Reagon përsëri publikisht Ben Blushi: 1 milion votat e vitit 2013 sot...

Reagon përsëri publikisht Ben Blushi: 1 milion votat e vitit 2013 sot nuk dalin, kush vret e vjedh bëhet deputetë, kush shkruan libra quhet parazit

77
0
Shares

Deputet i PS -së Ben Blushi, ka reaguar sërish sot, nëpërmjet një letre të hapur, botuar në të përditshmen “Panorama”, për të gjithë socialistët. Nëpërmjet kësaj letre të hapur, ai shpjegon pse duhet të falës, ndërsa i thotë të vërtetat që e shqetësojnë nga qeverisja e majtë, përmes pyetjeve, që ai i drejton çdo anëtari apo mbështetësi socialist.
Përmes këtyre pyetjeve, Ben Blushi shprehet se qeverisja e majtë, në rrugën e saj është e mbushur me padrejtësi, të cilat ajo (qeveria)  vetë i quan reforma.
Përmes shifrave, deputeti socialist jep të dhënat aktuale për papunësinë, për borxhin publik, shëndetësinë fala, ikjet masive jashtë shtetit për një të ardhme ndryshe, duke i krahasuar ato me premtimet e bujshme që kjo mazhorancë bëri ën vitin 2013, duke marrë 1 milion vota, por që sipas Blushit, “1 milion votat që morëm në vitin 2013, sot me sa duket nuk dalin”.
Pa e kursyer ironinë dhe paradoksin, , Ben Blushi tregon realitetin e përfaqësuesve të popullit në Parlamentin e Shqipërisë, ku sipas tij, nëse vret dhe vjedh të jep bonuse për tu bërë deputet, e nëse shkruan libra, cilësohesh si parazit..
U premtuan 300 mijë vende pune ndërsa papunësia u rrit me 7 pwr qind shprehet Ben Blushi, duke e cilësuar qeverinë Rama, si qeveri që kujdeset më shumë për fasadat dhe jo për rritjen ekonomike të vendit, ndwrsa ngre edhe këtë pyetje: “A e di se nuk ka më asnjë qeveri në botë që financon pishina, kulla trena turistikë, pista patinazhi, stadiume dhe ishuj mbi lumenj? A e di ti se pudra e fytyrës kushton më shtrenjtë se e vërteta e pasqyrës?”, pyet Ben Blushi, duke përfunduar sërish me një pyetje” “Në se është më mirë të heshtësh apo të flasësh përballë këtij realiteti?”.

Letra e hapur e Ben Blushit

Një socialist më pyeste këto ditë se pse shkruaj dhe pse flas. Duke e mirëkuptuar, dua t’i përgjigjem.
I nderuar mik!
Bota ka disa mijëra vjet që lufton për të zgjidhur dilemën mes fytyrës dhe pasqyrës. Me pak fjalë, shumica e mendjeve të hapura dhe popujve të civilizuar kanë ecur përpara përmes të vërtetës. Kur e vërteta nuk thuhet, kur fshihet dhe deformohet, popujt nuk ecin përpara. E vërteta është busulla e popujve. Për të vërtetën ka pasur njerëz që kanë shkuar në turrën e druve. Ata janë djegur, por e vërteta jo. Ajo ka mbetur dhe sot na ndriçon rrugën edhe kur rrugë nuk ka.
Historia jonë dëshmon se ne kemi pasur një marrëdhënie të shtrembër me të vërtetën. Me pak fjalë, sa herë që nuk na ka pëlqyer e vërteta e fytyrës, ne ia kemi hedhur fajin pasqyrës. Ende këtu jemi. Jemi duke thyer pasqyrën për të mbrojtur fytyrën. Unë këtë nuk e pranoj. Unë nuk besoj se fuqia e fytyrës është t’i shpëtojë pasqyrës. Dua që ta detyroj fytyrën të shohë pasqyrën. Siç është.
Megjithatë, meqenëse më pyet, edhe unë dua të të pyes për sa më poshtë:
1 – A e di se qysh se kemi ardhur në pushtet, në Partinë Socialiste nuk ka më zgjedhje?
2 – A e di se kryetari i partisë ka një mandat unik gjashtëvjeçar, ndërkohë që sipas rregullit mandati duhet të ishte katër vjet?
3 – A e di se pse i janë shtuar edhe dy vjet?
4 – A di gjë se kush dhe pse vendosi kështu?
5 – A e di se edhe në kohën e Partisë së Punës zgjedhjet bëheshin një herë në katër vjet?
6 – A e di se nuk ka më asnjë parti në Europë që nuk bën zgjedhje?
7 – A e di se sipas statutit të partisë sonë, Asambleja Kombëtare duhet të mblidhet një herë në tre muaj?
8 – A e di se Kryesia duhet të mblidhet një herë në muaj?
9 – A e di se asnjë kandidat për kryetar bashkie nuk kalon pa vendim Kryesie?
10 – A e di se asnjëra nga këto nuk ka ndodhur prej dy vitesh dhe kjo jo për faj të pasqyrës, por për faj të fytyrës?
11 – A e di se çdo vendim që merret në Partinë Socialiste, nuk është më kolegjial, por vetëm personal?
12 – A di se ne erdhëm në pushtet duke premtuar 300 mijë vende pune?
13 – A e di se sipas shifrave zyrtare papunësia është shtuar me 7 për qind?
14 – A e di se Shqipëria po zvogëlohet?
15 – A e di se çdo ditë nga Shqipëria ikën një lagje?
16 – A e di se çdo muaj zhduket një fshat?
17 – A e di se vetëm gjatë vitit të kaluar nga Shqipëria kanë ikur 46 mijë shqiptarë?
18 – A e di ç’do të thotë kjo?
19 – A e di se kjo do të thotë se një qytet si Pogradeci është zhdukur për një vit?
20 – A e di se këta njerëz ikin nga Shqipëria se nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura, nuk kanë shërbimet e duhura?
21 – A e di se Shqipëria po shpopullohet nga të varfrit dhe kjo, përveçse cinike, është tragjike?
22 – A e di se kemi një qeveri të papërgjegjshme, e cila ende nuk i ka bërë thirrje kujt të mos largohet nga Shqipëria, por me pabesi thotë se fajin për eksodin e kanë qeveritë e Europës, që marrin emigrantë për të përballuar nevojat e tregut të tyre të punës?
23 – A e di se asgjë nuk e rrezikon më shumë një popull të vogël, sesa braktisja dhe emigracioni?
24 – A e di se mund të mos jemi më pas disa dekadash?
25 – A e di se asnjë pushtim nuk na ka bërë më shumë dëm se ky mjerim?
26 – A e di se lindim pothuajse po aq sa vdesim dhe se, nëse vazhdojmë kështu, do tretemi dhe do përfundojmë një grusht njerëzish?
27 – A e di kush do blejë dhe kush do shesë, kush do shkojë në shkollat tona, kush do i punojë tokat dhe punishtet tona, kush do i pastrojë shtëpitë, ujërat dhe ngastrat tona, nëse të gjithë ikin?
28 – A e di që po firojmë pak nga pak, jo se nuk kemi tokë, diell, ujë dhe ajër, por se qeverisemi keq e mos më keq?
29 – A e di se premtuam që do ulet çmimi i naftës, ndërkohë që sot e paguajmë naftën më shtrenjtë se çdo popull në rajon dhe më shtrenjtë se çdo popull në Europë?
30 – A e di se ne jemi i vetmi vend me burime nafte në rajon dhe megjithatë përfitojmë për buxhetin publik vetëm 30 për qind të asaj që duhet të përfitojmë?
31 – A e di se njerëzit po mbyten nga helmi aty ku ka naftë dhe ende nuk ka asnjë penalizim për ata që i mbytën?
32 – A e di sa kokë bagëti dhe sa hektarë tokë u përmbytën përpara një muaji?
33 – A e di se atë ditë shteti nuk ishte aty për t’i mbrojtur?
34 – A e di se sa prej tyre janë zhdëmtuar?
35 – A e di se bujqit e Shqipërisë kanë kostot më të larta në rajon?
36 -A e di se ne premtuam naftë pa akcizë për gjithë fermerët e Shqipërisë?
37 – A e di që jemi vendi i parë në Europë që subvencionon tregtarët dhe jo prodhuesit me një skemë që askush nuk e di si funksionon?
38 – A e di cilët janë tregtarët që subvencionohen dhe në cilat shifra?
39 – A e di se shteti ndihmon mallin dhe jo prodhimin?
40 – A e di se ne fituam zgjedhjet duke thënë se do ta ulim çmimin e energjisë elektrike?
41 – A e di se sot çmimi i energjisë është rritur për shumicën e shqiptarëve?
42 – A e di se sa shqiptarë të varfër janë terrorizuar, janë burgosur për shkak të faturave të papaguara?
43 – A e di kush konsumon me shumë energji, të varfrit për t’u ngrohur, apo të pasurit për të prodhuar?
44 – A e di se në Parlament po votohet një ligj që parashikon t’i sekuestrohet shtëpia atij që nuk ka paguar energjinë elektrike?
45 – A di ndonjë rast kur dikujt i është sekuestruar shtëpia për shkak të abuzimit, korrupsionit apo evazionit fiskal?
46 – A e di se duan ta votojmë këtë padrejtësi që quhet reformë?
47 – A e di që sot në Shqipëri nuk lejohet të ndërtosh?
48 – A e di qe nëse të duhet të rregullosh shtëpinë që ta përmbyti dimri apo lumi i tërbuar, duhet të marrësh leje në qeveri?
49 – A e di se përndryshe ky meremetim quhet ndërtim pa leje?
50 – A e di se rrezikon burgun nëse rregullon çatinë e prishur?
51 – A e di sa vende pune i ka kushtuar vendit ky centralizim asfiksues?
52 – A e di se nevoja për estetikë kaotike ka fshirë mijëra vende pune dhe ka falimentuar me dhjetëra biznese që jetojnë duke shitur materiale ndërtimi?
53 – A e di sa taksa i kemi mohuar buxhetit publik për shkak të këtij ngërçi tekanjoz?
54 – A e di se ne premtuam që do ta ulim borxhin publik?
55 – A e di se në 2 vjet kemi marrë 1 miliard dollarë borxh?
56 – A e di se borxhi ishte rreth 6 miliardë dollarë kur ne erdhëm në pushtet dhe sot është më shumë se 7 miliardë?
57 – A e di ti se ku shkon ky borxh?
58 – A e di se sa paguan ti dhe të gjithë ne për të shlyer një borxh që nuk e kemi krijuar vetë, por është mbledhur për shkak të mediokritetit, paaftësisë dhe abuzimit në vite?
59 – A e di se çdo shqiptar që lind, duhet të paguajë një borxh prej 3000 eurosh që brezat ua lënë brezave pa asnjë arsye të qenësishme?
60 – A e di si do ta lajmë këtë borxh?
61 – A e di se qeveria mendon se borxhi lahet duke marrë borxh?
62 – A e di shpenzimi kryesor i qeverisë është pagesa e borxhit, në vend që të ishte arsimi, shëndetësia, pagat, pensionet dhe shërbimet publike?
63 – A e di se sot shqiptarët konsumojmë më pak se një vit më parë?
64 – A e di se sa janë shtuar listat e mëshirës në dyqanet e Shqipërisë?
65 – A e di sa fëmijë nuk blejnë dot libra dhe fletore, megjithëse u tha se ato do ishin falas?
66 – A e di se të varfrit sot marrin më pak ndihmë nga shteti i tyre?
67 – A e di se numri i atyre që marrin asistencë sociale është reduktuar me 30 për qind?
68 – A e di ku kanë shkuar tepricat e këtij kursimi?
69 – A e di se këto kursime kanë shkuar për të trukuar fytyrën në mënyrë që të gënjejnë pasqyrën?
70 – A e di se asnjë lek nga fondet që i janë hequr skemës së asistencës për të varfrit nuk ka shkuar për shkolla, për spitale, për rrugë, për subvencionim të punësimit apo të produkteve bujqësore?
71 – A e di se nuk ka mbaruar asnjë rrugë në këta dy vjet?
72 – A e di se premtimi kryesor i qeverisë në një qytet bregdetar është një pishinë publike?
73 – A e di se nuk ka më asnjë qeveri në botë që financon pishina, kulla, trena turistikë, pista patinazhi, stadiume dhe ishuj mbi lumenj?
74 – A e di ti se pudra e fytyrës kushton më shumë se e vërteta e pasqyrës?
75 – A e di se ekonomia jonë po prodhon çdo dite e më pak?
76 – A e di se rritja ekonomike gjatë vitit të shkuar duhet të ishte 2. 2 për qind dhe në fakt ajo ishte 1.7 për qind?
77 – A e di se shpenzimet për të mbajtur në këmbë administratën janë rritur me gati 15 për qind, ndërkohë që duhej të ishte e kundërta?
78 – A e di se shteti po mbledh mesatarisht 20 për qind të ardhura më pak si pasojë e rënies së ekonomisë, rënies së tregtisë dhe konsumit?
79 – A e di se dy vjet më parë morëm një kompani të huaj për të na i shtuar të ardhurat në dogana dhe për ta favorizuar atë që duhej të punonte kundër favorizimit, i hoqëm TVSH?
80 – A e di se kjo kompani nuk ka sjellë asnjë lek shtesë në të ardhurat tona?
81 – A e di se nuk ia kemi hequr TVSH asnjë investimi të huaj, asnjë të varfri, asnjë të mjeri, që blen gjithçka më shtrenjtë se dy vjet më parë?
82 – A e di që premtuam shëndetësinë falas?
83 – A e di se sa është shtrenjtuar kostoja e shëndetit?
84 – A e di se shteti duke braktisur spitalet publike po favorizon spitalet private, të cilat nuk i detyron të njohin kontributet e sigurimeve shëndetësore që i paguajmë që nga lindja?
85 – A e di se qeveria parashikon të shpërndajë taksat tona për të favorizuar universitetet private?
86 – A e di se të paktën 5000 fëmijë ikin çdo vit nga Shqipëria për të mësuar në Europë dhe shteti nuk u kthen familjeve të tyre asnjë lek nga taksat që ata kanë pagur për arsimin?
87 – A e di se ne nuk ia paguajmë më transportin mësuesve që shkojnë në fshatra?
88 – A e di sa i kushton një familjeje shkolla e fëmijës që është 10 km larg çdo ditë, në dimër dhe në verë?
89 – A e di se kemi fëmijët më të paarsimuar në rajon dhe se investojmë më pak se kushdo tjetër për shkollat?
90 – A e di se kur erdhëm në pushtet u tha se të gjithë arsimtarët dhe mjekët e Shqipërisë do merren me konkurs?
91 – A e di se këto konkurse nuk prodhuan asnjë ditë më shumë cilësi, më shumë barazi, më shumë transparencë për administratën tonë?
92 – A e di se nëse është e vërtetë se mësuesit merren në punë me konkurs, asnjë nga drejtuesit e pasurive publike, përfshi naftën, energjinë, telekomunikacionet dhe të tjera nuk është marrë me konkurs?
93 – A e di se drejtuesit e pasurive publike janë zgjedhur me shoqëri dhe pa asnjë kriter cilësie apo merite?
94 – A e di se kush është futur në Parlamentin e Shqipërisë?
95 – A e di se shqiptaret mendojnë se në Parlament mund të hysh vetëm nëse vret, nëse vjedh, nëse je i pashkollë apo nëse je i pasur?
96 – A e di se në Parlamentin tonë po të vrasësh quhet punë, kurse të bësh një libër quhet dembelizëm i ushqyer me taksa?
97 – A e di kush i futi vrasësit në Parlament?
98 – A e di pse i futi?
99 – A e di që e dinte kur i futi?
100 – A e di që partitë e atyre qe vranë janë ende në aleancë me ne?
101 – A e di që, nëse duhet të kandidosh për deputet apo kryetar bashkie, pyetja e parë që bëhet është sa lekë ke?
102 – Sa vota do blesh?
103 – Sa të varfër do ushqesh me miell dhe vaj ditën e zgjedhjeve?
104 – A e di që të pasurit vetëm zgjidhen kurse të varfrit vetëm zgjedhin?
105 – A e di se kjo ndodh vetëm me parlamentet e atyre vendeve, partitë e të cilave nuk bëjnë zgjedhje?
106 – A e di se po të jesh deputet, mund t’i kalosh policisë me një trafikant në makinë, ndërsa po të jesh i varfër nuk të presin sa ta paguash faturën minimale se përfundon në burg?
107 – A ke parë ndonjë të pasur në burgjet tona?
108 – A e di se dhe administratat e burgjeve po ndahen mes partive në koalicion?
109 – A e di se dhe të burgosurit po ndahen mes partive tona?
110 – A e di se propozimi i vetëm ekonomik që është bërë në këta dy vjet, është legalizimi i kanabisit që, nëse ndodh, mund ta kriminalizojë ekonominë dhe mund të dëmtojë me mijëra të rinj, duke i shtyrë në një hutim kolektiv?
111 – A e di se 1 milion votat që morëm në qershorin e vitit 2013, sot me sa duket nuk dalin?
112 – A e di që kemi marrë në koalicion të gjitha partitë që ishin në qeveri deri në qershorin e kaluar?
113 – A e di se administrata publike është një plaçkë që ndahet çdo ditë mes partive dhe prandaj kemi administratën më të degraduar dhe më mediokre të Europës?
114 – A e di, i dashur mik, se të gjitha sa thashë janë vendime personale?
115 – A e di se askush nuk është pyetur për sa më sipër, por përkundrazi, të gjithë janë detyruar të mbrojnë fytyrën për të ndëshkuar pasqyrën?
116 – A e kupton atëherë pse flas?
117 – A mendon akoma se është më mirë të mos flas?
118 – A beson se dëmtoj më shumë kur hesht apo kur flas?
119 – A e kupton tani kush i bën më shumë dëm Shqipërisë?
Fytyra apo pasqyra?

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY