Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadër të përkujtimit të 25-vjetorit të ngjarjeve të 2 korrikut 1990, priti sot një takim të veçantë, ish-të Ngarkuarin me Punë ad interim të Ambasadës së Republikës Federale Gjermane në Tiranë në vitet 1987-1990, Dr. Werner Daum, i cili ka qenë edhe një prej dëshmitarëve më të ndjeshëm dhe aktivë të hyrjes së disa mijëra qytetarëve shqiptarë në Ambasadën gjermane në Tiranë korrik 1990.
Presidenti Nishani duke iu referuar 25-vjetorit të ngjarjeve të 2 korrikut ’90, shprehu mirënjohjen për rolin dhe kontributin personal të Dr. Daumit dhe të shtetit gjerman, në hapjen e dyerve për qytetarët e parë shqiptarë që përmes aktit të tyre të guximshëm refuzuan regjimin më të egër komunist në Evropë.
“Përkujtimi i ngjarjeve të 2 korrikut 1990, përbën për ne shqiptarët sot një moment shumë rëndësishëm refleksioni. Hyrja e shqiptarëve në Ambasadat e huaja në Tiranë ishte një goditje e rëndë për regjimin. Përmes këtij akti, mijëra shqiptarë vranë frikën dhe refuzuan publikisht izolimin dhe regjimin komunist. Ata u bënë dallëndyshet e para që lajmëruan afrimin e lirisë të cilën ne shqiptarët gëzojmë sot”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti shprehu gjithashtu mirënjohjen për Gjermaninë dhe popullin gjerman për inkurajimin e proceseve demokratike në Shqipëri, por edhe për ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga momentet e vështira e dramatike të vitit 1990 e në vijim.
“Në vitin 1990, shqiptarët kishin nevojë për inkurajim dhe kjo iu ofrua nga Gjermania. Në vetëm pak muaj, ngjarjet e korrikut u pasuan nga demonstrata e studentëve e 8 dhjetorit 1990. Ajo demonstratë goditi rëndë regjimin dhe e mbështetur masivisht nga populli shqiptar, imponoi proceset dhe ndryshimet demokratike në Shqipëri”, theksoi Presidenti Nishani.
Nga ana e tij, Dr. Daum u shpreh se “ajo çka unë pashë në Shqipëri, në atë kohë, ishte se njerëzit kërkonin ndryshim dhe e konsiderova si një detyrim të madh inkurajimi i tyre dhe që ai regjim i tmerrshëm të merrte fund njëherë e mirë dhe njerëzit të ishin të lirë”.
Një mirënjohje të veçantë, Presidenti Nishani gjatë takimit e shprehu edhe për mbështetjen që Gjermania po i jep Shqipërisë në procesin e integrimit evropian të vendit.
Gjithashtu, Kreu i Shtetit e përgëzoi Dr. Daumin edhe për angazhimin e tij personal në promovimin e kulturës dhe të historisë së Shqipërisë, përmes publikimeve, librave dhe kurimit të ekspozitave të veçanta për historinë dhe artin shqiptar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/