Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka kërkuar nga Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç një mbështetje dhe kujdes më të madh për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Duke u ndalur tek të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Presidenti Nishani kërkoi një kujdes dhe mbështetje më të madhe nga ana e qeverisë, veçanërisht zbatimin sa më parë të angazhimeve të marra sa i përket aspektit ekonomik, shoqëror dhe shëndetësor të tyre. Presidenti nënvizoi se do të kishte qenë e udhës që nënshkrimi i Marrëveshjes për Njohjen Reciproke të Diplomave të realizohej gjatë kësaj vizite, për të dhënë një mesazh më të drejtpërdrejtë të vullnetit pozitiv për t’i çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe në respekt të premtimeve dhe angazhimeve që i japim njëri-tjetrit, thujet në një njoftim për shtyp të Presidencës.
Një vend të posaçëm në takim zuri edhe çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku Presidenti Nishani vuri në dukje se vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të dakordësuara janë rruga më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke shtuar se ky proces kërkon kurajo dhe vizion për të ardhmen, çka po dëshmohet si nga autoritetet e shtetit të Kosovës ashtu edhe ato të Serbisë.
Kryeministri Vuçiç vuri në dukje se mbetet realisht i angazhuar për të avancuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, dhe se vizita e tij në Tiranë u realizua mbi bindjen e sinqertë për rëndësinë e përparimit të këtyre marrëdhënieve, të cilat i konsideroi kyç për stabilitetin dhe paqen në rajon. Më tej, Kryeministri Vuçiç informoi mbi pikat e bisedimeve të zhvilluara me qeverinë shqiptare, dhe projektet e përbashkëta për të cilat është rënë dakord.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/