Basha me deputetët e PD-së: Shteti në duart e mafies, Meta e...

Basha me deputetët e PD-së: Shteti në duart e mafies, Meta e Tahiri të dorëhiqen

57
0
Shares

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë Rama-Meta për dorëzim pa kushte në duart e mafies, ndërkohë që ministri i Brendshëm, sipas tij, është gjithashtu i përlyer me urdhër të Ramës.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Basha ka ngulmuar në dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Kreut të Kuvendit, Ilir Meta.
Gjatë fjalës së tij, Basha ka theksuar se PD­-ja është e vendosur në kërkesën e saj për dorëheqjen e Metës dhe Tahirit, me praninë e të cilëve në postet që mbajnë, sipas tij, nuk mund të ketë drejtësi për çështje që kanë shqetësuar mbarë opinionin, si “Doshi” e “Frroku”.
Ai përmendi edhe vendimin e Gjykatës së Lartë për Arben Frrokun, akt të cilin e ka cilësuar si rrëqethës. Sipas tij, ky akt, zhdukja e dëshmitarëve, publikimi mafioz i emrit të dëshmitarit të mbrojtur dhe lidhja e gjyqtarit kryesor me PS është kuptuar nga shqiptarët.
Basha tha se PD do t’i shkojë deri në fund fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin Mark Frroku, teksa kërkoi dorëheqjen e Metës dhe Tahirit.
Kryedemokrati Basha denoncoi edhe emërimet politike në administratë.
Për Bashën ekonomia është drejt një fundi katastrofik dhe papunësia po rritet ndjeshëm. Basha tha se oferta e tyre e re parandalon katastrofën dhe kthen vendin në rrugën e zhvillimit.


Fjala e Lulzim Bashës, në mbeldhjen e grupit parlamenar të PD-së
Dua ta nis këtë mbledhje javore të grupit parlamentar, duke  sjellë në  qendër të vemendjes katastrofën e shpërthimeve në zonën naftëmbajtëse të Marinzës me   pasojat të tmerrshme për jetën, shëndetin dhe pronat e banorëve. Në këtë emergjencë të rrezikut të madh të vazhdimit dhe përsëritjes së shpërthimeve në Marinzë dhe në gjithë zonën përreth unë shpreh solidaritetin tonë të plotë me familjet e goditura nga shpërthimet.
Për ne asgjë nuk është më parësore se sa rehabilitimi dhe mbrojtja e banorëve; asgjë, asnjë interes tjetër nuk qëndron mbi të drejtat dhe nevojat e qytetarëve. Ata, jeta e tyre, siguria e tyre është e para për ne.
Ndaj, i kërkojmë sot qeverisë:
Të marrë përgjegjësitë dhe të gjitha masat e duhura për dëmshpërblimin e plotë të familjeve dhe subjekteve të goditura nga shpërthimet, në bazë të evidentimit të saktë të dëmëve dhe vlerës së tyre.
Të marrë përgjegjësitë për zbulimin e shkaqeve të katastrofës, evidentimin e përgjegjësive konkrete të kompanisë “Bankers” dhe çdo subjekti e institucioni tjetër, përfshirë institucionet e shëndetit publik që i kanë lënë banorët pa asistencën minimale mjekësore, ndëshkimin konform ligjeve të shtetit shqiptar të  çdo subjekti apo individi përgjegjës për situatën e rëndë.
Marrjen e menjëhershme të masave për rehabilitimin e zonës së goditur, për mospërsëritjen dhe evitimin e shpërthimeve të ngjashme në gjithë zonën naftëmbajtëse.
Jemi duke ndjekur  nga afër zhvillimet në terren. Deputetët tanë së bashku me pushtetarët tanë vendorë kanë qenë që prej çastit të parë e çdo ditë pranë banorëve. Do të mbajmë qëndrimet tona në Kuvend dhe jashtë Kuvendit në  vartësi të përmbushjes nga qeveria dhe kombania “Bankers” të detyrimeve para  banorëve.
Të  nderuar deputetë,
Shqiptarët kanë ndjekur me vlerësim të lartë ushtrimin e shkëlqyer të përgjegjësive të grupit tonë parlamentar në seancën e javës së kaluar, që kishte në qendër të debatit skandalin e padëgjuar të fshehjes  së kërkesës së Interpol-Brukselit për deputetin e shumicës Mark Frroku, i akuzuar nga drejtësia belge për vrasje.
Me forcën e fakteve të pakundërshtueshme, me forcën e arsyes dhe kurajos, deputetët demokratë argumentuan bindshëm dhe nxorrën në dritë të diellit para shqiptarëve fshehjen e qëllimshme të kërkesës së Interpol Bruskelit nga një strukurë vertikale partike dhe klanore, që nis me Edi Ramën, vazhdon me Saimir  Tahirin dhe mbyllet me shefin e zyrës së Intepolit, i importuar edhe ai në policinë e shtetit nga repartet politike të Partisë Socialiste.
Edi Rama kishte një mundësi ta linte veten jashtë implikimit të drejtpërdrejtë në këtë skandal: të largonte nga qeveria Ministrin e tij të Brendshëm, i cili ka mbushur e derdhur disa kupa me skandale të rënda dhe dështime spektakolare, por që me skandalin e fundit i vuri një vulë të madhe rekordeve të mëparshme.
Po çfarë bëri Edi Rama? Nuk e largoi ministrin e stërpërlyer. Përkundrazi. I rrahu shpatullat. Sepse edhe Tahiri, edhe ata të tjerët poshtë Tahirit që janë përlyer me këtë skandal, kanë qenë dhe janë nën urdhërat e Ramës, kanë zbatuar e zbatojnë si ushtarë të bindur urdhërat e tij. Edi Rama provoi edhe njëherë se çfarë është e turpshme, çfarë është e ndotur, çfarë është kriminale në qeverisjen e tij vjen prej tij, ka bekimin e tij. E panë gjithë shqiptarët si shkoi në parlament të krekosej si gjel me batuta gojëpisi e të dala boje, por përfundoi si pulë e lagur përballë  vendosmërisë dhe logjikës së hekurt të deputetëve tanë.
Rama-Meta i kanë bërë skandalet si buka që hanë. Këta prodhues të pakonkurueshëm zullumesh kanë gjetur të mbahen, si pas fijes së kashtës, pas  shprehjes “çdo çudi zgjat tre ditë”. Pra nuk llogarisin të dalin nga cikli i skandaleve  me llogaridhënie, me transparencë, me dorëheqje, me reflektime dhe me korigjime adekuate për të mirën publike, por me të hedhur, me hile duke llogaritur lodhjen e njerëzve nga e keqja, mbulimin e të keqes me të keqe, harrimin.
Nuk u mbyll për tre ditë dhe s’ka për t’u mbyllur as për tridhjetë e as për treqind fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit ndaj deputetit të shumicës, Mark Frroku që përveçse një ortak i Edi Ramës në skemat e tij me deputetë të inkriminuar, është dëshmitari kyç i denoncimit të vrasjes me pagesë të dy deputetëve me porosi të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Skandali ndjek skandalin. Sa iu hodhën hekurat Mark Frrokut, pasi plasi skandali i fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit, vjen akti tronditës, rrënqethës i shpalljes së pafajësisë së Arben Frrokut, të akuzuarit kryesor për vrasjen e komisar Dritan Lamaj. Ky akt i njollosur nga zhvlerësimi i dëshmive, zhdukja e dëshmitarëve dhe publikimi mafioz i identitetit të dëshmitarit të mbrojtur, si dhe  lidhjet e forta familiare  të gjyqtarit kryesor me Partinë Socialiste është kuptuar nga shqiptarët pa dallim për atë çfarë është: një tjetër arritje e mafias në kupolën e shtetit, një tjetër sprapsje e shtetit ligjor para shtetit të mafias një tjetër dorëzim i sovranitetit demokratik në duart e mafias së bërë njësh me qeverisjen e dyshes Rama Meta.
Njeriu që ka vendosur standartin e turpshëm të kërcënimit me gjuhë të ulët të gjyqtarëve me telefon për të mbajtur në burg fukarenj që nuk arrijnë të paguajnë dot faturat e kripura të energjisë nuk u ndje, nuk pipëtiu, nuk tha asnjë fjalë të vetme në publik për këtë vendim që tronditi mbarë opinionin publik dhe partnerët tanë.
Një tregues më vete, i pashoq në  Europë, është fakti se Rama-Meta sillen me  dyshimet e bazuara mbi fakte dhe prova dhe akuzat e opozitës si të ishin të pandehur, e jo si qeveritarë, jo si politikanë. “Nuk na kapni dot se nuk keni prova”- ky është  refreni i  tyre.
Mendjeshkurtësia u thotë se duhet t’i kapim duke porositur vrasje, duke urdhëruar fabrikimin e dëshmive, duke fshehur e urdhëruar fshehjen e kërkesave të  Interpolit, duke manipuluar apo blerë drejtësinë në pjesët e korruptuara të saj.
Nuk mbajnë përgjegjësi politike për fakte botërisht të njohura, që nuk kanë nevojë të hetohen nga organet e hetimit, siç është përshembull, përpjekja e Ilir Metës për t’ia faturuar ish-kryeministrit dhe ish kreut të PD-së planin për vrasjen e dy deputetëve në kohën kur Rama-Meta nuk kishin vendosur akoma ta shpallnin si inskenim.
Zullumet e tyre i kanë zënë rrugën Shqipërisë, i kanë bllokuar frymëmarrjen dhe arteriet zhvillimit.
Zullumet e tyre janë armiku i dinjitetit, paqes dhe normalitetit të shqiptarëve.
Ne do të vazhdojmë betejën tonë. Ne do t’i shkojmë deri në fund fshehjes së qëllimshme të kërkesës së Interpol Brukselit. Sepse kemi bindjen se në këtë  skandal është përmbledhur një pjesë e rëndësishme e historisë së krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim në qeverisjen Rama-Meta. Ky skandal është një prej nyjeve gordiane që duhet të presë me çdo kusht ligji, drejtësia dhe demokracia e re për të rrëzuar krimin nga pushteti dhe pushtetin e krimit.
Ne ngulmojmë me forcë në kërkesat tona për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit,  Ilir Meta dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke i konsideruar këto dorëheqje një kusht të domosdoshëm për çlirimin e hetimeve të krimeve të rënda  nga dara e pushtetit dhe njëherësh për një dekriminalizim të vërtetë që starton me shkurajimin dhe jo me inkurajimin e krimit nga krerët e qeverisë.
Në ilustrim të këtij qëllimi kemi denoncuar dhe denocojmë me forcë dhënien e lagunës së Patokut një firme pa aktivitet, pa histori, e krijuar enkas para dy muajve për të marrë llokmën e paracaktuar sepse është e vëllait të deputetit të PS-së, Armando Prenga. Veç të tjerash, kjo është një sfidë që kryeministri Edi Rama po i bën personalisht misionit të dekriminalizimit. Deputeti Prenga, vëllai i përfituesit të lagunës së Patokut, apo vetë përfituesi, siç u shprehën të indinjuar  peshkatarët e vjetër të Patokut, është subjekt i dekriminalizimit për shkak të rekordeve të tij nga periudha e qëndrimit në Itali para se të bëhej deputet i Edi  Ramës.
I akuzuari dhe i shpalluri në kërkim për përdhunim, me Edi Ramën dhe Ilir Metën bëhet doganier në Korçë. I arrestuari për falsifikimin pasaportash, me Edi Ramën dhe Ilir Metën bëhet shef i IT në drejtorinë e Tatimeve në Korçë.
Këto raste, dhe qindra të tjera që Partia Demokratike ka denoncuar janë arsyeja madhore pse dekriminalizimi duhet bërë, pse vendi dhe qytetarët duhet të çlirohen një orë e më parë nga këta banditë të veshur me kollaro e pushtet nga Edi Rama e Ilir Meta.
Ndërkohë që inkriminimi i qevrisjes rama meta prodhon çdo ditë skandale, rendi po rrokulliset përditë, pasiguria është shtuar frikshëm siç ishin dje vrasjet tragjike në Vlorë apo dalja e maskave në akset kombëtare.
Krimi dhe kriza ekonomike, pasiguria dhe rrokullisja e ekonomisë janë anë të së njëjtës medalje në qeverinë Rama-Meta. Një qeveri që ka ngritur krimin në sistem dhe është bërë njësh me të nuk mund të ndërtojë kurrë një ekonomi të shëndoshë.
Ta harrojnë, dhe me sa kam parë, e kanë harruar shqiptarët. Ta harrojë dhe me sa po shohim, e ka harruar edhe vetë qeveria. Shqipëria në fakt nuk qeveriset në pikpamje ekonomike. Ekonomia jonë është si një anije pa timonier në dallgët e fatit. Eshtë pasqyra më qartë e papërgjegjshmërisë, paaftësisë, korrupsionit dhe  babëzisë së një oligarkie që është sulur të përfitojë sa të mundet dhe ku të mundet për vete.
Kemi shpalosur e analizuar në vijimësi në mbledhjet e grupit treguesit e gjendjes ekonomike sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it. Trendi kostant ka qënë gjithnjë  përkeqësimi. Por rënia dhe rrokullisja në dy muajt e parë të vitit 2015 ka marrë shpejtësinë dhe intensitetin e një fundi katastrofik.  
1.Totali i të ardhurave për dy muajt e parë të vitit përveçse rezulton më i ulët  sesa planifimi (325 milionë lekë më pak), rezulton edhe me i ulët sesa fakti i periudhës janar-shkurt 2014 (703 milionë leke më pak).
2.Të ardhurat nga “tatimet dhe doganat” rezultojnë 691 milionë lekë më pak sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar (nga doganat -422 milionë lekë dhe nga tatimet -269 milione lekë).
3.TVSH rezulton 266 milionë lekë më pak sesa janar-shkurt 2014. Asnjë qindarkë nuk është paguar për rimbursimin e TVSH-së.
4.Tatim fitimi rezulton plot 921 milionë lekë me pak sesa plani i dy-mujorit, dhe 312 milione lekë më pak sesa janar-shkurt 2014.
5. Ndonëse u rritën akcizat, kemi një mosrealizim prej 961 milione lekë në krahasim me planifikimin dymujor qeveritar.
6. Gjithashtu, ndonëse u rrit tatimi mbi të ardhurat personale, dy muajt e parë të vitit aktual janë tronditës përsa i përket të ardhurave nga ky zë. Kemi një mosrealizim prej 628 milionë lekë në krahasim me planin, dhe njëkohësisht të ardhurat e dy muajve të pare të 2015 janë 579 milione lekë më të ulëta sesa të ardhurat e dy muajve të parë të vitit 2014.
7. Ndonëse papunësia është në rritje, shpenzimet për pagesën e papunësisë gjatë periudhes janar-shkurt 2015 janë 26 milionë lekë më pak sesa plani dhe 82 milionë lekë më pak sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
8. Edhe pagesat për ndihmën ekonomike janë 571 milione lekë më të ulëta sesa plani i dy-mjujorit dhe 2604 milionë lekë më të ulëta sesa fakti janar-shkurt 2014.
9. Ndonëse çmimi i energjisë u rrit për shumicen dërrmuese të konsumatorëve shqiptarë, asnjë qindarke nuk u shpenzua gjatë dy-mujorit të parë të 2015 për “kompensimin për shtresat në nevoje”, zë i cili do përdorej për të ulur disi efektet negative të ndryshimit të skemës së tarifimit dhe heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kë.
10. Shpenzimet kapitale rezultojne 1.9 miliardë lekë më të ulëta sesa plani prej 5.4 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe e mosrealizimit është të financimi i brendshëm, prej pothuajse 1.5 miliardë lekë.
Këto janë vetëm një pjesë e shifrave që ilustrojnë dështimin e dyfishtë të kësaj qeverie.
Dështim me planin e saj për ketë vit.
Dështim në raport me treguesit e saj para një viti.
E mbani mend si mburreshin kur erdhën në krye të qeverisjes se nuk do të mateshin me qeverinë tonë, por do të mateshin me veten e tyre. Tani nuk e thonë më. Tani e kanë lëshuar pa duar, siç më thanë disa qytetarë në Vlorë javën e  shkuar.
Gjendja e ekonomisë i padit si; të paditur, të papërgjegjshëm, të paaftë që nuk u  gjendet shoku, por edhe të pacipë që nuk u gjendet shoku. Nuk bëjnë dot detyrën e tyre më elementare, ekperimentojë sa në dogana, sa në tatime me zgjidhje që  kundërmojnë era korrupsion, nga ana tjetër u kanë lidhur lakun në fyt shumicës dërmuese të qytetarëve me çmimin e rritur të energjisë elektrike, me çmimin e rritur të karburanteve, me çmimin e rritur të arsimimit, me çmimin e rritur të shërbimit shendetësor, me tarifat e kripura të korrupsionit në çdo sportel ku qytetarët paraqiten për të marrë shërbimet që u takojnë.
Vetëm marrin nga qytetarët. Nuk u kthejnë asgjë atyre.
Qytetarët e kanë kuptuar dhe po e kuptojnë çdo ditë e më qartë se varfëria e tyre, varfëria dhe përkeqësimi në Shqipëri kanë në themel një qeveri totalisht të paaftë për të prodhuar zhvillim, totalisht arbitrare për t’u marrë atyre kacidhen e fundit.
Qytetarët e kanë kuptuar dhe po e kuptojnë se Rama-Meta nuk e ndalojnë dot rënien, nuk e kthejnë dot rrotën e përkeqësimit. Me keqardhje përsëris se me ta  keq e më keq do të bëhet. Marsi ishte më keq se shkurti, prilli më keq se marsi. Kriza, përkeqësimi dhe krimi janë produkti i tyre, janë fryti që prodhon kjo dyshe, janë “talenti” i  tyre, që vetëm te zeza u ka sjellë e do tu sjellë shqiptarëve deri sa t’i kenë në krye.
Në këto kushte, njëherësh me denoncimin ditë për ditë të dështimeve të tyre, ne kemi shpallur dhe po çojmë përpara komunikim intensiv me qytetarët ofertën  tonë të re. Ne e dimë si mund të ndalohet katastrofa, ne e dimë si mund të fillojë ngjitja, ne e dimë si mund të kthejmë zhvillimin.
Qytetarët shqiptarë masivisht dhe në mënyrë të përsëritur, i janë bashkuar thirrjes së Partisë Demokratike për uljen me 14 përqind të TVSH-së së energjisë elektrike, dhe për heqjen e taksës së qarkullimit për karburantet, që janë sot 24 lekë të reja për litër.
Përllogaritja e këtyre taksave tregon se qytetarët dhe bizneset paguajnë për çdo litër karburant, 1008 lekë taksën-rama. Kjo e ka shndërruar Shqipërinë në vendin ku paguhet më shtrenjtë karburtanti, edhe pse kemi të ardhurat më të ulëta në Europë.
Abuzimi i qeverisë rama-meta me qytetarët, veçanërisht me ata në nevojë, u thellua e arriti kulmin me rritjen nga 7.7 lekë, në 9.5 lekë të çmimit të energjisë. Që do të thotë efektivisht një rritje prej 25 përqind për shumicën e qytetarëve ndërkohë që të ardhurat e tyre janë më pak se sa vitin e shkuar. Efektet po i ndjejnë qytetarët prej dy muajsh, duke paguar gati dyfishin e tarifës.
Përveç protestave e bashkimit në shesh të zërit të qytetarëve, Partia Demokratike ka paraqitur në Kuvend prej dy muajsh e gjysëm amendamentet për ndryshimin e Ligjit për Taksat Kombëtare dhe ndryshimin e Ligjit për TVSH duke propozuar; Heqjen e rritjes së Taksës së Qarkullimit dhe rikthimin në nivelin e mëparshëm; dhe uljen me 14% të TVSH për energjinë elektrike sipas vetë premtimit elektoral të Edi Ramës.
Asnjë reflektim nga qeveria, nga Edi Rama.
Ulja e dy taksave të sipërpërmendura është vetëm hapi i parë në sprapsjen e politikës së futjes së duarve të qeverisë në xhepat e qytetarëve dhe sipërmarrjes që ka sjellë edhe asfiksimin e ekonomisë kombëtare dhe individuale.
I bëjmë thirrje qeverisë dhe shumicës parlamentare të shqyrtojnë pa vonesë dhe të aprovojnë propozimet tona. Nesër bashkë me pranimin e amendamenteve tona  është rasti të nisim nga puna për një pakete masash për nxjerrjen e ekonomisë nga kriza ku e ka futur vendin rritja e taksave, paligjshmëria dhe arroganca e qeverisë rama-meta.
Nëse nuk ka reflektim, nëse qeveria e lakut në fyt për qytetarët dhe luksit prej sheiku për qeveritarët do të refuzojë sërish të hapë sytë dhe veshët, e pret përballja më masive dhe vendimtare me popullin e vet, të djathë e të majtë që nuk mbajnë dot më, nuk durojnë dot më dhe që nuk mund të gëlltisin më, dhe as të ushqejnë fëmijtë e tyre me lugën boshe e të ndryshkur të mashtrimeve të dyshes Rama-Meta.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY