FOTO GALERI/ Familja shqiptare që jeton me tre ujqër

Po e rrite ujkun me dashuri ai ta kthen pas, thotë shqiptari që jeton me tre ujqër në shtëpi edhe pse ata nuk njihen si kafshë miqësore me njeriun.

Anadolu Agency raporton se familja Ismaili nga Tetova ngjall habi me tre ujqërit për të cilët ka marrë përgjegjësinë për t’u kujdesur.

Kjo familje, e cila jeton me ujqërit e zbutur në një vilë në rrëzë të Malit Sharr, vazhdon të jetojë e lumtur me këto kafshë duke sfiduar përrallën e famshme të Kësulëkuqes.

Megjithëse ujku nga njeriu konsiderohet si kafshë dinake, gjakpirëse dhe e rrezikshme, Alek, Lupo dhe Luna, tre ujqërit për të cilët prej dy vitesh kujdeset familja tetovare, nuk paraqesin asnjë rrezik, por në të kundërt janë miqësorë dhe anëtarë të barabartë të familjes Ismaili.

Ujqërit e familjes Ismaili dallojnë nga ujku i malit, sepse ata janë miqësorë, nuk ushqehen me mish të gjallë, si dhe ka ndodhur që të rastisin me tufa të deleve dhe nuk i kanë sulmuar.

Këta tre ujqër ushqehen një herë në ditë, me eshtra, ushqim të zier dhe rrallë herë me ushqim të gatshëm. Kryefamiljari Fadil Ismaili, dashurinë ndaj kafshëve e kishte që nga fëmijëria, ndërsa ideja për t’u kujdesur për ujqërit i lindi për shkak se ujku nga njeriu përshkruhet si kafshë e rrezikshme.

Ismaili jeton në Tetovë, ndërsa në fshatin Leshkë të këtij qyteti ka ndërtuar një vilë ku jeton përkohësisht dhe kujdeset për këto kafshë të zbutura që kur ishin këlyshë. Ai dhe familja e tij thuajse edhe brenda vilës jetojnë bashkë me ujqërit dhe ndajnë ushqimin e njëjtë.

“E gjithë kjo është në kundërshtim me realitetin e njeriut, i cili thotë se ujku është i keq. Unë jam i bindur se njeriu është shumë më i keq se ujku. Këto ujqër nuk më kanë bërë asnjë dëm, ndërsa njerëzit po. Ne frikësohemi prej dhëmbëve të ujkut, por nuk frikësohemi nga njerëzit e armatosur”, shprehet Ismaili, duke shtuar se vetëm duhet të mësosh të sillesh mirë me ujqërit dhe ata do të ta kthejnë me të mirë.

Para se t’i blejë ujqit, Ismaili ka ndjekur trajnime se si duhet të sillet dhe t’i edukojë kafshët. “Fëmija me dashuri rritet ndryshe, edhe ujku me dashuri rritet ndryshe dhe bëhet një shok i vërtetë.”, thotë Ismaili për AA. Burimi: Anadolu Agency

Nonprofit media laboratory

Copyright ©. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
Ndalohet rreptesisht prodhimi i faqes dhe pjeseve te saj pa marre te drejten me shkrim te autorit.