Policia ka zbardhur brenda pak orësh ngjarja e ndodhur mbrëmë, ku u plagos me armë zjarri 35-vjeçarja në Shkodër.
Sipas burimeve ka patur kontrolle të shumta, në disa qytete, për kapjen e autorëve. Arrestohen ne flagrancë 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Të arrestuarit janë identifikuar si Argjend Rexha, Emirion Buraku dhe maqedonasi Rihad Xheladini.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga grupi hetimor, si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
“Mbi bazën e këtyre informacioneve dhe provave të grumbulluara, nga strukturat e DVP Shkodër, në bashkëpunim DVP Tiranë dhe DVP Durrës, u finalizua operacioni policor “Reagimi, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i në flagrancë i shtetasve: A. R., 31 vjeç, banues në Durrës, E. B., 28 vjeç, banues në Durrës dhe R. Xh., 22 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni. Gjithashtu është shpallur në kërkim M. M., 26 vjeç, banues në fshatin Berdicë, Shkodër.
Nga hetimet e kryera në kohë rekord nga grupi hetimor i DVP Shkodër rezultoi se shtetasit A. R., E. B. dhe R. Xh. kanë qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e datës 05.02.2020, rreth orës 22:40, në lagjen “Vasil Shanto”, në drejtim të shtetasit M. M., i cili iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe si pasojë ka mbetur e plagosur shtetasja L. J. (kalimtare)”,-sqaron policia.
Po nga hetimet dyshohet se këta shtetas kishin konflikte të hershme me njëri -tjetrin. Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një automjet që i përket shtetasit M. M.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
/DRONI.al/
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/