Vujanović – Nishani: Rajoni duhet të funksionojë përmes përfshirjes së të gjitha...

Vujanović – Nishani: Rajoni duhet të funksionojë përmes përfshirjes së të gjitha vendeve të tij

82
0
Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e një vizitës shtetërore në Mal të Zi, u prit sot nga Presidenti, Filip Vujanović, me të cilin bisedoi dhe shkëmbeu mendime për një sërë çështjesh me karakter dypalësh, rajonal, evropian, por edhe global.
Presidenti i Republikës i vlerësoi marrëdhëniet e Shqipërisë me Malin e Zi si marrëdhënie shumë të mira e miqësore, duke theksuar se për shqiptarët Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj, por edhe një vend mik me të cilin ndajmë vlera e sfida të përbashkëta. Kreu i Shtetit u shpreh se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Malit të Zi përbëjnë një model fqinjësie shumë të mirë dhe orientimi i qartë i tyre euro-atlantik e bën edhe më të fortë këtë marrëdhënie.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen në emër të qytetarëve shqiptarë për ndihmën e dhënë nga Mali i Zi për kapërcimin e situatës së emergjencës nga përmbytjet e fundit në jugun e Shqipërisë, si dhe shprehu interesin e Republikës së Shqipërisë për të thelluar dhe forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Kreu i Shtetit theksoi se të dy vendet duhet të bëjnë më shumë që edhe bashkëpunimi ekonomik të ndjekë bashkëpunimin shumë të mirë politik, duke u shprehur se: “Duhet një koordinim më i mirë mes institucioneve të të dy vendeve për të evidentuar, vlerësuar dhe shfrytëzuar sa më mire potencialet dhe burimet tona natyrore dhe njerëzore”.
Presidenti Nishani theksoi se niveli i bashkëpunimit ekonomik dypalësh ka një impakt pozitiv edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal dhe kthimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në një treg me interes për vendet e Bashkimit Evropian dhe investitorët e tjerë strategjikë.
“Jemi shumë të interesuar për promovimin e kohezionit rajonal duke synuar zhvillimin ekonomik, ekologjik, kulturor e social të rajonit tonë”,– u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin rajonal si dhe kontributin e qenësishëm që të dy vendet po japin për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria i kushton një vëmendje shumë të veçantë marrëdhënieve me vendet e rajonit dhe do të vijojë të ndjekë me konsekuencë politikën e fqinjësisë së mirë. “Rajoni duhet të funksionojë përmes përfshirjes së të gjitha vendeve të tij, përfshirë edhe Kosovën, pavarësia e të cilës ka ndikuar pozitivisht për paqen dhe stabilitetin në rajon”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan pjesëmarrjen aktive të të dy vendeve në organizatat dhe iniciativat rajonale dhe shprehën mbështetjen për nxitjen dhe forcimin e tyre të mëtejshëm.
Presidenti Nishani i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe çështjeve të pakicave kombëtare, të cilat luajnë një rol shumë të rëndësishëm në të dy vendet tona si ura lidhëse të qëndrueshme miqësie. Presidenti theksoi se dialogu për këtë aspekt nuk ka munguar, pasi pakicat kombëtare meritojnë dhe duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat që i garanton Kushtetuta dhe kuadri ligjor i të dy vendeve, por edhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe Konventa Kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare.
Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët në Mal të Zi të ndjehen të mirë përfaqësuar duke u bazuar në Kushtetutën e Malit të Zi, në institucionet qendrore, të vetëqeverisjes lokale dhe institucionet publike. Gjithashtu, Presidenti Nishani vuri në dukje rëndësinë e respektimit të së drejtës së pronës private dhe e administrimit të saj, si dhe që shqiptarët e Malit të Zi të gëzojnë të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore në shkollimin në gjuhën shqipe si dhe në përdorimin e simboleve dhe të gjuhës kombëtare.
“Zgjidhja përfundimtare e statusit të  Komunës së Tuzit do të jetë një hapësirë më e madhe për zhvillim dhe bashkëpunim në të gjithë zonën”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu përpjekjet dhe progresin e Malit të Zi për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) dhe theksoi se Shqipëria është një nga vendet e Aleancës që ka mbështetur dhe do të mbështesë në vijimësi anëtarësimin e Malit të Zi dhe të gjitha vendeve të rajonit që kanë interes për këtë organizatë. “Politika e dyerve të hapura të Aleancës është një proces me rëndësi jetike dhe Shqipëria beson se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të Aleancës dhe sigurisë në hapësirën Euro-Atlantike”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Në fund të takimit, Presidentët e të dy vendeve dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

 
 
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY