Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko, të akuzuar si pjesë e grupit të zjarrit që qëlloi me armë ndaj policisë disa ditë më parë në Lazarat. Nga sulmi mbeti i vrarë një efektiv policie ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.
Në herët, avokati i vëllezërve Aliko, Neshat Fana kërkoi përjashtimin e gjyqtares Flora Hajredinaj nga trupa gjykuese. Sipas tij, kjo kërkesë synon të mos ketë njëanshmëri në procesin e gjykimin ndaj Arbion e Alban Alikos. Por kërkesa e vëllezërve Aliko për përjashtimin e gjyqtares Hajredinaj u rrëzua.
Ndërkohë seanca gjyqësore e nisur ditën e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj Alban Alikos për ngjarjen në Lazarat, është ndërprerë, për shkak se Prokurori ka kërkuar praninë e një psikologu. Sipas Prokurorit, Alban Aliko është 17 vjeç dhe për këtë nevojitet prania e psikologut.
Avokati i dy vëllezërve Neshat Fana, u shpreh në përfundim të seancave të veçuara e “Ato që paraqiti prokuroria nuk provojnë autorësinë e vrasjes, nuk provojnë që të ketë pasur snajper. Ata nuk janë autorë të vrasjes”.
Dy vëllezërit 17 dhe 20 vjeç u arrestuan në një tunel në Kardhiq, 20 kilometra larg Lazaratit, në një zonë malore e cila ndodhet midis Gjirokastrës dhe Tepelenës. Ata akuzohen si pjesë e grupit të zjarrit që qëlluan mbi policinë disa ditë më parë në Lazarat, ku një efektiv humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën.
Arbjon dhe Alban Aliko nuk bënë rezistencë gjatë prangosjes dhe në momentin e arrestimit ata nuk kanë pasur armë.
Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda grupi i zjarrit në Lazarat përgatitej prej gjashtë muajsh për të sulmuar policinë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/