Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Kavajës, ka zbuluar skandalin e transferimit brenda 10 ditësh të 250 familjeve në muajin prill 2015 në këtë bashki.
Sipas shkresës së drejtuesit të Prokurorisë së Kavajës, Arian Madani, gazeta “Panorama” mëson se KQZ është informuar se një pjesë të konsiderueshme të familjeve të transferuara në Kavajë janë regjistruar nga zyra e gjendjes civile disa ditë para se kryefamiljarët të dorëzonin kërkesat me shkrim apo para se të lidhnin kontratën e qirasë.
“Nga kallëzimi penal rezulton se një numër i konsiderueshëm familjesh (250 kryefamiljarë) nga qytetet dhe njësi vendore të tjera, për një periudhë relativisht të shkurtër parazgjedhore (nga data 20. 04. 2015-30. 04. 2015), kanë kryer transferimin e gjendjes civile të mëparshme duke u regjistruar në zyrën e gjendjes civile Kavajë.
Nga këqyrja e praktikave ka rezultuar se për një numër të konsiderueshëm personash, regjistrimi në zyrën e gjendjes civile Kavajë është bërë disa ditë përpara se të paraqitet kërkesa për regjistrim, apo dhe para formulimit të kontratave përkatëse për banim të përkohshëm”, thuhet në shkresën e Prokurorisë së Kavajës.
Për këtë shkelje, Prokuroria e Kavajës ka paditur punonjësen e gjendjes civile, Ermira Gjuzi, të cilën e akuzon për “shpërdorim detyre”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/