caro, administratore e kompanisë së prodhimit të veshjeve, “Caro”, në Gjirokastër me destinacion Greqinë, u shpreh e tronditur, kur tha se, partnerët e saj grekë nuk kanë mundur të kryejnë pagesat e programuara më datën 1 të këtij muaji. Ajo pohoi se, situata është mjaft e rëndë dhe për më tepër asgjë nuk është e parashikueshme. Duke bërë thirrje për mbështetje nga ana e qeverisë shqiptare, Caro pohoi se, kompani të tjera fasoni në rajonin e Gjirokastrës, që ishin në partneritet me disa institucione që kanë lidhje me qeverinë greke, janë në situatë edhe më të rëndë. Nuk po bëhen pagesat dhe puna po vijon sa për të mos rënduar gjendjen psikologjike të punonjësve.
Pak a shumë, të njëjtën situatë pohoi edhe kompania tjetër “Kozi fason”, kur tha se, se për momentin aktiviteti nuk është cenuar por siguria nuk mund të jepet as për javën tjetër. I alarmuar është edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë së Gjirokastrës, Maksim Hoxha, i cili pohoi se, qyteti jugor është më i ekspozuari ndaj krizës greke, pasi gjysma e bizneseve janë të lidhura me import ose eksport me Greqinë.

Edhe në Korçë “bllokohet” eksporti
Shumica e 40 bizneseve të fasonit në rajonin e Korçës pohuan se, puna ende vazhdon, porse eksporti është bllokuar. Emiljano Cukali, administrator i “Cukali Tre”, kompani fasoni për prodhimin e veshjeve për porositësit grekë, tha se po kalon një situatë të vështirë. Prodhimi vazhdon, tha ai, pasi ka ende rezerva të lëndës së parë, por perspektiva është shumë e paqartë. Ai tha se, për momentin nuk është duke e eksportuar prodhimin, për arsye të pagesave të bllokuara. Në situatë të ngjashme janë edhe bizneset e tjera të fasonit në Korçë, të cilat kanë bllokuar eksportin këto ditë. Por më e keqja është se edhe perspektiva nuk ofron zgjidhje.
Në të gjitha rastet e zhvillimit të ngjarjeve në Greqi, bizneset fasone që punojnë me vendin fqinjë, janë të humbura.
Cukali tha se, nëse rikthehet dhrahmia, situata do të ishte fatale. Zhvlerësimi që do të vinte për shkak të kursit të këmbimit do të rrënonte fitimet e kompanive shqiptare të eksportit, por edhe qëndrimi i Greqisë në euro duket se nuk do të sjellë një zgjidhje. Cukali tha se, nëse Greqia do t’i nënshtrohet planit të shpëtimit, tregu i punës do të bjerë dhe bizneset greke nuk do të kenë leverdi të punojnë jashtë vendit të tyre. Ai gjithashtu sheh pak mundësi për të punuar me vende të tjera, pasi Italia nuk është e interesuar për rajonet e Jugut ndërsa biznesi i qytetit juglindor nuk është i përgatitur të dalë në treg në mënyrë të pavarur.

Eksporti, rrezikohen 62 milionë euro
Totali i eksporteve me Greqinë në fund të vitit 2014 arriti në 8.8 miliardë, duke zënë 3.5 % të totalit. Megjithëse vlera e eksporteve shihet të jetë modeste, e krahasuar me shkallën kombëtare të tregtisë së jashtme, rreziku i shuarjes së tyre do të jetë me pasoja zinxhir në qytetet e jugut, duke vënë para dilemës për ekzistencë bizneset që kanë lidhje me Greqinë. Më pas, pasojat e tjera do të përçohen në rënien e punësimit, të ardhurave për buxhetin dhe në rritjen ekonomike në tërësi.
Totali i eksporteve gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti arritën në 3.8 miliardë lekë në nivele të ngjashme me një vit më parë.
Veshjet dhe artikujt për veshjet zunë 40 % të eksporteve shqiptare në Greqi që këtë vit kanë pësuar një rritje të fortë me gati 50 %, krahasuar me një vit më parë. Në totalin e eksportit të veshjeve dhe këpucëve, ato me Greqinë zënë 13 %. Me këto zhvillime, industria e fasonit në vend, promotori kryesor i rritjes së eksporteve vitet e fundit, duket se po futet në ciklin e mbijetesës, për shkak të klimës së brendshme të përkeqësuar nga rritja e taksave dhe kushteve jo të favorshme që ofrojnë partnerët tregtarë, Italia dhe Greqia.
Nëse Greqia i rikthehet dhrahmisë, bizneset shqiptare të eksportit do të gjendeshin para uljes drastike të fitimeve që mund të vijnë nga zhvlerësimi i monedhës atje.
Për më tepër, kompanitë pohojnë se, nuk kanë plane rezervë dhe se janë totalisht në varësi të zhvillimeve në Greqi duke shpresuar në qëndrimin e vendit fqinjë në euro.
Por revolucion në eksportet drejt Greqisë këtë vit duket se kanë bërë lëndët djegëse dhe mineralet me një rritje 266 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, disa artikuj të tjerë kanë pësuar rënie të fortë. Eksporti i frutave dhe zarzavateve të përpunuara ka pësuar ulje me 35 %. Produktet e letrës kanë pësuar ulje me 15 %, por uljen më të fortë e pësoi duhani, me rreth 63 % më pak se një vit më parë.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Korçës, Nexhmi Tora, tha se numri i bizneseve që eksportojnë në Greqi ka rënë ndjeshëm. Që në vitin 2008, kur kriza në Greqi pati shpërthimin më të fortë, rreth 50 biznese të fasonit në rajonet e Jugut u mbyllën, ndërsa pjesa tjetër me aksionerë shqiptarë që kishin treg Greqinë gjetën ortakë të rinj jashtë Greqisë.
Tora pohoi se dy kompanitë e mëdha të fasonit që eksportonin në Greqi, “Spaniel” dhe “International Konfeksion” që kur qeveria e Tsipras-it erdhi në pushtet kanë gjetur furnitorë të rinj dhe kanë punuar në drejtim të sigurimit të biznesit, pasi në njëfarë mënyre, gjithçka ka qenë e pritshme.

Bizneset importuese te pragu i krizës
Siç pohojnë dhomat e tregtisë në Korçë dhe Gjirokastër, bizneset në Greqi edhe këto ditë që bankat kanë mbajtur sportelet të mbyllura e kanë vijuar normalisht punën me transfertat, duke aktivizuar llogaritë që kanë në bankat jashtë Greqisë. Kështu që pushimi i bankave nuk është se ka ndikuar këto ditë në aktivitetin e bizneseve të mëdha që importojnë nga Greqia.
Tregtia ka vijuar normalisht. Hoxha tha se, zhdoganimet e kamionëve me mallra kanë vijuar gjatë gjithë këtyre ditëve. Pavarësisht se, nën stres bizneset që importojnë nga Greqia pohojnë se, partnerët e tyre janë korporata të qëndrueshme dhe që e kanë siguruar aktivitetin e tyre. Menaxherët e “Harilena”, një kompani e madhe në importin e ushqimeve dhe pijeve nga Greqia pohuan se, furnitorët në Greqi janë të siguruar nga “Euler Hermes”, i cili i siguron stabilitet financiar në kompanitë e tyre. Por skepticizmi qëndron në faktin e ndryshimit të monedhës së tranzicionit që do të krijojë kjo në tregti. Në të njëjtën linjë pak a shumë ishin edhe menaxherët e kompanisë “Elka”, të cilët kanë pohuar se kriza greke ende nuk i ka dhënë pasojat në biznesin e importit të produkteve nga Greqia. Burimet nga kompania pohojnë se gjithçka varet nga ecuria e zhvillimeve në Greqi dhe nuk kanë formuluar skenarë se si do të veprohet në rast se Greqia del nga euro. Kompanitë janë në pritje të një zgjidhjeje pozitive, në të kundërt asgjë nuk është parashikueshme.
Por disa kompani, që janë në marrëdhënie tregtare importi gati 20-vjeçar me Greqinë, pohojnë se rikthimi te dhrahmia do të sjellë përfitime për ta. Zhvlerësimi i monedhës së re greke pritet të bëjë më të lira importet e për rrjedhojë, të sjellë më shumë fitime për kompanitë që blejnë mallra në Greqi. Rrjedhimisht importuesit shqiptarë, edhe me skenarin më të keq, nuk është se do të jenë në krahun e humbësve.

Harilena: Partnerët tanë janë të siguruar
Është fakt që kompanitë e zotëruara nga shteti si dhe kompanitë private që për të ardhurat e tyre varen nga shteti grek, kanë pasur probleme të mëdha me cash floë-n. Por ky nuk është rasti i kompanive me të cilat ne bashkëpunojmë apo edhe shumë korporatave të tjera greke, pohoi menaxherja e përgjithshme e shitjeve në “Harilena”, Alba Pasha.
Menaxherja e kompanisë që merret kryesisht me importin e ushqimeve dhe pijeve nga Greqia tha se kriza në Greqi ka disa vite ndërsa marrëdhëniet tona tregtare janë më të vjetra se aq. “Ne si kompani, që importojmë nga shteti grek, nuk kemi hasur probleme këto ditë në importet që kemi bërë dhe nuk besoj se do të kemi. Kompanitë nga të cilat ne importojmë janë shumë të mëdha, ku pjesa dërrmuese e aktivitetit të tyre është bazuar në eksport dhe pavarësisht luhatjeve që mund të kenë në tregun grek, ndikimi në to mund të themi që është shpërfillës”, shtoi ajo.
Pasha tha se, furnitorët e “Harilena” në Greqi janë të siguruar nga “Euler Hermes”, i cili i siguron stabilitet financiar në kompanitë e tyre. Ajo pohoi se furnitorët e tyre nuk janë të ekspozuar ndaj mungesës së likuiditetit.
“I vetmi ndryshim që kemi vënë re këto ditë ka të bëjë me pagesat. Bankat janë të mbyllura, ndërkohë që ne vazhdojmë që të importojmë. Zgjidhja që këto kompani i kanë dhënë këtij ngërçi është vënia në dispozicion të llogarive bankare jashtë Greqisë, kryesisht në vende si Belgjika apo Zvicra. Përsëri ky ndryshim nuk është se na ka hapur ndonjë problem apo të na pengojë në punën tone”, pohoi ajo.
E vetmja çështje që po bën skeptikë menaxherët e “Harilena” është fakti nëse ndryshohet monedha e tyre.
“Megjithatë ky proces është shumë delikat dhe kërkon kohën e vet për t’u finalizuar. E vetmja gjë që na ngelet është të shpresojmë që situata do të marrë kthesë pozitive”, shtoi më tej ajo.

Bie pesha e Greqisë në volumin tregtar
Para se të shpërthente bujshëm kriza në Greqi, në 2010-n, gati 10 % e volumit tregtar, Shqipëria e kishte me shtetin fqinjë. Teksa bizneset filluan të diversifikonin burimet e eksportit dhe importit, përtej fqinjit që sa vinte e sëmurej, kjo peshë u ul vazhdimisht, për të zbritur në 6.4 % në fund të 2014-s. Kriza e 2015-s pritet t’i japë një tjetër goditje marrëdhënieve tregtare mes dy shteteve, që kanë një histori të trazuar.

Qytetet e jugut, kontribut në 14 % të PBB-së
Tre qarqet që kanë lidhje më shumë me Greqinë, Gjirokastra, Korça, Vlora (te kjo e fundit, kryesisht Saranda) kontribuojnë së bashku në rreth 14 % të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit (PBB), sipas të dhënave të PBB-së rajonale të INSTAT.
Në dy qarqet me më shumë lidhje, Gjirokasta dhe Korça ndodhen 12 % të të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor në vend.
Gjirokastra renditet ndër pesë qarqet me të ardhura më të larta për frymë, e ndihmuar pikërisht nga afërsia me Greqinë dhe lidhjet e forta tregtare me të.

Pushime më të lira në Greqi, por dhe fluks turistësh në Shqipëri
Hotelet në Greqi raportojnë për ulje çmimesh, me synim tërheqjen e turistëve të rinj, pasi shumë prej tyre kanë anuluar prenotimet në ishujt e plazhet greke, për shkak të pasigurisë së pagesave me monedhën euro.
Me grekët që janë të uritur për cash, ky është një moment i mirë për të blerë me para në dorë mallra konsumi, apo mobilie, ndoshta dhe shtëpi në zonat turistike, që do të ishin një investim afatgjatë dhe i qëndrueshëm. Reuters raportoi së fundmi se disa biznese në jug të vendit po blinin traktorë të përdorur në Greqi, me çmime të lira.
Në kahun tjetër, Shqipëria mund të përfitojë nga një pjesë e fluksit të turistëve, sidomos atyre në rajon, që do të anulojnë pushimet e tyre në shtetin e trazuar grek. Disa vjet më parë, kur Maqedonia dhe Greqia ishin në konflikt për emrin, Shqipëria pa një rritje të ndjeshmë të pushuesve maqedonas.

Bankat me kapital grek, bien pesha në 15 % të totalit të aktiveve
Ndërsa deri në vitin 2008, bankat me kapital grek ishin në pararojë të sistemit, duke rritur me shpejtësi pozicionimin në tregun shqiptar, sidomos në kredidhënie, pas kësaj periudhe roli i tyre u zbeh ndjeshëm. Kriza financiare dhe më pas ajo greke, që e detyroi shtetin helen të nënshkruante një marrëveshje shpëtimi me trojkën e BE-FMN- ECB, bëri që dhe bijat e tyre në Shqipëri të fillonin “tërheqjen”. Sot pesha e tyre ka zbtirut nga 28 % të aktiveve në 17 % në fudn të 2014 dhe 15 % aktualisht, sipas Bankës së Shqipërisë.

Bankat me kapital grek kalojnë testin e javës së parë
Ndonëse institucionet shqiptare garantuan se sistemi bankar shqiptar është i mbrojtur nga kriza e fqinjit, kjo duket se nuk ka mjaftuar për depozituesit. Mësohet se bankat me kapital grek kanë pasur dy javët e fundit një terheqje të depozitave më të lartë sesa normalja, ndërkohë që Banka e Shqipërisë ka qenë gjithë kohën në gatishmëri për t’i furnizuar me likuiditet, nëse do të ishte e nevojshme. Gjithsesi, situata u përmirësua ditët e fundit.
Gjithsesi, filialet e tyre në Shqipëri, në bazë të legjislacionit, janë subjekte më vete, që mbyllin bilance më vete dhe nuk kanë lidhje me mëmat. Në rast se këto të fundit do të falimentonin (gjë që sërish është vështirë të ndodhë përsa kohë ato janë nën administrimin e Bankës Qendrore Europiane) ose shtetëzoheshin, atëhere asetet e tyre në rajon mund të dalin në shitje për të gjeneruar fonde për likuidimin e mëmës.
Banka e Shqipërisë ka sqaruar për Monitor se bankat shqiptare me kapital grek kanë status juridik të pavarur nga pronarët në Greqi. “Pavarësisht se, pronarët e tyre janë grupe bankare që e kanë origjinën në Greqi, bankat që operojnë në Shqipëri i nënshtrohen legjislacionit dhe kuadrit rregullator të Republikës së Shqipërisë. Logjika mbi të cilën ndërtohet dhe ushtrohet veprimtaria bankare, është e bazuar në një grup të mirëpërcaktuar rregullash, kushtëzimesh dhe kontrollesh, pavarësisht origjinës së investitorit”, referojnë më tej të njëjtat burime. Si pasojë e kombinimit të një sërë treguesish të kujdesit është e pamundur që këto banka të transferojnë fonde (depozita të rezidentëve) nga Shqipëria në Greqi. “Në vazhdimësi, që nga momenti kur kriza greke u rikthye në axhendën e ditës, kemi theksuar se bankat shqiptare me kapital grek nuk kanë ekspozime në Greqi, as ndaj sektorit financiar grek (depozita apo kredi në ndonjë nga bankat greke apo institucion tjetër financiar jo-bankë), as ndaj sektorit të korporatave (firma apo kompani private që i nënshtrohen juridiksionit të shtetit Grek), as ndaj sektorit publik Grek (investime në bono thesari të qeverisë greke për shembull).

Blerina Hoxha
Ornela Liperi
(Monitor)

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY