Kuvendi i Kosovës mban sot një seancë plenare kushtuar 27 prillit, Ditës së Personave të Pagjetur të Luftës. Pas seancës, në kuadër të shënimit të Ditës së të Pagjeturve, është paralajmëruar të zbulohet një përmendore dedikuar personave të pagjetur që nga lufta e vitit 1999 në Kosovë.
Së fundmi, Prokuroria për krime lufte e Serbisë, ka bërë hulumtimin e një varreze të mundshme në rrethinën e Novi Pazarit, në fshatin Kozarevë, në afërsi të lumit me të njëjtin emër.
Gërmimet vlerësuese kanë nisur në bazë të disa hetimeve, të cilat i kanë bërë zyrtarët e kësaj prokurorie.
Zyrtarët e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur në Kosovë, të cilët kanë qenë të ftuar nga autoritetet serbe që të vëzhgojnë gërmimet, kanë theksuar se punimet janë ndërprerë, për shkak se kanë rezultuar të pasuksesshme dhe vend-gërmimi nuk përputhej me informacionet që kishte pala e Kosovës lidhur me varrezën eventuale masive, ku dyshohet të jenë varrosur civilët shqiptarë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Megjithatë, ata thanë se tashmë ky proces i gërmimeve vlerësuese ka nisur në Kozarevë të Novi Pazarit, dhe ai do të duhej të vazhdojë edhe më tutje.
Fati i personave të pagjetur mbetet një nga plagët më të rënda të luftës së fundit.
Sipas shifrave zyrtare, janë mbi 1.600 persona nga Kosova, fati i të cilëve mbetet i pazgjidhur.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/