PD: Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një kamp internimi për...

PD: Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një kamp internimi për qytetarët

145
0
Shares

Partia Demokratike ka sulmuar sërish dje kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar për lirimin e autorit të vrasjes së katërfishtë që ndodhi të martën në Tiranë. Koordinatorja e PD-së, Grida Duma i ka kërkuar kreut të qeverisë, të mbajë përgjegjësi për privilegjet dhe paprekshmërinë që kishte krijuar për Kostandin Xhuvanin ndërsa e ka quajtur atë kryeministër të krimit.
“Nga kjo ngjarje ka dalë e qartë para gjithë shqiptarëve se krimi ka lidhje me qeverinë. Se krimi ka një kryeministër. Që jeni ju z. Rama”, u shpreh Duma.
Ajo tha se falë mbrojtjes së kryeministrit, autori i vrasjes së 4 personave ishte i paprekshëm.
“Nuk harrohet z. Rama skandali që i parapriu vrasjes së katërfishtë në Tiranë, më kot mendon se i lave duart me teatrin me dy akte të luajtur në Kryeministri. Autori i vrasjes, ishte në kërkim nga policia, por ai ishte ndryshe nga qytetarët e tjetë të vendit, kishte privilegj e mbrojtje, ndaj bridhte lirshëm në Tiranë me pistoletë në brez. Zoti Rama, dje, sot, e gjithnjë do të jesh përgjegjës për këtë ngjarje të rëndë, pasi ti i ke dhënë imunitet vrasësit, i ke dhënë mbrojtje. Ai falë teje ishte i paprekshëm”, është shprehur koordinatorja e PD.
Më tej ajo përsërit faktin se Kostandin Xhuvani ka qenë në kërkim si person i rrezikshëm por policia e ka lënë të lirë.
“Fakt është se; Xhuvani është në kërkim prej datës 26 prill të këtij viti dhe është në kërkim për vepra të rënda penale, për kanosje me armë të qytetarit, për armëmbajtje pa leje. Pra një rrezik potencial për shoqërinë. Por policia e lejon, sepse ai është djali i miqve të tu, ai ka lejen për të bërë çtë dojë. Siç rezultoi fatalisht, ka lejen edhe për të vrarë, dhe jo për herë të parë. Kjo është një përgjegjësi e rëndë, më e rënda që një politikan, apo më shumë, një kryeministër ka mbi shpatulla. Një përgjegjësi që ti z.Rama duhet ta mbash. Duhet ta mbash ti, ministri yt, drejtori yt i policisë”, është shprehur Duma.
PD e ka quajtur humbje dramatike, vdekjen e 4 qytetarëve si dhe vrasje të sigurisë publike në vend.
 “Keni vrarë zoti Rama besimin që duhet të kenë qytetarët tek shteti. Se nuk mund të besojnë më kur një i kërkuar nga policia, me precedentë të fortë penalë, nuk ndalohet sepse është miku juaj. Dhe jo vetëm kaq, por e dorovisni edhe para kamerave të kërkuarin nga policia, në oborrin e Parlamentit, aty ku duhet të jetë shenjtëria e ligjit, për ta përdorur politikisht kundër opozitës”, tha koordinatorja e Partisë Demokratike.
Ndërkohë Duma është ndalur edhe tek aksionet e fundit të qeverisë për prishjen e ndërtimeve dhe energjinë elektrike.
“E keni kthyer Shqipërinë në një kamp internimi për qytetarët që vënë një tullë, që rregullojnë çatinë e shtëpisë, që nuk paguajnë dot dritat se s’kanë me se të jetojnë, ndërkohë që krimi po arrin majat ku për një javë kemi 10 viktima”, tha koordinatorja e PD.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY