Dosja e prokurorisë hedh dritë mbi mënyrën si u morën lekët dhe si u arrestua gjyqtarja dhe avokati në Lezhë.
Sipas kësaj dosje, mësohet se shtetasi A. P., kishte denoncuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, se avokati Gjovalin Ndokaj, i cili ishte caktuar kryesisht nga Gjykata si avokat i tij dhe i nënës së tij, M. P., në gjykimin penal të zhvilluar në Gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë, i kishte kërkuar 2 milionë lekë (të vjetra) për t’ia dhënë gjyqtares në këmbim të caktimit të një dënimi me kusht. Paraprakisht, ky avokat u ka thënë se ai dhe mamaja e tij rrezikonin të dënoheshin me burg deri në tre muaj, më vonë u ka thënë se mund të dënoheshin me një gjobë rreth 50 mijë lekë, duke i ofruar edhe një kafe gjyqtares së çështjes. Në datën 09. 06. 2015, kur A. P., ka pasur seancën e radhës, avokati Gjovalin Ndokaj u ka thënë të dyve (A. P. dhe M. P.), se “kishte folur me gjyqtaren dhe se duhej t’i jepnin 2 milionë lekë (të vjetra) gjyqtares për të mbyllur çështjen, ata do dënoheshin me 18 muaj me kusht dhe do bënin punë në dobi të bashkisë”.
Pas marrjes së denoncimit, prokuroria ka vendosur të kryejë veprime simuluese ndërmjet kallëzuesit A. P., me avokatin Gjovalin Ndoka. Për këtë arsye, A. P., ka marrë shumën prej 200.000 lekësh dhe ia ka dhënë avokatit Gjovalin Ndoka. Seanca gjyqësore përfundimtare e shpalljes së vendimit për qytetarin A. P. dhe nënën e tij, ishte caktuar për në datën 11. 06. 2015, ora 11:30. Shtetasi Gjovalin Ndoka, pasi ka marrë shumën e parave prej 200.000 lekësh, është drejtuar te Gjykata e rrethit gjyqësor Lezhë. Pasi ka qëndruar për njëfarë kohe në ambientet e kësaj gjykate, në orën 11.30 ka filluar seanca gjyqësore për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të A. P., dhe M. P. Pas disa minutash, është shpallur vendimi nga gjykatësja Ademi dhe të dy të pandehurit janë dënuar me kusht nga gjykata.
Pasi kallëzuesi A. P., ka dalë nga salla e gjyqit, avokati Gjovalin Ndoka ka qëndruar në sallë bashkë me gjyqtaren, dhe më pas ai ka dalë nga salla e gjyqit. Në këto momente policia ka ndërhyrë, duke bërë kontroll në zyrën e avokatit dhe gjatë kontrollit personal, atij i janë gjetur të fshehura brenda në çorape dhe shuma prej 150.000 lekësh kartëmonedha, të cilat ishin të njëjta me ato që prokurorët i dorëzuan denoncuesit. Avokati është arrestuar në flagrancë, por për faktin që mungonte shuma prej 50.000 lekësh, dyshimet binin menjëherë mbi gjykatësen.
Oficerët e policisë “zbarkuan” dhe ushtruan kontroll edhe në zyrën e gjyqtares Parashqevi Ademi, ku brenda në çantën e saj, në një portofol me ngjyrë bezhë dhe stampim të kuq në mes, janë gjetur 10 kartëmonedha 5000-lekëshe, që kishin numrat e serisë sipas procesverbalit të dorëzimit të parave për kryerjen e veprimit simulues personit të autorizuar A. P.
Gjykatësja Parashqevi Ademi, gjatë marrjes në pyetje, e pranon se pas seancës gjyqësore me palë A. P. dhe M. P. të pandehur, pasi ka shpallur vendimin, avokati Gjovalin Ndokaj i ka lënë lekët mbi tavolinë në zyrën e saj dhe ka ikur. Ajo nuk pranon që të ketë kërkuar para për këtë çështje penale për të favorizuar ndonjë dhe se lekët që iu gjetën brenda në çantën e saj i kishte futur aty, por do të bënte kallëzim penal, por për shkak të kohës së pamjaftueshme, pasi ka vajtur policia në zyrën e saj, nuk e ka pasur të mundur të procedonte me kallëzimin.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/