Femrat në nivel drejtues arrijnë të paguhen më shumë se meshkujt

Hendeku gjinor i pagave u ngushtua edhe më tej gjatë vitit 2016, ku burrat u paguan mesatarisht 6% më shumë se gratë, teksa ky tregues ishte 6.3 %  me 2015. Por në nivelet drejtuese, pagat e femrave janë konsiderueshëm më të larta se ato të meshkujve.
Sipas të dhënave të INSTAT, pagat e femrave në nivelet “Drejtues administrativë dhe komercialë” janë 28% më të larta se të meshkujve. Burrat në këto pozicione drejtimi paguhen me 113,825 lekë në muaj, ndërsa gratë 146,143 lekë në muaj.
Gratë paguhen më shumë edhe në pozicionet “Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara” e gati 3% më shumë se burrat. Të punësuarit meshkuj në këto pozicione paguhen 84,329 lekë në muaj, ndërsa femrat 86,619 lekë në muaj.
Teksa gratë çmohen më shumë në pozicionet drejtuese nuk ndodh e njëjta gjë për nivelet e specialistëve.
Sipas INSTAT, meshkujt në sektorin e shëndetësisë paguhen 22% më shumë se femrat, gjithashtu në sektorin e mësimdhënies burrat paguhet 14% më shumë se gratë.
Gjithashtu pagat për menaxherët e shitjes favorizojnë burrat, pasi kanë paga më të larta, të paktën 12% më shumë se femrat. Paga me diferencë të lartë nga femrat marrin meshkujt në sektorët e industrisë, në ushtri dhe në shërbimin e mbrojtjes personale, profesione këto që dominohen dhe ushtrohen kryesisht nga meshkujt.
Femrat në pozicione drejtuese kanë pasur ekspansion vitet e fundit.
Gjatë vitit 2015, numri i grave, pronare të bizneseve të reja, u shumëfishua ndjeshëm, në krahasim me dy vitet paraardhëse. Sipas të dhënave të QKB-së, më 2015 gratë ishin 100% pronare të mbi 13,000 bizneseve të reja nga rreth 1,520 që ishte ky numër në vitin 2014.
Shifrat janë optimiste dhe tregojnë se gjithnjë e më shumë, femrat shqiptare po investojnë në rritjen e pavarësisë së tyre ekonomike.
Në sektorin publik, gratë përbëjnë përqindjen më të lartë të punësimit në pozicione të tilla si specialiste ose punonjëse të zakonshme, të cilat paguhen shumë më pak në krahasim me pozicione si ligjvënës, zyrtarë të lartë dhe drejtorë, politikëbërës etj., të cilat mbahen më shpesh nga meshkujt.

Nonprofit media laboratory

Copyright ©. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
Ndalohet rreptesisht prodhimi i faqes dhe pjeseve te saj pa marre te drejten me shkrim te autorit.