Pas prezantimit të projektit të ri për godinën e Teatrit Kombëtar, një grup i sindikatës së artistëve të skenës u mblodhën sot për të diskutuar rreth tij.
Kastriot Çipi, përmes një komenti në rrjetet sociale e ka cilësuar projektin e lançuar një ditë më parë si plagjaturë.
“Plagjiaturë e arkitektit danez apo paljaçatë e pushtetit? Projekti i Ramës për TK është në fakt projekti i studios ukrainase Forma, fitues i çmimit të tretë (pra i skualifikuar) në konkursin për Operan e Busanit në Korenë e Jugut. Shikojini fotot dhe gjykoni vetë! Faleminderit për zbulimin Ervin Goci!”, shkruan regjizori Çipi në rrjetet sociale.
“Kemi një mbledhje për të diskutuar për projektin e djeshëm. Ne që s’ishim, ne armiqtë e klasës. Urdhër nga drejtori nuk lejojnë të hyjnë në godinën e TK. D. m. th.:, aty ku ne punojmë nuk lejohemi të hyjmë. Një projekt i cili nuk ka lidhje me klasikun e TK. Me qelq e pamë TK, shiheshin aktorët se si visheshin, se si zhvisheshin, do të futen nga poshtë kur ti zërë shiu. U kënaqëm ne”, thotë aktori Arben Derhemi.
Artistët ndajnë mendime të ndryshme rreth projektit, por pothuajse të gjithë bien dakord që janë të paqartë për skenën dhe sallën qendrore të teatrit në projekt.
“Kryeministri e deklaroi qartë që ky është një projekt për TK. Do realizohet, nuk ka kthim mbrapa. Pashë edhe projektin në tërësi. Ishte atraktiv. Por paqartësinë time e kam sepse nuk pashë parametrat e sallës kryesore të sallës së TK”, thotë Helidon Fino..
“Kur kam qenë në projektin e turbinës dhe TOB është dhënë me deatje nga arkitekti salla, prapaskenat, ku do rrijë gardëroba, ku do rrijë aktori, ku do punohet”, thotë aktorja Erjona Kakeli.
“Sigurisht që nuk ishim të ftuar. Ishin të ftuar disa të tjerë, kolegët tanë. Shumë mirë që ishin, por nëpërmjet mediave pamë një shfaqe shumë të shëmtuar të kryeministrit, një tallje që ai bëri me të gjithë komunitetin tonë dhe një arrogancë të paparë”, thotë Anila Bisha.
Artistët gjithashtu shprehen edhe kundër partneritetit publik privat, për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, ashtu siç të hënën e deklaroi edhe aktori i mirënjohur Rober Ndrenika.
“Kaq i pafuqishëm qenka nga ana financiare sa të ndërtojë një teatër sic i takon dhe sic është dinjiteti i shtetit shqiptar për një Teatër Kombëtar, një opera kombëtare, një galeri kombëtare, të denjë për Shqipërinë europiane të shek XXI? Unë mendoj se jo”, thotë Neritan Liçaj.
Projekti i Teatrit Kombëtar është konceptuar nga arkitekti danez, Bjarke Ingels, një ndër më të famshmit sot në botë për arkitekturën bashkëkohore. Ai deklaroi një teatër me sipërfaqe të trefishuar, gjashtë hapësira, dy salla të eksperimentale, përveç asaj qendrore, një teatër veror me tarracë dhe një shesh poshtë ndërtesës unike, që do të përdoret për performanca artistike.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/