Reagon Gjykata e Lartë: Mjafton masa disiplinore e Kuvendit, ndaj nuk i...

Reagon Gjykata e Lartë: Mjafton masa disiplinore e Kuvendit, ndaj nuk i dënuam penalisht deputetët Ndreu dhe Ndoka

89
0
Shares

Si rrallë ndonjë herë, Gjykata e Lartë, ka justifikuar vendimin e sotëm, për pushimin e çështjes ndaj dy deputetëve socialistë Pjerin Ndreu e Arben Ndoka, të akuzuar për dhunë fizike ndaj kolegut të tyre Gent Strazimiri. Pa publikuar vendimin e zbardhur, Gjykata e Lartë ka nxituar të shpërndajë një “Njoftim për mediat”, për të “zbardhur” vendimin.
Sipas këtij njoftimi, Gjykata e Lartë justifikon vendimin e saj, nën argumentin se, “nuk mund të ketë procedim dhe ndëshkim të të njëjtit subjekt dhe për të njëjtin fakt, nga organet e procedimit disiplinor të Kuvendit si shkelje disiplinore dhe nga organet e ndjekjes penale dhe gjykata penale, si vepër penale”.
“Në mbështetje të paragrafit të parë të nenit 387 të Kodit të Procedurës Penale, çështja nuk duhet të fillonte për shkak se nuk bën pjesë në juridiksionin gjyqësor penal.
Përdorimi i fjalëve dhe shprehjeve fyese, si edhe kryerja e veprimeve të tjera faktike a të dhunshme nga ana e deputetëve, të cilat cenojnë veprimtarinë normale dhe autoritetin e Kuvendit, personin dhe dinjitetin e deputetit, etj., të kryera gjatë veprimtarive parlamentare dhe/ose brenda ambienteve të Kuvendit ose aty ku ai ushtron veprimtarinë e tij, përbëjnë tejkalime të lirisë parlamentare, shkelje të cilat gjykohen dhe ndëshkohen nga vetë Kuvendi.
Si të tilla, sjelljet e deputetëve me fjalë,  gjeste apo veprime fizike a të dhunshme, që pengojnë a cenojnë autoritetin e Kuvendit, dinjitetin dhe  personin e deputetit, nëse nuk kanë sjellë pasoja të tjera të rënda sipas ligjit, i nënshtrohen procedurave ekskluzive të hetimit dhe gjykimit disiplinor, si edhe të sanksioneve disiplinore nga vetë strukturat e pushtetit legjislativ, pra nga Kuvendi.
Kështu, sipas parimit kushtetues ‘ne bis in idem’, nuk mund të ketë procedim dhe ndëshkim të të njëjtit subjekt dhe për të njëjtin fakt, nga organet e procedimit disiplinor të Kuvendit si shkelje disiplinore dhe nga organet e ndjekjes penale dhe gjykata penale, si vepër penale.
Ky qëndrim, bazohet në parimet kushtetuese dhe dispozitat kushtetuese për ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit legjislativ, me konkretisht në parimin e ‘autodichia-s’ – kompetencën rregullatore dhe vendimmarrëse ekskluzive të parlamentit për çështjet që lindin nga veprimtaria parlamentare dhe brenda ambienteve të Kuvendit ose aty ku ai ushtron veprimtarinë e tij, të reflektuara në Kushtetutë, ligjin për statusin e deputetit, Rregulloren e Kuvendit, etj.
Të njëjtat parashikime parimore dhe normative, si edhe të njëjtat qëndrime mbahet në raste të tilla, sikurse ai objekt i këtij gjykimi, nga Kushtetutat, legjislacionit, praktikat parlamentare, praktikat gjyqësore kushtetuese dhe praktikat gjyqësore penale në të gjitha vendet perëndimore, si edhe nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (të cilat do të citohen konkretisht dhe hollësisht në vendimin e arsyetuar që do të depozitohet në një kohë të shkurtër)”, thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës së Lartë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY