Shtyhet për në fund të seancës së sotme, votimi i Kuvendit për raportin e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve lidhur me kërkesën e grupit parlamentar të PD-së, ku kërkohet mbarimi i mandatit të deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima. Shkak për shtyrjen e votimit, ka qenë mungesa e deputetëve në sallën e Kuvendit, për pasojë, nuk plotësohej kuorumi.
I mbledhur një ditë më parë, Këshilli vendosi që në seancën e sotme të votohen dy raporte të ndryshme, ku shprehet mendimi i të dy palëve në Kuvend. Mazhoranca kërkon që parlamenti të mos e pranojë kërkesën e PD-së, ndërsa opozita përfundimin e mandatit të deputetit socialist dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Vasilika Hysi: Kuvendi të rrëzojë kërkesën e opozitës
Në emër të mazhorancës, deputetja socialiste Vasilika Hysi prezantoi në seancë raportin e anëtarëve të shumicës në Këshillin e Mandateve. Ajo tha se kërkesa e kolegëve të opozitës për të kërkuar heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima nuk ka bazë ligjore dhe kushtetuese. Deputetët e opozitës pretendojnë se deputeti socialist ka kryer transaksione nga kompania “Abissnet” në 150 raste gjatë kohës që ka qenë deputet.
“Kontratat datojnë shumë kohë më parë. Pasi është shpallur deputet ai ka përfituar pagesat në sajë të kontratave të lidhura kohë më parë. Ligji nuk e parashikon që deputetit duhet t’i prishte kontratat që kishte lidhur para mandatit. Kokëdhima ka vazhduar të mbajë aksione në një kompani private edhe pasi ka dalë mandati i KQZ, por kjo se vë në konflikt interes, se ligji nuk i ndalon të ketë aksione në një kompani tregtare. Anëtarët e mazhorancës sugjerojnë rrëzimin me votim të kërkesës së 14 kolegëve të opozitës se është çështje që nga pikëpamja kushtetuese është e zgjidhur qartë”, u shpreh deputetja Hysi.
Arben Ristani: Kryeministri po fsheh shkeljen e Kushtetutës nga Koço Kokëdhima
Deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani tha se mazhoranca po mbron deputetin Koço Kokëdhima përmes forcës së kartonit në Kuvend.
“Pas marrjes së mandatit përfitimi nuk është 1 dollar dhe janë 150 raste që paratë kanë hyrë në xhepat e deputetit Kokëdhima. Kërkon të mbrohet nëpërmjet kartonit të shumicës parlamentare. Vendimi i Ramës për të mbrojtur deputetit është rast i paprecedentë për parlamentarizmin. Nuk ka ndodhur që në sy të gjithë shqiptarëve deputeti të shkelë në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe kryeministri t’ia fshehë drejtësisë. Me apo pa dakordësinë e pozitës, kjo çështje do të paraqitet në kushtetuese. Nëse do pengoni Kushtetuesen të shqyrtojë çështjen është tregues i cenimit të demokracisë në këtë vend”, u shpreh Ristani.
Koço Kokëdhima: Nuk kam pasur asnjë rast kur të kem shelur ligjin
Shqyrtimi i kërkesës së opozitës për heqjen e mandatit ka nxitur edhe reagimin e deputetit Koço Kokëdhima. Deputeti Koço Kokëdhima akuzoi deputetin Arben Ristani se në Mbledhjen e Këshillit të Rregullores ishte i dehur. Ai e cilësoi Ristanin si bori të zgjedhur nga Sali Berisha.
“Dëshiroj të shpreh pakënaqësinë time për zotin Ristani i cili u zgjodh të përdoret nga Saliu në këtë seancë kundër meje. Ristani është nip në fshatin tim por gjyshi i Ristanit ishte Pllatulla. Pllatulla ishte kushëri i parë me gjyshin tim e kishte bërë Baxhia motra e Mitros. Dhe mund të kishte zgjedhur Saliu një bori tjetër për ta përdorur kundër meje. Kam një këshillë për ty Ristan se të ndoqa me vëmendje në komisionin mandateve. Ishe i dehur, ishe bërë dhogë dhe kjo të turpëron tre herë: një herë si anëtar i këshillit, si kushëri i imi dhe si deputet i opozitës”, u shpreh Kokëdhima.
Më tej ai e akuzoi deputetin Ristani se ka shkelur ligjin gjatë kohës që ishte kryetar i KQZ-së dhe vazhdonte të merrte rrogën si zëvendësministër.
“Ke shkelur ligjin dhe ke vepruar në papajtueshmëri me ligjin kur ke marrë rrogën si zëvendës ministër duke qenë Kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve. Dua ti drejtohem zgjedhësve të mirë dhe tu kërkoj ndjesë që jam i detyruar të flas për veten time dhe tu marr kohë për të dëgjuar çështje që lidhen me punën dhe aktivitetin tim. Saliu me të vetët përpiqet të bëj pis figurën time. Ka mobilizuar edhe familjen e tij dhëndrin dhe fëmijët që të bëjnë pis portretin tim me shpifjet”, u shpreh Kokëdhima.
Më tej Kokëdhima theksoi se nuk ka pasur asnjë rast kur ai ka shkelur ligjin dhe detyrën që mban. Sipas tij, kjo është një luftë nga profanët e Sali Berishës.
Nga ana tjetër, deputeti i PS-së deklaroi e nuk kanë qenë 150 kontrata, të cilat i përmendi deputeti i PD-së, Ristani, por vetëm 11 kontrata, të cilat janë lidhur para se ai të merrte mandatin e deputetit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/