Ilir Meta, pas pak në një intervistë te Zona e Lirë, por ja cfarë tha për marrëveshjen

Kreu i Kuvendit dhe Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta do të jetë në një intervistë në Zonë e Lirë sonte ku pritet të bëjë deklarime surprizë në lidhje me “rreshtimet e reja” të politikës shqiptare.

Vetëm pak orë para intervistës ai u shpreh për mediat se marrëveshja e së enjtes mes Ramës dhe Bashës ka ngjashmëri me atë të 2008 mes Berishës dhe Ramës, marrëveshje që futi në grevë urie deputetët e atëhershëm të LSI-së.

Më poshtë pjesë nga prononcimi për mediat:

Si e shikoni faktin se kjo marrëveshje nuk lejon krijimin e koalicioneve?

Kjo është një zgjidhje për të cilën nuk mund të jap ndonjë sqarim, sepse nuk jam ndonjë ekspert i këtyre çështjeve.

Natyrisht këto nuk janë zgjedhje perfekte, siç duhet të ishin bërë në rast se rekomandimet e OSBE-ODIHR-it do të ishin zbatuar në kohë, por ju e dini që asnjëherë nuk ka pasur vullnet për t’i zbatuar këto rekomandime në kohë, për fat të keq.

LSI-ja është një forcë plotësisht e barabartë dhe mëse e barabartë, kështu që ky nuk është një shqetësim për këtë forcë politike. Është një shqetësim për disa forca të tjera politike, të cilat kishin të drejtën e tyre për të bërë koalicion dhe për të bërë kombinimet e tyre. Por LSI duhet të jetë e qetë se nuk mban përgjegjësi për përjashtimin e kësaj mundësie për forcat e tjera politike.

A ka ngjashmëri me atë që ndodhi në vitin 2008?

Nuk ka ngjashmëri me 2008-n, sepse jemi në realitete të ndryshme. Mund të ketë ngjashmëri me qëllime të caktuara, por nuk ka ngjashmëri midis dy realiteteve të ndryshme, kështu që të jeni shumë të qetë dhe të jeni shumë të sigurt se Shqipëria do të jetë edhe më demokratike pas 25 qershorit.

Vazhdoni t’i qëndroni mendimit që keni shprehur kur u zgjodhët President i Republikës, se ishit i palumtur, a jeni penduar që keni pranuar këtë kandidaturë duke parë se si dy nga protagonistët e krizës arritën ta zgjidhin atë?

Krizën e zgjidhën gjithë faktorët e përgjegjshëm brenda vendit dhe partnerët e përgjegjshëm jashtë vendit. Kështu që unë jam i qetë që ne evituam rënien e zgjedhjeve dhe demokracisë në humnerë.

Tani le të punojmë të gjithë për të realizuar zgjedhje të ndershme dhe transparente dhe për të pasur një proces sa më dinjitoz në radhë të parë për qytetarët tanë, por edhe përpara të gjithë botës demokratike.

Sepse kredencialet demokratike të Shqipërisë janë shumë të rëndësishme, jo vetëm për të ardhmen evropiane, por edhe për ndikimin e saj pozitiv në rajonin e Ballkanit. DRONI.al

Nonprofit media laboratory

Copyright ©. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
Ndalohet rreptesisht prodhimi i faqes dhe pjeseve te saj pa marre te drejten me shkrim te autorit.