Kledian Merxhani, përgjegjës i Njësisë së Kontrollit të Lojërave të Fatit është ndaluar sot nga Policia e Tiranës. Mbi Merxhanin rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim.
Policia
“Arrestimi i 33 vjeçarit me banim në Tiranë, me detyrë përgjegjës grupi në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit Tiranë është kryer në bazë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal ‘Arrest në burg’, për veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’, e kryer në bashkëpunim. (Nenet 248-25 të Kodit Penal)”, informon policia.
Mësohet se arrestimi është kryer në kuadër të operacionit të koduar “Stop” të nisur më 15 prill 2015 ku u arrestuan 10 persona, prej tyre 9 punonjës të Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe një menaxher kompanie lojërash fati.
Sipas policisë, të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën janë përfshirë në afera korruptive me kompani të basteve sportive dhe subjekteve të ndryshme të lojrave të fatit, të cilët kanë përfituar në mënyrë të paligjshme shuma parash, që variojnë nga 90.000 deri në 100.000 lekë të rinj, në periudha te ndryshme kohore.
Mësohet se përgjegjësi i lojërave të fatit është ndaluar pasi Gjykata e Tiranës ka dhënë masën arrest me burg. Gjykata e Tiranës kishte dhënë masën e arrestit burg për Kledian Merxhanin për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe arrestimi i tij është kryer dje, më 14 maj 2015.
Prokuroria
Në bazë të hetimit, i cili ka nisur kryesisht nga ana e Prokurorisë së Tiranës bazuar në informacione të mbërritura në Prokurori nga qytetarë të ndryshëm, fillimisht u arrestuan në flagrancë Kreshnik Kasaj, me funksion menaxher në një kompani bastesh, i dyshuar për “korrupsion aktiv…“ dhe shtetasi Metjon Bijo, inspektor i administratës tatimore.
Këta dy shtetas u arrestuan në datë 15 prill 2014, pasi menaxheri Kasaj po i jepte shumën prej 100 mijë lekësh të rinj inspektorit të tatimeve. Nga hetimet ka rezultuar se inspektori i tatimeve Bijo, nëpërmjet influencës së tij, ndërhynte tek disa inspektorë të tjerë, të cilëve u kërkohej të mos ushtronin kontroll tek pikat e kompanisë ku ishte menaxher Kasaj në disa qytete të Shqipërisë.
Në vijim të hetimeve të nisura para pak muajsh, Prokuroria e Tiranës ka arritur të krijojë dyshime të arsyeshme se Kasaj, menaxher i kompanisë së basteve me përhapje të gjerë në shumë qytete të Shqipërisë, kishte krijuar lidhje të dyshuara si korruptive edhe me Petrit Ahmetajn, i cili kishte njohje në radhën e inspektorëve të Njësisë së Lojërave të Fatit. Nëpërmjet Petrit Ahmetajt, menaxheri Kasaj shmangte kontrollet e disa prej inspektorëve të lojërave të fatit në pikat e kompanisë ku ai ishte menaxher.
Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se menaxheri Kasaj, nëpërmjet lidhjeve të dyshuara korruptive me disa inspektorë të administratës tatimore dhe disa inspektorë të Njësisë së Lojërave të Fatit iu shmangej detyrimeve ligjore, pasi një pjesë e pikave të kompanisë rezultojnë të paliçensuara ose me punonjës të paregjistruar.
Të arrestuar
1. Jani Berukas, 39 vjeç lindur e banues në Tiranë, me detyrë Përgjegjës Grupi në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
2. Valentin Loka, 34 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë me specialist në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
3. Tevik Mallkuçi, 31 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë me specialist në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
4. I. R., 28 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë me specialist në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
5. Trëndafil Tarja, 36 vjeç, banues në Tiranë, i akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim me detyrë Specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
6. Mensur Hoxha, 37 vjeç, banues në Tiranë, i akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim me detyrë përgjegjës grupi në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
7. Petrit Ahmetaj, 48 vjeç, lindur e banues në Tiranë, me detyrë specialist në Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, në Bashkinë e Tiranës
8. Maltan Jacaj, 41 vjeç, lindur në banues në Tiranë, me detyrë me specialist në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit
9. Metjon Bijo, specialist në Drejtorinë e Hetimit Tatimor
10. Kreshnik Kasaj, menaxher i një kompanie bastesh në qytetin e Tiranës.
11. Kledian Merxhani, 33 vjeç, përgjegjës i Njësisë së Kontrollit të Lojërave të Fatit
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/