Presidenti i Republikës, Bujar Nishani çmoi Fshatin Blliçe me Dekoratën “Nderi i Kombit” në shenjë vlerësimi për qëndresën ndaj diktaturës komuniste. Në fjalën e tij Presidenti Nishani theksoi se: “Kujtojmë dhe nderojmë sot mbarë popullin e Fshatit Blliçe të Komunës së Fushë-Çidhnës, ku numri i të burgosurve, të internuarve dhe të përndjekurve nga makineria e pashpirt diktatoriale arriti në dhjetëra e qindra, pa kursyer askënd, duke prekur pothuajse të 150 shtëpitë e fshatit tuaj”. Në vijim Presidenti Nishani tha se “kalvari juaj filloi që me djegien të gjallë nga forcat partizane të Ibrahim Murrakut dhe ai krim barbar u solli ndërmend njerëzve dhe popullit të urtë, trim e liridashës dibran mizoritë çnjerëzore të kryera nga mësymjet serbe gjatë viteve 1913-1920. Disa nga familjet e fshatit tuaj u shpallën kulakë dhe u trajtuan kafshërisht. Koha e burgut e vuajtur padrejtësisht nga ju kapërceu 345 vite. Fëmijëve tuaj iu kontrollua me lupë arsimi i mesëm, ndërsa arsimi i lartë iu mohua padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare. 27 familje të bashkëfshatarëve tuaj morën arratinë jashtë vendit me kokën pas e me zemrat dhe shpirtrat e vrarë të lënë këtu përgjithmonë. Asgjë nuk harrohet dhe nuk duhet të harrohet!” theksoi kreu i Shtetit shqiptar. Në vijim të vizitës së tij në Dibër, Presidenti Nishani përuron Memorialin e “Krimeve të komunizmit dhe përndjekjeve për liri dhe demokraci” në Peshkopi.
Gjatë kësaj vizite Presidenti i Republikës u vlerësua me Titullin “Qytetar Nderi” i Peshkopisë, të cilin ia dorëzoi Kryetari i kësaj Bashkie, zoti Ilir Krosi me këtë motivacion: “Për kontribut të shquar në mbrojtje të demokracisë, si intelektual e garant i konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe në shenjë mirënjohjeje për vlerësimin e kontributit të dibranëve e të Dibrës në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të saj”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/