LULZIM BASHA/ Në Mitrovicën time e të gjyshit tim…

LULZIM BASHA/ Në Mitrovicën time e të gjyshit tim…

61
0
Shares

Kjo është fjala që Lulzim Basha, kryetari i PD-së dhe i Bashkisë së Tiranës, mbajti sot në Mitrovicë në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit:

“Në këtë qytet, në Mitrovicë, Mitrovicën tuaj, Mitrovicën time e të gjyshit tim, shpesh Porta e Lartë, Krajlia e të tjerë pas tyre kanë sjellë më shumë asqerë e milicë, se sa vetë qyteti kishte banorë. Kishin frikë e tmerr nga Isa Boletini, nga tradita e tij madhështore që la pas, deri tek heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me në krye komandantin legjendar, Adem Jashari. (Baca Rifat, të përshëndes!). Iu blatuan Isës e iu premtuan ar e prona, çifligje e tituj por ai nuk i ndërroi kurrë ato me gurët e Boletinit, sepse kish besë dhe i kishte dhënë besë një kombi të tërë, nga Mitrovica në Vlorë.

Kulla e Isës dhe gurët e saj të mëdhenj farkëtuan qëndresë e më vonë farkëtuan dije përmes shkollës shqipe të ngritur aty në vitin 1899, farkëtuan zgjim dhe vetëndijësim kombëtar, frymëzim. Një kullë e djegur gjashtë herë dhe e rindërtuar për të shtatën. E rrethuar, e bombarduar dhe e djegur por askush, as dje, as sot dhe as nesër nuk mund ta çrrënjosë!

Nga sot, kjo kullë do të jetë prapë e plotë, me të gjithë burrat e saj si njëherë e një kohë. Isa Boletini do të prehet aty, bashkë me bijtë e tij e trimat e tjerë të familjes Boletini që dhanë jetën për këtë tokë. Ne do kthehemi te kulla e Isa Boletini për të marrë forcë, guxim, kurajo dhe vendosmëri për të çuar përpara vendin tonë, popullin tonë e për t’i dhënë atij të ardhmen që meriton, për ta plotësuar deri në fund, pa asnjë mëdyshje e me çdo sakrificë amanetin e Isa Boletinit.

Ndihem krenar që jam sot këtu bashkë me ju, që kam gjak si gjaku i tij, që jam shqiptar e bashkëkombas i tij! Jam i lumtur që më së fundi ne do të përulem mbi varrin e tij e do të vijmë te kulla e tij për t’u treguar brez pas brezi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë, me krenarinë legjitime të çdo shqiptari se kush ishte ky burrë i madh i kombit tonë, ky kreshnik i pamposhtur, kush ishte Isa Boletini, do të shohim e prekim madhështinë dhe forcën e kullës së tij. Isa Boletini nga sot e tutje do të jetë mes nesh siç e meriton, siç është në nderin tonë, siç ishte dhe është amaneti i tij që s’e treti as dheu”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY