Presidenti Nishani: Drejtësia të zbardhë akuzat ndaj dy deputetëve, partitë politike të...

Presidenti Nishani: Drejtësia të zbardhë akuzat ndaj dy deputetëve, partitë politike të angazhohen për dekriminalizimin

66
0
Shares

Presidenti Bujar Nishani inkurajon institucionet e drejtësisë që të zbardhin në mënyrë sa më profesionale akuzat më të fundit për dy deputetët e parlamentit të Shqipërisë. Presidenti Nishani iu tha sot gazetareve se ai nuk ndërhyn në këtë çështje, por theksoi se dekriminalizimi i politikës është nevoje urgjente, ndërsa shtoi se partitë politike duhet  të largojnë sa më parë personat e inkriminuar nga administrata.
Deklaratën e tij, presidenti Nishani e bërë gjatë një konference shtypi, me homologun maqedonas Gjorge Ivanov.
I pyetur lidhur me çështjet “Doshi” dhe “Frroku” Presidenti Nishani u përgj se, “Presidenti i Republikës dhe asnjë institucion tjetër nuk mund të komentojë vendimet e Prokurorisë dhe Gjykatave. Në një demokraci si vendi ynë sistemi gjyqësor është i pavarur. Marrëdhëniet mes Prokurorisë dhe Parlamentit është një marrëdhënie që i takon strikt në bazë të Kushtetutës atyre. Unë shpreh mbështetjen e plotë për institucionet e drejtësisë për të gjykuar në mënyrë të drejtë, transparente dhe paanshme që të kryejnë detyrën. Dhe nga ana tjetër, në bazë të marrëveshjes së arritur mes mazhorancës dhe opozitës të vijojë largimi i personave me të shkuar kriminale nga administrate”.
Ndërkohë, në konferencën për shtyp me homologun maqedonas, Presidenti i Republikës vlerësoi se për Shqipërinë Maqedonia është një vend fqinj shumë i rëndësishëm dhe mik, me të cilin kemi marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe shumë dinamike. Duke vlerësuar se Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Maqedonisë në vitin 1993, Presidenti Nishani theksoi se në këto 22-vjet bashkëpunimi ka evoluar në mënyrë pozitive dhe është e rëndësishme ruajtja e këtij trendi.
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, duke theksuar se ky bashkëpunim ende nuk i përgjigjet nivelit të bashkëpunimit politik. Përqendrimi i bashkëpunimit në sektorët e energjetikës, turizmit, bashkëpunimit ndërkufitar, shfrytëzimit të koordinuar të ujërave të përbashkëta lumore e liqenore e të tjera, u bënë temë e diskutimit mes dy Presidentëve. Në këtë aspekt Presidenti Nishani theksoi se: “është e domosdoshme koordinimi i veprimeve mes institucioneve të të dy vendeve për projekte të ndryshme, me impakt të drejtpërdrejtë ekologjik dhe ekonomik tek vendi tjetër, në respekt të marrëveshjeve dhe protokolleve në fuqi, pasi respektimi i tyre ndikon edhe në ruajtjen dhe forcimin e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve”.
Kreu i Shtetit përshëndeti interesin e përbashkët strategjik të integrimit të të dy vendeve në Bashkimin Evropian, duke theksuar se aspiratat e përbashkëta për të qenë vende anëtare të BE-së na nxisin dhe motivojnë që marrëdhëniet mes dy vendeve të ngrihen në një nivel më të lartë bashkëpunimi.
Ndërsa duke u ndalur tek interesi i Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO, Presidenti Nishani theksoi se, “Shqipëria e mirëpret anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, pasi vlerëson se kjo është në interesin më të mirë të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Presidenti i Republikës i kushtoi një vëmendje të veçantë situatës së popullsisë shqiptare në Maqedoni dhe pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri, duke theksuar se, pavarësisht statusit të ndryshëm që ato kanë në vendet respektive, ato duhet të shërbejnë si ura mirëkuptimi dhe bashkëpunimi.
“Situata dhe të drejtat e popullsisë shqiptare në Maqedoni, janë të lidhur ngushtë me zbatimin sa më shpejt dhe të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një marrëveshje e ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar. Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni kanë një rëndësi të veçantë edhe për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Presidenti Nishani.
Ndërsa duke u ndalur tek pakica kombëtare maqedonase në Shqipëri, Presidenti i Republikës vlerësoi se kjo pakicë jeton në harmoni të plotë dhe miqësi me shqiptarët si dhe e garantoi homologun e tij maqedonas, se institucionet shqiptare, në respekt të Kushtetutës së vendit, konventave për të drejtat e njeriut dhe Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve, që përcaktojnë dhe standardet më të mira, janë të interesuara për t’i garantuar kësaj pakice të drejtën e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar.

 
 
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY