Një gjyq, për shpifje, që nisi në gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, pas akuzës për shpifje dhe kërkesës për “shpërblim dëmi jopasuror”, të Keti Bazhdarit ndaj Sali Berishës, përfundoi brenda një seance të vetme. Shkak ishte mosparaqitja e paditëses. Në këto kushte gjykata vendosi pushimin e çështjes dhe ngarkimin e shpenzimeve të gjykimit prej 400 mijë lekë, Keti Bazhdarit.
Akuzat
Kandidatja e PS-së për bashkinë e Shkodrës, Keti Bazhdari kishte ngritur nja padi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, pas deklaratave të në Kuvend.
“Unë nuk dua të merrem me kandidatët por meqë po shet Bazhdarin, do ta them publikisht, pasuria e saj është në tytë të revoles edhe ndaj kujt? Kujt ia mori Keti pasurinë. Si na lindi Keti pasunare e madhe, e bija e një të përndjekurit. Me revole ndaj kujt. Ndaj të dashurit të vet që e kishte me depresion. Kaq!”, akuzoi më se dy muaj më parë Berisha në Kuvend.
Pas këtyre akuzave, Keti Bazhdari ngriti një padi në gjykatë.
“Kjo deklaratë është kryer me dashje direkte dhe me qëllim për të diskredituar në opinionin shoqëror nderin dhe dinjitetin e personit tim, me qëllim për të influencuar në mënyrë të paligjshme në elektoratin e Bashkisë Shkodër për zgjedhjet vendore të datës 21 Qershor 2015”, deklaron Bazhdari.
Ajo u shpreh gjithashtu se paratë që do të merrte si dëmshpërblim nga shpifjet e Sali Berishës, do t’i dhurojë për një shkollë të komunitetit egjiptian.
Vendimi
Më se dy javë më parë, në seancën e datës 15. 06. 2015, gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, mori në shqyrtim në seancë përgatitore me dyer të hapura, çështjen civile që i përket, paditëses Keti Bazhdari dhe paditësit Sali Berisha me objekt “shpërblim dëmi jopasuror”.
Gjykata në çelje të kësaj seance konstatoi se nuk u paraqit pala paditëse.
“Gjykata pasi konstatoi këtë fakt, hetoi shkaqet për të cilat nuk ishte paraqitur pala paditëse dhe nuk rezultoi që të kishte ndonjë shkak të arsyeshëm që t’i ishte bërë prezent gjykatës apo që të ishte depozituar në sekretarinë gjyqësore”.
Në këto kushte, gjykata bazuar në nenet 127, 158/a, 175, 179, 299(c) dhe 300-301 të Kodit të Procedurës Civile, vendosi, “Pushimin e gjykimit të çështjes civile me nr. 8330 akti. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës paditëse. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë, brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e shpalljes së vendimit”.
SHPENZIMET GJYQËSORE
Taksa e regjistrimit
40000 lekë
Njoftime
100 lekë
Totali 40100 lekë
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/