Asnjë surprizë nuk ka pasur sot në Kuvend, moment i votimit të nënkryetarit të ri. Duke filluar nga sot Kuvendi i Shqipërisë do të ketë tre nënkryetarë. Me 73 vota pro të mazhorancës, Shpëtim Idrizi i PDIU-së bëhet zëvendës i Ilir Metës në Kuvend, pas Edmond Spahos, sepse mësohet se nënkryetari tjetër Vangjel Dule i PBDNJ-së ka dhënë dorëheqjen nga ky post.
Sipas Dules, shkak i dorëheqjes ka qenë “shndërrimi i institucioneve si plaçkë këmbimi”.
Në një prononcim pas votimit, Shpëtim Idrizi tha se ky është një vlerësim për partitë që drejton, elektoratin e saj dhe kauzat që PDIU përfaqëson.
Ky është posti i parë publik që kryeministri Rama i jep partisë së Shpëtim Idrizit pasi PDIU vendosi të dalë nga koalicioni i djathtë e të bëhet pjesë e koalicionit të majtë. Një marrëveshje që u arrit para fushatës për zgjedhjet e 21 qershorit, për të cilat PS i ka lënë PDIU tre zona të lira, Konispolin, Rrogozhinën dhe Peqinin.
Por bashkëpunimi i PDIU me të majtën nisi që me diskutimin e më pas miratimin e reformës administrative, të cilën PBDNJ e Vangjel Dules e ka kundërshtuar. Megjithatë Dule e Idrizi tashmë do të mbajnë të njëjtin post e do të bashkëpunojnë në drejtimin e Kuvendit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/