Kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës, Dr Halim Kosova bashkëbisedoi sot me gratë kryefamiljare dhe ato me urdhër mbrojtje si rezultat i dhunës së ushtruar nga bashkëshortët. Kushtet e vështira ku jetojnë, heqja nga skema e ndihmës ekonomike, mosmiratimi i banesave sociale në Këshillin Bashkiak ku disa janë përfituese, ishin disa prej shqetësimeve qe iu shprehen Dr. Halim Kosovës.
“Unë jam nënë me fëmijë jetim dhe këto mbrapa janë shoqet e mia i kishin fëmijët me problem, fëmijë të sëmurë dhe ne ia parashtruam këtë doktorit që kur të vijë si Kryetar Bashkie të shohë pak nga ne, nga shtresa jonë nga hallet e problemet që i kemi të cilat janë të shumta. Për ne, nënat me fëmijë jetim , është ndihma ekonomike qe nuk e përfitojmë sepse shkojmë aty e na thonë nuk i plotësoni kushtet. Se çfarë kushtesh duhen për ndihmën ekonomike e dinë këta kur në një kohë që të gjithë pushtetarët tanë na kanë premtuar që do e keni , ne të vërtetë nuk është. Pastaj janë ato nëna të tjera që kanë fëmijë të sëmurë, prap edhe ato nuk i plotësojnë kushtet thonë. Këto ishin pak a shumë hallet tona që kemi. Unë që jam nënë me fëmijë jetim do të kërkoja këtë që ndjej mbi supet e mia, ato fëmijë që nuk kanë mundësi të paguajnë për tu shkolluar në shkollat e larta. Të paktën si Bashki, meqë jemi në Bashkinë e Tiranës të ishte përgjysmë shkolla e lartë, të kishte bursa, të cilat nënat me fëmijë jetim i kanë shumë shumë të pakta. Këto do të kërkoja. Asistencën, shkollimin e lartë mos ta paguajmë siç paguajnë të gjithë fëmijët me prind, por të paktën të jetë përgjysmë, ose abonetë, gjerat që i hasin shumë nënat me fëmijë jetim sot për sot”, u shpreh një prej kryefamiljareve.
Më pas, Dr. Halim Kosova, iu përgjigj edhe interesimit të medieve.
Shumë i gjatë takimi me personat që ishin në këtë qendër. Çfarë shqetësimesh shpalosën?
Njeriu kujton se i di të gjitha, mirëpo kur prek realitetin e merr vesh se sa pak informacion ke pasur për një problem shumë të mprehtë. Unë sot takova një grup grash, që janë përfaqësuese të një numri akoma më të madh por që rrinë të heshtura, të dhunuara, që sakrifikojnë për hir të fëmijëve dhe nuk e shfaqin kurrë problemin e tyre. Ky është një problem shumë i mprehtë që është prekur disa herë nga mendja, por ky problem dhe shumë probleme të tjera që shoqëria ka mund të gjejnë zgjidhje vetëm në qoftë se të gjithë së bashku dhe ju bëni një punë të jashtëzakonshme si media, herë pas here në emisione e keni bërë këtë punë, problemet që kemi t’i bëjmë të dukshme. Në qoftë se problemet do ti vëmë mbi tavolinë, e ti bëjmë të dukshme, atëherë se s’bën do gjendet zgjidhja. Problemet janë kaq të panumërta sa ishte e paimagjinueshme kjo gjë. Unë vërtetë po largohem nga kjo qendër por gjithë ditën ndoshta dhe më gjatë do më ngele ajo çka dëgjova nga këto gra.
Çfarë kërkuan këto gra ju si kandidat për kryetar bashkie?
Nuk është se ato më kërkuan si kandidat për Kryetar Bashkie, por unë kisha nevojë të njihesha me problemet dhe them se do të ketë qenë një nga takimet më të vlefshme ndoshta të gjithë fushatës, megjithatë do të vijë fundi e do ta them. Por më bëri shumë mirë për tu orientuar se çfarë heq një pjesë e popullatës por e them edhe njëherë, numri është shumë herë më i madh. Unë pyeta për shifrat sa janë në Tiranë dhe gjithë ideja ime është ajo që i premtova, pa bërë shumë fjalë, është që le të bëjmë një shembull se si kjo kategori duhet të trajtohet në vendin tonë dhe prodhimi i një shembulli mund të jetë shumë lehtë i transferueshëm edhe në qytete të tjera.
Nuk po e zgjas më shumë sepse që tani do filloj të mendoj, kuptohet gjënë më elementare, anën shëndetësore, por ky nuk është problem i vetëm, ato kanë shumë gjera të tjera. Do ti ndaj, çfarë janë gjërat personale që unë mund ti bëj edhe bashkëshortja ime është gati përnjëherë sepse e kuptojmë njëri-tjetrin direkt, por le të shohim çfarë do bëjmë pak më shumë. Shoqëria duhet t’i kthejë sytë karshi këtij kontingjenti me vëmendje të jashtëzakonshme. Unë kam qenë edhe Ministër Shëndetësie dhe tani vërtet është fatkeqësi e jashtëzakonshme kur familja “gëzohej” që kishte një fëmijë me të meta mendore sepse nëpërmjet tij mund të merrte një asistencë. Kjo është shumë e dhimbshme për popullin tonë, megjithatë këto janë sinjale që të mobilizojnë dhe ta forcojnë më shumë bindjen për vendimin që unë kam marrë.
Unë ju falënderoj dhe kam shumë shpresë që edhe ju do të jeni përkrah jo vetëm ideve të mia por ideve të çdokujt që janë pozitive për të përmirësuar situata të papranueshme, për Shqipërinë tonë, për qytetin tonë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/