DOSJA/ Shfrytëzoi të fejuarën si prostitutë, si e zbuloi vjehrra dhe motra

DOSJA/ Shfrytëzoi të fejuarën si prostitutë, si e zbuloi vjehrra dhe motra

238
0
Shares

Një i ri dhe e fejuara e tij janë dënuar nga Gjykata e Tiranës për akuzat e “shfrytëzimit të prostitucionit”. Bëhet fjalë për një çift nga Tirana, të cilët u fejuan në një moshë fare të re.
Sipas vendimit të Gjykatës, të disponuar nga “Panorama”, shtetasi Albi Sh. 21 vjeç, ka shfrytëzuar për prostitucion të fejuarën e tij, shtetasen S. T., 20 vjeçe. Rasti është zbuluar fillimisht nga familjarët e vajzës në vitin 2015, teksa kanë parë të afërmen e tyre në gjendje jo të mirë psikologjike.
Kanë qenë nëna dhe motra e vajzës që prostituohej nga i fejuari i saj, që kanë zbuluar SMS-të komprometuese në rrjetet sociale të viktimës.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata ka vendosur të dënojë me 4 vjet e 8 muaj burgim të fejuarin për akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit” dhe me gjobë vajzën. I riu ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar, por e ka ankimuar vendimin në Apelin e Tiranës.

Ngjarja
Më datë 10 maj 2015, nëna e viktimës, B. T., ka bërë kallëzim në seksionin për Trafiqet e Paligjshme ku ka sqaruar se vajza e saj, S. T., ishte lidhur prej kohësh me shtetasin Albi Sh.
Kjo lidhje, sipas saj, është ndërtuar me shkuesi. Sipas nënës, disa kohë pas lidhjes, kur S. T., ishte vetëm 17-vjeçare, ajo ka konstatuar se vajza dhunohej nga i fejuari i saj. Këtë gjë ia ka konfirmuar në një farë mënyrë edhe mësuesja kujdestare e vajzës në shkollën e mesme “Hoteleri-Turizëm”.
Nëna ka shpjeguar në Polici se mësuesja ka qenë fillimisht ajo që e ka sinjalizuar për një dhunë të mundshme nga i fejuari, pasi prej kohësh vajza ishte e mbyllur dhe nuk bisedonte me njeri.
Më herët, më 3 maj të vitit 2015, motra e S. T., kishte parë në rrjetin social “Facebook” mesazhet mes saj dhe Albi Sh. Nga bisedat, ajo ka vënë re se fjalori i përdorur mes te dyve ishte i “pamoralshëm” dhe se dukej qartë se S. T., kishte ushtruar prostitucion e shtyrë nga i fejuari. Këtë bisedë, motra e S. T., ia ka treguar nënës së saj. Kjo e fundit ka nisur menjëherë lëvizjet, duke e larguar vajzën nga shkolla dhe ka vënë në dijeni prindërit e të fejuarit të vajzës për rastin duke kërkuar që ata të ndahen.

Mohimi dhe ikja
Edhe pse e vënë përpara këtyre fakteve, siç shpjegon vendimi i Gjykatës së Tiranës, S. T., nuk ka pranuar që ka ushtruar prostitucion. Që nga ky moment, prindërit e saj nuk e kanë lejuar vajzën që të dalë nga shtëpia, derisa më datë 10 maj 2015, S. T., pa dijeninë e prindërve, ka dalë fshehurazi nga shtëpia dhe ka shkuar te banesa e të fejuarit të saj, Albi Sh.
E shqetësuar, nëna e S. T., ka bërë edhe kallëzimin në Polici, ku ka dorëzuar edhe bisedat në “Facebook” mes Albi Sh. dhe vajzës së saj S. T. Në kohën që Policia i ka shpallur në kërkim të dy, ata rezultuan se kishin ikur jashtë vendit, pra drejt Italisë.
Policia ka marrë në pyetje sërish nënën dhe motrën e viktimës, por ato kanë mbajtur qëndrim mohues duke shprehur bindjen se marrëdhëniet në çift janë rregulluar dhe se “nuk besojnë më se vajza shfrytëzohet për prostitucion sërish nga i fejuari”.

Dëshmia e çiftit
Prokuroria dhe Policia, të ndodhura në kushtet që familjarët e vajzës tërhoqën dëshmitë për shfrytëzim prostitucioni, kanë kërkuar nga autoritetet italiane informacion për çiftin, konkretisht me një shkresë të datës 03. 08. 2015. Edhe pse nuk kanë mundur të marrin informacion nga autoritetet e Viçences, ata kanë mundur të gjejnë vajzën S. T., në Shqipëri më datë 17. 07. 2016, e cila ishte kthyer në vendin tonë. Ajo është marrë në pyetje nga Policia Gjyqësore në lidhje me akuzat e së ëmës dhe ka dhënë një dëshmi kontradiktore, si për vete, ashtu edhe për të fejuarin, Albi Sh. Shtetasja S. T., ka pranuar se ka ushtruar prostitucion, por jo e shtyrë nga i fejuari i saj. Gjithashtu, në pyetje është marrë edhe i pandehuri, Albi Sh., i cili ka shpjeguar se është lidhur dhe shtetasen S. T., duke mohuar akuzat. Ai ka thënë se llogarinë në “Facebook” ku shfaqen bisedat që provojnë prostitucionin, nuk e disponon ai.

Dosja
Pavarësisht dëshmive dhe kundërdëshmive, Prokuroria e Tiranës, në dosjen në fjalë argumenton se “i pandehuri Albi Sh. ka qenë ndërmjetës në ushtrimin e prostitucionit të së pandehurës S. T. Ai, jo vetëm që ka pasur dijeni për këtë fakt, por edhe i ka dhënë orientime se si duhet të veprojë duke përcaktuar edhe sasinë e parave që duhet t’u marrë klientëve. Nga bisedat mes tyre, kuptohet qartë, jo vetëm fakti që i pandehuri Albi Sh. e shtyn S. T., që të ushtrojë prostitucion, por rezulton edhe se paratë që fiton vajza nga prostitucioni, i merr shtetasi Albi Sh. Siç rezulton edhe nga deklarimet e dëshmitareve B. T., dhe Xh. T., motra dhe nëna e vajzës, del qartësisht e provuar se S. T., ka ushtruar prostitucion me njerëz të ndryshëm kundrejt shumave të ndryshme dhe se ajo është shtyrë për ta bërë këtë gjë nga ndikimi i të pandehurit Albi Sh., i cili ka marrë edhe përfitime nga ky aktivitet i paligjshëm”. Panorama

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY