Komisioni i BE-së miraton MSA – Marrëveshja për Stabilizim-Asociim konsiderohet si thelbësore në raportet e Kosovës me BE-në, si për bashkëpunimin politik, ashtu edhe për shkëmbimin tregtar.
Komisioni Evropian miratoi sot me procedurë të shkruar, tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.
Me këtë hap, Komisioni Evropian përmbylli procedurën e vet, për t’i hapur rrugë Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian që të pajtohen, para se marrëveshja të hyjë në fuqi. Por para kësaj, marrëveshja duhet të nënshkruhet nga shefja e politikës së jashtme e BE-së, Federica Mogherini dhe qeveria e Kosovës.
Teksti i marrëveshjes së Stabilizim Asoccimin e bën të qartë se Bashkimi Evropian mbetet neutral ndaj statusit të Kosovës dhe nuk paragjykon në asnjë mënyrë qëndrimin e shteteve anëtare ndaj statusit. Në këtë mënyrë thuhet se janë shmangur pengesat që do të mund t’i bënin kësaj marrëveshjeje shtetet anëtare të BE-së që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovën.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, e vlerësoi lartë miratimin nga ana e Komisionit Evropian të tekstit të marrëveshjes së Stabilizim Asociim për Kosovën. MSA është marrëveshje gjithëpërfshirëse që mbulon bashkëpunimin në një spektër të gjerë sektorësh si drejtësia, tregtia, arsimi, punësimi, energjia, mjedisi dhe një varg politikash në fusha të tjera. Sipas BE-së, synohet që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të bëhet gjatë verës, përkatësisht gjatë muajit qershor, ndërsa hyrja në fuqi e saj parashihet për fillimin e vitit që vjen.
MSA me Bashkimin Evropian duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në një deklaratë të tij, thotë se Komisioni Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën dhe konfirmoi rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/