Kryetari i Radhës i OSBE-së dhe ministri i Jashtëm dhe për Çështjet Evropiane i Sllovakisë, Miroslav Lajčák, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella, shprehin keqardhjen për tensionin e vijueshëm politik në Shqipëri dhe kanë bërë deklaratën e mëposhtme:
“OSBE-ja ka monitoruar nga afër ngjarjet dhe i ka nxitur në mënyrë të përsëritur të gjithë aktorët relevantë të angazhohen në politika konstruktive, të respektojnë proceset demokratike të vendit dhe të tregojnë vetëpërmbajtje. Tani, më shumë se kurrë, është e domosdoshme që aktorët shqiptarë të punojnë së bashku për të kaluar ngërçin aktual, të angazhohen në dialog pa parakushte dhe të sigurojnë që zgjedhjet e kësaj të diele të zhvillohen paqësisht. Ne i nxitim të gjithë aktorët të mbështetin shtetin e së drejtës, të respektojnë rolet kushtetuese të institucioneve demokratike përkatëse dhe të drejtat e njeriut, si dhe të shmangin dhunën; si autorët, ashtu edhe nxitësit e akteve të dhunshme do të jenë përgjegjës ligjërisht. Gjithashtu, në u bëjmë thirrje institucioneve të zbatimit të ligjit të përdorin masa përpjestimore.
Teksa njeh të drejtën e shqiptarëve për mjetet e paqta të protestës, OSBE-ja dënon me forcë sulmet e dhunshme të kohëve të fundit kundër organeve të ngarkuara me organizimin e zgjedhjeve, në disa bashki në Shqipëri, ku u dëmtuan shkolla dhe material zgjedhore. Të gjitha mosmarrëveshjet politike dhe administrative duhet të zgjidhen në përputhje me shtetin e së drejtës dhe proceset ligjore. Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, pengon përparimin e Shqipërisë dhe njollos reputacionin ndërkombëtar të vendit.
Çdo shkelje ligjore e lidhur me zgjedhjet, përfshirë blerjen e votës, abuzimin me burimet publike dhe ushtrimin e presionit ndaj nëpunësit e sektorit publik sa u përket zgjedhjeve, duhet të ketë pasojat e duhura ligjore.Duke pasur parasysh përparimin e vendit në fusha kryesore, gjatë viteve të fundit, të ilustruar nga miratimi i njëzëshëm i të gjitha 56 shteteve të tjera pjesëmarrëse që Shqipëria të marrë Kryesinë e Radhës së OSBE-së në vitin 2020, ne jemi të bindur që Shqipëria do të jetë në gjendje të përparojë, nëse në vend ushqehet një ndjenjë e pjekur përgjegjësie për përparimin dhe reputacionin e vendit.
Si gjithmonë, OSBE-ja mbetet e gatshme – si mbështetëse dhe si mike – të punojë me institucionet kombëtare në çuarjen përpara të përparësive të vendit, në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Pas 30 qershorit, OSBE-ja do të përkrahë fuqishëm përpjekjet e përtërira për reformë në vend, përfshirë reformën gjyqësore, në përputhje me kërkesat dhe aspiratat e popullit shqiptar.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/
loading...
Loading...